Familja e deputetit socialist, Armando Prenga humbet licencën e shfrytëzimit të Lagunës së Patokut. Ky është vendimi i Gjykatës së Apelit Administrativ i marrë gjatë kësaj të enjte, pas apelimit që kish bërë familja Prenga.
 
Apeli la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë i marrë kohë më parë.
 
Një vit më parë, më 5 shtator 2015, deputeti Armando Prenga u përfshi në një konflikt të armatosur pranë komisariatit të Policisë në Laç me përfaqësues të familjes Çali dhe shkak ishte shfrytëzimi për peshkim i Lagunës.
 
Me këtë vendim të Apelit, i cili është i formës së prerë, kjo lagunë rikthehet në përdorim të shtetit deri në momentin që do të shpallet një procedurë e re dhenie me qira për peshkatarët të cilët plotësojnë kushtet.

Pas kësaj ngjarje, deputeti Prenga u shoqërua në polici, ndërsa Gjykata e Lartë e la atë në "arrest me burg". Po kjo gjykatë ndryshoi masën e sigurisë ndaj Prengës më 20 shkurt 2016, duke e lënë atë në "arrest shtëpie". Masa ndaj Prengës është në fuqi edhe sot. 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com