Modeli i ri i ofrimit të shërbimeve publike, i cili prej 11 muajsh po aplikohet në zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Tiranë, shumë shpejt do të shpërndahet në të gjithë vendin.

Në muajin nëntor do të hapet në Kavajë një qendër me një ndalesë, ku qytetarët do të mund të marrin shërbimet e disa institucioneve në një godinë të vetme dhe brenda 6-mujorit të parë të vitit të ardhshëm do të hapen edhe 3 qendra të tjera të këtij lloji në Fier, Krujë dhe Gjirokastër.

Lajmi është bërë i ditur nga Ministrja Për Inovacionin dhe Administratën Publilke, Milena Harito gjatë prezantimit të planit për shtrirjen e Qendrës së ofrimit të Shërbimeve Publike – ADISA, në territor.

Në aktivitetin ku merrnin pjesë kryetarë bashkish, drejtues të agjencive shtetërore si ALUIZNI, ZRPP, AKP etj, përfaqësuesit e Bankës Botërore dhe PNUD, është prezantuar studimi i kryer nga konsorciumi EY dhe IDRA shpk. Në këtë studim janë parashikuar me detaje të gjitha fazat e këtij projekti madhor, i cili parashikohet të përfundojë në vitin 2020.

Ne fjalën e saj Ministja Harito është shprehur: “Deri tani e kemi zbatuar këtë ndarje të sporteleve vetëm në Zyrën e pasurive të të paluajtshme në Tiranë. Gjatë muajve që vijnë do të zbatohet së pari në Kavajë, pastaj në Krujë dhe në Gjirokastër dhe ndryshimi është që këtë herë nuk do të merren vetëm shërbimet e një institucioni, por do të përfshihen aty një sërë institucionesh. Për këtë arsye i kemi quajtur qendra me një ndalesë. Qytetarët do të shkojnë në një vend dhe do të marrin një grup shërbimesh. Ky grup shërbimesh sigurisht që do të zgjerohet gradualisht”.

Studimi i kryer nga ekspertë të huaj është fokusuar në nevojën e ofrimit të shërbimeve për qytetarin në afate kohore sa më të shkurtëra, me një cilësi shërbimi sa më të lartë dhe ç’ështe më kryesorja, duke mos u kërkuar qytetarëve që të paraqesin dokumente që vetë shteti i lëshon.

Redaksia Online
XH.K/shqiptarja.com