Dritan Stoka, ish-zyrtar në Drejtorinë e Përgjithshme të Kadastrës, është dënuar me 2 vite burg nga Gjykata e Posaçme për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe "Korrupsioni aktiv në zgjedhje", pasi në zgjedhjet vendore të vitit 2019 premtonte leje legalizimi në zonën e Saukut në Tiranë, si edhe punësime në këmbim të votës për Partinë Socialiste.
Për të njëjtin krim zgjedhor GJKKO ka dënuar me 2 vite burg Agim Osmën, kryeplak i Lagjes së Re në Sauk, por togat e zeza vendosën pezullimin e ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim, për pjesën e mbetur pa vuajtur, duke e vendosur të pandehurin në provë për një periudhë kohe prej 24 (njëzet e katër) muaj, me kusht që gjatë kësaj kohe të mos kryejë vepër tjetër penale si dhe të mbajë kontakte të rregullta me Zyrën e Shërbimit të Provës ku ai ka vëndbanimin e tij.
Sipas organit të akuzës këta dy shtetas kanë kryer veprime aktive gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve vendore të vitit 2019, kur Kadastra drejtohej nga Artan Lame duke kërkuar nga persona të ndryshëm përgatitjen e listave të personave që do të merrnin pjesë në zgjedhje, duke i detyruar për të votuar ne favor të Partisë Socialiste ose përcaktuar mënyrën e votimit, kundrejt përfitimeve të parregullta, për qëndrim në punë ose dhe nxjerrjen e lejeve të legalizimit për ndërtimet informale të votuesve në zonën e Saukut, Tiranë. Burimet bëjnë me dije se ishin bashkëpunëtorë të afërt të Lames.


Komente











