Prezantohet raporti për Shqipërinë në Parlamentin Europian: Progres në reformën në drejtësi, SPAK ecuri në rritje

Prezantohet raporti për Shqipërinë në Parlamentin Europian: Progres në reformën në drejtësi, SPAK ecuri në rritje

Andreas Schieder

Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Evropian diskutoi më 18 mars progres-raportin për Shqipërinë i hartuar nga Andreas Schieder, raportuesi i PE-së për Shqipërinë. 

Schieder vuri në dukje se vendi po përparon në rrugën e tij drejt BE-së, gjë që u reflektua nga fakti se grupkapitujt 1 dhe 6 u hapën vitin e kaluar, por se shumë sfida duhej të adresoheshin ende për të arritur objektivin ambicioz, por realist, për të qenë gati për në BE në 2030.

Sipas Schieder, Shqipëria ka bërë një progres të rëndësishëm në shtetin e së drejtës dhe demokracinë, por ka sfida kryesore që vazhdojnë, duke përfshirë: polarizimin e brendshëm politik, reformat kundër korrupsionit, reformën zgjedhore, pavarësinë e medias dhe mbrojtjen e mjedisit.

“Kemi disa mesazhe kyçe në skenë. Një prej tyre është progresi i shpejtë i fundit i hapjes së Grup-kapitujve Themelore në tetor 2024 dhe Grup-kapitullit të Marrëdhënieve me Jashtë në dhjetor 2024 dhe plani i Shqipërisë për të hapur më tej kapituj në vijim gjatë vitit”,- u shpreh fillimisht Schieder.

Ai shtoi se Shqipëria është një partner i besueshëm i politikës së jashtme, por megjithatë ka edhe sfida që vazhdojnë.

“Kapërcimi i një polarizimi të brendshëm politik, duhet të forcohet shteti i së drejtës dhe gjithashtu konsolidimin e reformave kundër korrupsionit. Për reformat zgjedhore, duhet të adresohen dhe zbatohen gjithashtu rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe gjithashtu duhet bërë më shumë progres për pavarësinë e medias”,- vijoi eurodeputeti austriak.

“Progres i mirë është bërë në zbatimin e Reformës në Drejtësi, duke përfshirë procesin e Vettingut dhe ecurinë në rritje të SPAK-ut”,- theksoi Schieder.

Draft-raporti përshëndet fillimisht progresin që ka arritur Shqipëria në zbatimin e reformave në drejtësi, përfshirë procesin e vetingut, të përfunduar në shkallë të parë.

Megjithatë, dokumenti shpreh shqetësimin për “ndërhyrjet e vazhdueshme politike” dhe “presionin mbi sistemin gjyqësor”. Vihen në dukje sfidat në lidhje me cilësinë dhe efikasitetin e sistemit të drejtësisë, duke përfshirë numrin e lartë të vendeve të lira gjyqësore, stafin e pamjaftueshëm të gjykatave, cilësinë e trajnimit fillestar dhe të vazhdueshëm gjyqësor. Dokumenti i vlerësimit vëren se alokimet buxhetore janë të pamjaftueshme, veçanërisht për komponentin e gjykatës.

Draft-raporti vuri në dukje po ashtu nevojën për të krijuar një zyrë të fortë rikuperimi të pasurive dhe për të përmirësuar verifikimin, hetimin, ndjekjen penale dhe dënimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, duke përfshirë konfiskimin përfundimtar të aseteve kriminale.

Drejt mbylljes së pikës për “Shtetin e së Drejtës”, dokumenti vë në dukje emërimin e prokurorëve shtesë në Prokurorinë Speciale si dhe ngritjen e një njësie të hetimit financiar.

Edhe Grupi i Socialistëve dhe Demokratëve në Parlamentin Evropian shkroi në rrjetet sociale se ”Shqipëria po përparon mirë në rrugën e saj drejt BE-së, tregon raporti i këtij viti mbi gatishmërinë e vendit për anëtarësim në BE”. Eurodeputetët kanë vlerësuar reformat sidomos në drejtësi dhe punën e SPAK në ndëshkimin e korrupsionit politik.

Një pjesë e eurodeputetëve vunë në dukje se Shqipëria ende përballet me një sërë sfidash, si tejkalimi i polarizimit të brendshëm politik, ndërkohë që kërkuan forcimin e dialogut politik konstruktiv dhe gjithëpërfshirës.

Ata këmbëngulën në nevojën për të adresuar dhe zbatuar rekomandimet e pazgjidhura nga OSBE/ODIHR dhe Komisioni i Venecias. Sakaq zgjedhjet parlamentare të 11 Majit konsiderohen si gur prove në arritjen e standardeve të kërkuara nga Brukseli.

K.M/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 21 Mars, 10:09

    Sa e dëshironi integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian?



×

Lajmi i fundit

Gjirokastër/ Zjarr në një pallat, evakuuohen banorët, shkak një shkëndijë elektrike

Gjirokastër/ Zjarr në një pallat, evakuuohen banorët, shkak një shkëndijë elektrike