Qeveria prezantoi programin ‘Rilindja Urbane 2.0’, një paketë e re ndërhyrjesh për zhvillimin e territorit dhe transformimin e qyteteve. Ministri i Pushtetit Vendor, Ervin Demo tha se programi mbështetet mbi 11 objektiva strategjikë, me fokus tek infrastruktura, turizmi, mjedisi dhe transporti urban.

Demo theksoi se një nga prioritetet do të jetë forcimi i identitetit lokal përmes ndërtimit të muzeve dhe promovimit të trashëgimisë kulturore.

“Janë 11 objektiva strategjikë do përshihen në këtë program të ri, duke filluar me forcimin e identitetit lokal që do fokusohet në ndërtimin e muzeve lokalë, duke marrë në konsideratë zhvillimin e turizmit, por edhe për të forcuar identitetin lokal”, theksoi Demo.

Një tjetër pikë e programit ‘Rilindja 2.0’ lidhet me ndërtimin e parkimeve publike në 12 bashki të vendit. Ministri bëri të ditur se projekti parashikon 160 mijë metra katrorë sipërfaqe me potencial për 15 mijë vende parkimi, kryesisht në qytetet me fluks të lartë urban dhe turistik.

“Përmirësimi i funksioneve dhe aksesit në zonat urbane. Po fokusohemi në ndërtimin e parkimeve për të krijuar akses të qëndrueshëm, 160 mijë metër katrorë sipërfaqe në 12 bashki, kanë potencial në 15 mijë poste parkimi. Jemi fokusuar në bashkitë që kanë jo thjesht intensitet urban të theksuar, por edhe flukse turistik të konsideruar”, vijoi Demo.

Në fokus do të jetë edhe rigjenerimi i ish-zonave industriale. Sipas Demos, fabrikat dhe asetet e braktisura do t’i rikthehen komunitetit për ambiente sportive, rekreative dhe mbështetje për startup-et e reja.

“Objektivi i tretë është rigjenerimi i ish-hapësirave industriale në asete për komunitetin, janë ish-fabrika që janë privatizuar ose janë pjesërisht të privatizuara, ose janë në pronësi shtet. Janë potenciale që duhet ti rikthehen komunitetit. Në fokus do të jenë shërbime parësore që i vijnë në ndihmë komunitetit, me ambiente sportive apo zona rekreative, duke parë me imtësi edhe zhvillimin lokal të ekonomisë, duke u orientuar drejt start up-eve të reja që mund të përdorin këto asete”, u shpreh ministri.

Programi parashikon gjithashtu investime në infrastrukturën publike, apo nxitjen e inovacionit për tu dhënë mundësi të rinjve për tu përfshirë në zhvillimin ekonomik lokal.

“Rritja e standardit të infrastrukturës publike duke harmonizuar arkitekturën lokale me atë çfarë qytetet ofrojnë dhe duke krijuar potencial të ri zhvillimi për zona të caktuara. Fokusohemi tek objekte publike që kanë të bëjnë me sistemin parauniversitar. Duke punuar me arkitektë vendas dhe të huaj që do tu vijnë në ndihmë bashkive me projekte që sjellin vlerë të shtuar. Nxitja e inovacionit, për tu dhënë mundësi të rinjve për tu përfshirë në zhvillimin ekonomik lokal. Është e domosdoshme të krijojmë hartë dinamike sa i përket start up”, tha Demo.

Një nga pikat kryesore është edhe transporti urban publik. Qeveria synon të pilotojë autobusët elektrikë në disa bashki, ndërsa projekti i parë pritet të nisë brenda tremujorit të fundit të vitit.

“Përmirësimi i mjedisit urban përmes mbulimit të plotë për menaxhimin e territorit. Po punojmë me bashkitë për sa i përket mbulimit 100% të territorit, por duke plotësuar standardet që do jenë detyruese si rrjedhojë e integrimit në be, duke nisur me riciklimin por jo vetëm”, vijoi Demo.

Një nga pikat kryesore është edhe transporti urban publik. Qeveria synon të pilotojë autobusët elektrikë në disa bashki, ndërsa projekti i parë pritet të nisë brenda tremujorit të fundit të vitit.

“Jemi duke trajtuar bashkitë që do jenë model e kësaj nisme. Transporti do jetë i bazuar në autobusë elektrikë, bashkia e parë që do të pilotohet do jetë brenda 3 mujorit të fundit të këtij viti. Qeveria do ju vijë në ndihmë bashkive për të kaluar barrierën e parë, sa i përket investimit për të krijuar kapacitetet për të ofruar këtë shërbim në standardet e duhura”, vijoi Demo.

Sa i përket mjedisit urban, ministri deklaroi se po punohet për mbulimin 100% të territorit me shërbime menaxhimi dhe riciklimi të mbetjeve, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.

Programi “Rilindja Urbane 2.0” parashikon edhe krijimin e 140 hapësirave të reja rekreative, forcimin e kapaciteteve të bashkive për mirëmbajtjen e aseteve publike dhe zhvillimin e konceptit “Smart City” për menaxhimin inteligjent të qyteteve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:33
Paketa e Maleve Ervin Demo u përgjigjet akuzave: S'ka tjetërsim pronash, synimi është zhvillimi rural

Këtë të enjte, pas mbledhjes së qeverisë, për gazetarët ka folur edhe Ministri i Shtetit dhe Pushtetit Vendor, Ervin Demo.

Demo është pyetur nga gazetarët për disa deklarata lidhur me Paketën e Maleve, mbi të cilat janë hedhur akuza nga deputetja demokrate Ina Zhupa, se sipas saj kjo paketë po përdoret për tjetërsimin e pronave. 

Por, ministri i hodhi poshtë akuzat duke thënë se Paketa e Maleve ka si qëllim zhvillimin ekonomik lokal dhe nuk përfshihen prona që janë në pronësi individuale.

Ministri shtoi se përfituesit nga kjo paketë janë të përcaktuar qartë në ligj dhe përfshijnë personat që kanë përdorur një pronë për më shumë se 10 vite, si edhe ata që kanë lidhje historike pronësie me tokën përmes paraardhësve të tyre.

Pyetje: Zoti ministër, do të ndalesha te kjo e fundit, tek Paketa e Maleve, pasi ka pasur një akuzë së fundmi nga deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa lidhur me strategjinë apo Paketën e Maleve në Sarandë, pasi sipas saj Saranda është qytet bregdetar dhe nuk mund të gjejë përdorim Paketa e Maleve apo kjo strategji, pasi edhe në këtë rast po përdoret, sipas saj, për tjetërsimin dhe privatizimin e tokave shtetërore, pra grabitjen e tyre nga ana e klientëve të qeverisë.

Demo: Në fakt kam dëgjuar akuza të ndryshme, duke filluar që nga tjetërsimi i pronave e të tjera me radhë. Unë do doja të nënvizoja përsëri faktin: Paketa e Maleve është një mundësi përsa i përket zhvillimit ekonomik lokal, sidomos atij rural. Nuk bëhet fjalë për zonat urbane. Në të njëjtën kohë është e rëndësishme të kuptohet se nuk përfshihen në asnjë rast prona të cilat janë në pronësi private individuale; kjo përjashton këtë lloj rreziku.

Dhe aq më tepër që dy kategoritë të cilat mund të përfitojnë nëpërmjet Paketës së Maleve janë të përkufizuara saktësisht edhe në ligjin për këtë iniciativë, që ka të bëjë me kategoritë e atyre që kanë përdorur një pronë për më shumë se 10 vjet, apo ata që kanë një marrëdhënie me pronën historike të pronësisë, edhe me paraardhësit e tyre.

Prandaj unë besoj shumë që sidomos roli që bashkitë luajnë në territor duhet të kuptohet se ky është një proces dhe një mjet, në fakt, zhvillimi që i është dhënë bashkive për ta përdorur. Jam i bindur që bashkë do të ndjekin të gjitha hapat për të garantuar që ne të kemi rastet e trajtuara ashtu siç ligji parashikon dhe mbi të gjitha për të garantuar zhvillimin ekonomik rural. Faleminderit.