Në përfundim të Superligës rezulton se ekipi i KF Bylis është renditur në vendin e 9-të dhe zbret në Kategorinë e Parë. Në të njëjtën kohë KF Bylis B ka fituar ndeshjet e play-off të Kategorisë së Dytë, duke fituar të drejtën për të luajtur në të Parën.
Referuar Nenit 24.7 të Rregullores së Veprimtarisë Futbollistike, pjesëmarrja e dy ekipeve të të njëjtit klub në të njëjtën kategori nuk lejohet. Gjithashtu, Neni 24.8 përcakton se, në rastet kur ekipi “A” zbret në kategorinë ku ndodhet ekipi “B”, atëherë ekipi “B” zbret automatikisht një kategori më poshtë.
Për rrjedhojë, pavarësisht rezultatit sportiv të arritur, KF Bylis B nuk mund të marrë pjesë në Kategorinë e Parë dhe do të rikthehet në Kategorinë e Dytë për sezonin sportiv 2026/27.
Duke qenë se rregulloret parashikojnë pasojën për KF Bylis B, por nuk përcaktojnë shprehimisht mënyrën e plotësimit të vendit vakant në Kategorinë e Parë në një situatë të tillë, sipas nenit 41 të Statutit të FSHF në këto raste çështja kalon për shqyrtim të Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së.
Pas propozimit të Komisionit të Ligave dhe Garave dhe Komisionit Ligjor, Komiteti Ekzekutiv vendosi zhvillimin e një ndeshjeje të vetme play-off ndërmjet KF Kukësit dhe KF Butrintit, në fushë asnjëanëse, për të përcaktuar ekipin që do të marrë pjesë në Kategorinë e Parë në sezonin sportiv 2026/27. Detajet mbi datën, orarin dhe stadiumin e zhvillimit të kësaj ndeshjeje do të bëhen publike në vijim nga Departamenti i Garave të FSHF.
Në një reagim të mëvonshëm, Butrinti doli kundër këtij vendimi duke renditur faktorët sportivë, financiarë dhe një pikë të 'Rregullores së Garës', për të cilën sarandiotët pretendojnë një vend direkt në Kategorinë e Parë. Nga ana tjetër KF Kukësi është pro këtij vendimi të FSHF-së si të bazuar në të drejtën e garës.
Pretendimet
Pas situatës që u krijua me Bylis B, Butrinti që humbi në finalen play-off të Kategorisë së Dytë kundër ekipit të dytë të ballshiotëve kërkoi të ngjitej direkt në Kategorinë e Parë. Një gjë të tillë e pretendoi edhe Kukësi, që u mund në play-out-in e Kategorisë së Parë nga Bylis B. Kukësi veç kësaj shtoi se Bylis B në atë takim aktivizoi 9 futbollistë nga ekipi i parë, katër më shumë sesa e lejon rregullorja.
AF Luftëtari, ekip që u mposht nga Sopoti në play-out-in e Kategorisë së Parë gjithashtu kërkoi të merrte vendin e Bylisit B. Edhe KF Shiroka, ekipi i Kategorisë së Dytë Grupi A pretendoi vendin vakant.
FSHF ka vendosur tanimë dhe do të jetë finalja mes Kukësit dhe Butrintit që do të vendos se cila nga të dyja skuadrat do të luajë në Kategorinë e Parë sezonin e ri. Një shans për Kukësin që shpreson të mbetet sërish në të Parën, por Butrinti ka një ekip për t'u respektuar.

Nëse më herët Butrinti i Sarandës e cilësoi si të padrejtë vendimin e FSHF-së për një ndeshje play-off-i mes tyre dhe Kukësit për vendin vakant në Kategorinë e Parë, verilindorët janë me mendim të kundërt. KF Kukësi mbështet vendimin e FSHF-së si të bazuar në të drejtën e garës se gjithçka duhet të vendoset në fushën e lojës.
KF Kukësi i kërkon falje tifozëve për sezonin e dështuar dhe rrëzimin në Kategorinë e Dytë, duke dhënë shpresë se do të japin 'shpirtin në fushë' për finalen që do t'i rikthente në të Parën.
Njoftimi i KF Kukësit:
FK Kukësi e përshëndet vendimin e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së për zhvillimin e ndeshjes play-off kunër KS Butrintit, duke e konsideruar një vendim të drejtë dhe sportiv, pasi besojmë se gjithçka duhet të vendoset në fushën e lojës.
Njëkohësisht, i kërkojmë ndjesë tifozëve tanë për zhgënjimin e këtij sezoni. E dimë çfarë përfaqëson ky klub dhe sa shumë meritoni ju.
Ju premtojmë se skuadra do të luftojë me shpirt në këtë ndeshje vendimtare për të rikthyer Kukësin në vendin që meriton. Na duhet edhe një herë mbështetja juaj. Të bashkuar deri në fund.
Detajet e ndeshjes ndaj Butrintit, do të zyrtarizohen në një moment të dytë nga FSHF.

FSHF vendosi që Kukësi dhe Butrinti të përballen në një finale play-off për të mësuar skuadrën që do të jetë pjesë e Kategorisë së Parë edicionin e ri, për vendin vakand të lënë nga Bylisi B.
Sarandiotën e Butrintit kanë dalë kundër vendimit të Federatës Shqiptare të Futbollit, me argumentin se vendimi është i vonuar dhe në një kohë kur kampionati ka disa javë që ka mbaruar, diçka e tillë ka sjellë pasoja sportive, teksa shumë lojtarë janë larguar nga ekipi dhe janë jashtë formës sportive. Veç saj, Butrinti shton se vendimi i tillë ndikon edhe në aspektin financiar.
Butrinti lë të kuptohet se nuk do të paraqitet në këtë ndeshje finale, duke e apeluar vendimin në organet e FSHF-së. Sarandiotët 'kërcënojnë' se do ta ndjekin çështjen deri në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv (CAS) në Lozanë.
Butrinti më herët kishte kërkuar vendin e Bylis B në Kategorinë e Parë, teksa referonin nenin 36 pika 4 të 'Rregullores së Garës', që thotë se nëse një klub nuk merr pjesë në garë, zëvendësohet nga 'Ekipi finalist play-off i Kategorisë së Dytë'. Butrinti është skuadra humbëse në finalen kundër Bylis B të play-off-it të Kategorisë së Dytë.
Reagimi i Klubit të Futbollit Butrinti:
Klubi i Futbollit KF Butrinti shpreh kundërshtimin e plotë ndaj vendimit të Komitetit Ekzekutiv të Federata Shqiptare e Futbollit për zhvillimin e një ndeshjeje play-off mes KF Kukësi dhe KF Butrinti për përcaktimin e skuadrës që do të marrë pjesë në Kategorinë e Parë për sezonin 2026/27.
Ky vendim vjen në një moment kur kampionati ka përfunduar prej kohësh dhe ka sjellë pasoja serioze sportive, organizative dhe financiare për klubin tonë. Shumë lojtarë janë larguar, ekipi ka dalë jashtë ritmit garues dhe janë shtuar ndjeshëm shpenzimet e paplanifikuara për organizimin e një ndeshjeje të tillë.
KF Butrinti vlerëson se ky vendim është i padrejtë dhe në kundërshtim me parimet e barazisë sportive dhe sigurisë juridike të garës. Për këtë arsye, klubi do të ndjekë të gjitha rrugët ligjore dhe sportive për mbrojtjen e të drejtave të tij, duke nisur me apelimin e vendimit pranë organeve kompetente të FSHF-së dhe më pas, nëse do të jetë e nevojshme, çështja do të dërgohet edhe në Court of Arbitration for Sport (CAS). Klubi ynë mbetet i vendosur në mbrojtje të dinjitetit, mundit dhe sakrificës së bërë gjatë gjithë sezonit sportiv.

Pika e 'Rregullores së Garës' të cilës i referohet Butrinti
Komente









