'Princi i Gjullurdisë', një histori që përsëritet

'Princi i Gjullurdisë', një histori që përsëritet

Sali Berisha

“...Kur Shqipëria është bërë lëmsh e lëmë, një njeri del nga mazgallat e saj dhe i futet në histori. Ai ngjitet në të përpjetën e karrierës me një frymë rrufeje, nëse mund të ketë karrierë brenda një vorbulle. Brenda 6 muajsh ai, njeriu me xhurdi e me brekushe, vesh kapotën e gjeneralit. Pas pak del si komandant i përgjithshëm. Për të thonë se e kanë kapur xhindet, thonë se është i marrë, ndërsa dikush e karakterizon si Princ i Gjullurdisë.

Udhëheqës intrasigjent në një vend pa rrugë, peng i fatit të tij të shënuar nga lart, ky është Haxhi Qamili, më i famshmi, më i shquari dhe, pa dyshim, më i madhi analfabet i Shqipërisë në vitet 1914-1915...”

Kështu nis rrëfimi i ngjarjeve në novelën “Princ i Gjullurdisë” të autorit beratas Simon Vrusho.

Po të heqësh emrin e Haxhi Qamilit në fragmentin e mësipërm, do të shohësh se në këto 100 e ca vjet shtet shqiptarë, nuk kanë qenë të paktë të marrët dhe të çoroditurit, të cilët i kanë rënë këtij vendi kryq e tërthorë, duke bërë rrëmujë, duke manipuluar, duke bërë marrëzi e prapësi, duke u shfaqur si shpëtimtarë dhe atdhetarë, si baballarë të kombit dhe si të përzgjedhur, si të përndritur dhe si të pagabueshëm.

Më shumë se sa me një emër konkret, kemi të bëjmë me një fenomen, “cikli i të cilit patjetër do të përsëritet...të paktën edhe për 100 vjet, sepse këtu, më shumë se sa shkure, harlisen përralla aziatike dhe bizantine”.

Që në titull na jepet një kontrast i fortë. “Gjullurdia”, si zhurmë e madhe, potere, nuk mund të qëndrojë e pranëvënë me fjalën “Princ”. Vet fjala e zgjedhur shërben si çelës për të shprehur mendjen tonë të rrëmujshme. Nëntitulli, “Letrat e Haxhi Qamilit”, na tregon se ngjarja do të tregohet nëpërmjet letrave.

Koha letrare, për të cilën flitet në vepër, është Shqipëria e viteve 1914-1915, kurse koha historike, në të cilën është shkruar, është 27 dhjetor 1997-mars 1998.

Janë dy periudhat e mbrapshta në të cilat ka kaluar vendi.

Mos, vallë, autori bën aluzion dhe heq paralele mes të dyja?

Nuk përjashtohet si mundësi, por personalisht besoj se një vepër që të jetojë duhet të përfshijë një shumësi leximesh dhe interpretimesh.

Autori i “Princit të Gjullurdisë” na merr prej dore, na shtron rrugën dhe na drejton për tek bëmat e protagonistit të tij, ku, nëpërmjet 30 letrave, një prologu të shkruar nga Edmond Konn (1915), një tjetër anonim i përzgjedhur nga autori anonim i veprës, një epilogu, që shërben si amanet i Haxhi Qamilit, po pa i shkuar ngjarjeve deri në detaj, na portretizohet një figurë donkishoteske dhe qesharake, i cili, ndonëse me disa nota drejtësie brenda vetes, dëmi që shkakton nëpërmjet rrugës së gabuar që ndjek, është shumë më i madh se sa dobia.

Kemi të dhëna konkrete, personazhe, data dhe ndodhi të njohura në histori, mirëpo autori i tyre, duke qenë njohës mjaft i mirë i letërsisë, ka zgjedhur të luajë deri në fund, sepse një tekst është padyshim rezultat i një strategjie të caktuar, të zgjedhur nga vet autori, dhe lexuesi duhet të jetë i aftë për të bashkëpunuar në aktualizimin dhe kuptimin e tekstit, ashtu si autori e ka menduar.

Ai krijon një botë fantastike, të cilën e merr shumë seriozisht, duke e ndarë atë qartë nga realiteti.

Siç thoshte Frojdi, “nga bota artistike joreale dalin pasoja shumë të rëndësishme për teknikën artistike, sepse shumë gjëra që si objekte reale nuk do të na jepnin kënaqësi, në kuadrin e lojës së fantazisë për dëgjuesin dhe shikuesin e krijuesin bëhen burime kënaqësie, megjithëse në fakt janë ngacmime munduese”.

Stili konician, rrëfimi lakonik, ironia therrëse, humori i zi, na tregojnë se kemi të bëjmë me një shkrimtar me shije të holla.

“Princi i Gjullurdisë” është vepra më e mirë e shkruar nga Simon Vrusho.

Nëse botuesi nuk do ta kishte vendosur me shkronja të vogla në kopertinën përmbyllëse të botimit të dytë se emri Endri Vajella është pseudonim i Simon Vrushos, do të kishte rrezik që ne të mos e merrnim vesh kurrë të vërtetën.

Ndonëse i fshehur pas anonimatit, Simoni kishte vizionin dhe aftësinë për të na treguar se armiku ynë kryesor është injoranca dhe fanatizmi, se marrëzia nuk ka një kohë dhe një vend të caktuar.

Ajo jeton brenda nesh dhe mund të shfaqet në çdo moment.

Unë e imagjinoj se si mund të ndihej sot nëse do të ishte gjallë Simon Vrusho dhe të shihte se si personazhet e tij kanë nisur sërish të enden lart e poshtë nëpër Shqipëri, këtë radhë me damkën e të “mallkuarit” mbi shpinë, duke rrezikuar të përsërisin vetveten, veçse këtë herë tragjedia ia ka lënë vendin komedisë, duke përhapur marrëzi dhe duke u mbështetur nga “dum babsat” e rinj.

M.Q./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë