Sali Berisha ka vendosur të mos dëgjojë Bruksel as Washington dhe i vetmuar të kalërojë drejt qëllimit të tij për të fituar me çdo kusht edhe një palë zgjedhje.
Ai injoroi të gjitha paralajmërimet e qendrave ndërkombëtare të vendosjes për të mos e prekur KQZ’në, duke ua bërë kështu të gjithëve të qartë se me verpime të tilla dhe të tjera si këto po kthehet në “identitet” - në vitin 1996.
I ringjallur nga vdekja politike, me dy mandate në pushtet të karakterizuar nga skandale e probleme të shumta në qeverisje ai, thjesht, nuk ka çfarë t’i jep më vendit. Në fakt, shërbimin më të mirë vetes dhe vendit të tij do t’ia bënte po të tërhiqej qetë-qetë, të shijonte vitet e fundit të jetës i rrethuar nga të mirat dhe favoret që ia ka krijuar vetes dhe familjes nga koha e kaluar në pushtet. Por, jo. Ai është i pangopur. Kërkon edhe më.
Tashmë kur duket se e ka të qartë se nuk mund t’i fitojë zgjedhjet në mënyrë të ndershme, ai ka nisur përpjekjet për të bërë çmos, ama çmos, pa pyetur për rregull e ligj, që të dalë fitues. Ashtu siç veproi para 17 vjetësh, ashtu siç veproi edhe në zgjedhjet e fundit për Tiranën. Duke shkarkuar anëtarin e KQZ’së, ai veçse nisi përgatitjen e terrenit që të bëjë kërdi në procesin zgjedhor.
Ndonëse e kanë përkrahur në shumë veprime të tij gjatë tetë viteve në pushtet, ndërkombëtarët nuk do të vazhdojnë t’i japin mbështetje edhe në veprime si këto të ditëve të findit. Por, ai ka vendosur të çajë vetë rrugën drejt vetëvrasjes politike. Kësaj radhe nuk i kanë faj as ndërkombëtarët, as Edi Rama, as Ilir Meta.
Por, veprimet e tij do t’i kushtojnë Shqipërisë dhe shqiptarëve.
E keqja më e madhe do të mund të ishte izolimi ndërkombëtar i vendit pikërisht shkaku i kryeneçësisë dhe veprimeve antidemokratike të Berishës.
Sherri i Berishës, Shqipëria ka gjasa të bllokohet edhe më tej në rrugën drejt integrimeve europiane, pavarësisht se fajin për ngecje në këtë proces me muaj po përpiqet t’ia lë opozitës shkaku i mosvotimit të tri ligjeve në parlament. Pa dashur të pranojë një të vërtetë të madhe, që i është bërë e qartë disa herë - se mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe demokratike më 23 qershor është kushti kryesor për përparimin e Shqipërisë. Kusht që nuk është plotësuar asnjëherë në dy dekada demokraci.
* * *
Sali Berisha mund të jetë tërbuar nga bashkimi i Ilir Metës me Edi Ramën, veprim ky që nuk u pëlqye as nga një pjesë e zyrtarëve të Partisë Socialiste. Por, ai duket të mos jetë ndjerë mirë as nga vizita dhe paraqitja e fundit e Ramës në Kosovë. Të paktën kështu krijohet përshtypja nga reagimet pa takt të atyre që nuk paramendojnë tjetër lider të Shqipërisë dhe, po sipas tyre, edhe të shqiptarëve përveç Berishës.
Në opinionet e tyre, Rama portetizohet si e keqja që mund t’iu vijë jo vetëm shqiptarëve të Shqipërisë, por edhe atyre të Kosovës. Madje nuk mungojnë as përpjekjet për ta demonizuar liderin socialist deri në atë masë, sa të krijohet përshtypja se kemi të bëjmë me njeriun më të keq të planetit.
Deshi apo nuk deshi dikush, kosovarët duhet ta respektojnë vendimin e qytetarëve të Shqipërisë më 23 qershor.
Deshi apo nuk deshi dikush në Kosovë, Rama do të bëhet kryeministër i Shqipërisë. Jo pse duam ne, por sepse duan ata. E, nëse parti të caktuara politike e zëdhënës të tyre duan të mos e pranojnë atë si të tillë, atëherë le ta bëjnë.
Le të vazhdojnë të kënaqen me Sali Berishën dhe broçkullat e tij folkloriko-patriotike.
Le të vazhdojnë të shpresojnë se ai do t’u jep pasaporta me shqiponjë dhe do ta bëjë bashkimin shqiptar.
Le të vazhdojnë të besojnë se ai, e jo Skënderbeu, është heroi kombëtar shqiptar.
Por, kjo mendësi nuk ndërron asgjë dhe nuk çon askund.
Prishtina, pavarësisht se kush është dhe kush vjen në pushtet, duhet të bashkëpunojë me Tiranën, pa marrë parasysh kush është dhe kush do të vijë në pushtet atje. Tjetër rrugë s’ka.
* * *
Më mirë se kosovarët, kontributin e Berishës gjatë tetë viteve të fundit në pushtet e dinë qytetarët e Shqipërisë. Ata e dinë nëse mirëqenia e tyre është përmirësuar apo përkeqësuar. Ata e dinë nëse jetojnë më mirë ose më keq dhe vetëm ata mund t’i ndihmojnë vetëvetes për të bërë zgjedhjen e duhur për të ardhmen.
Por, askush nuk mund t’i ndihmojë Berishës në rrugën e tij kryeneçe dhe të rrezikshme drejt 23 qershorit. Madje as ai vetëvetes.
Lëreni të kredhet në mëkatet e tij dhe të shijojë pranverën e vetmisë së madhe.
Lëreni të fundoset, siç di të bëjë më së miri, por mos e lejoni ta fundosë Shqipërinë.