NATO vendosi rreth 1 500 trupa në Holandë dhe në Republikën çeke, për të vlerësuar forcën e saj të re të reagimit shumë të shpejtë (VJTF), njoftoi sot një oficer në aeroportin e Chrudimit, rreth 100 kilometra në lindje të Pragës.
Rreth 900 gjermanë dhe 200 holandezë mes të tjerëve morën pjesë në këto manovra në Holandë dhe 150 çekë në vendet e tyre, theksoi kapiteni, Marek Marszalek, i kamandos së NATO-s në Napoli.
"Ata kanë marrë urdhër dy ditë më parë, për t'u zhvendosur që nga kazerma e tyre deri në pikën e nisjes", theksoi ai.
Quajtur "Noble Jump", kjo manovër alarmi do të mundësojë vlerësimin e shkallës së përgatitjes së forcës së ndërarmatosur me reagim shumë të lartë, krijimi i së cilës u vendos pas samitit të NATO-s në Newport në shtator të vitit 2014, për riforcimin e krahut lindor të Aleancës përballë ambicieve të Moskës.
"Objektivi është testimi i konceptit të ri të gadishmërisë së shpejtë në disa dhjetëra orë duke nisur nga momenti i dhënies së urdhërit dhe jo në disa ditë si më parë", theksoi për gazetarët në Chrudim, gjenerali çek, Jiri Baloun.
Një manovër më e madhe "Noble Jump 2" është parashikuar në Poloni, me vendosjen e trupave aleate të ardhur nga Gjermania, Holanda, Norvegjia dhe Republika çeke në terrenin ushtarak të Zaganit.
"Menjëherë, rreth 25 000 ushtarë të NATO-s do të vendosen në Itali, në Portugali dhe në Spanjë, për një tjetër manovër force me reagim shumë të shpejtë në muajt tetor dhe nëntor", shtoi kapiteni Marszalek./atsh/