TIRANË-Ish-Prokurori i Përgjithshëm Adriatik Llalla do të shkojë në burg. Vendimi përfundimtar, i formës së prerë dhe i zbatueshëm, është marrë sot nga Apeli i Gjykatës së Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit.

Kur reforma në drejtësi në Shqipëri u votua me 140 vota në Kuvend, në mendjet e gjithsekujt ishte pikërisht realizimi i një sistemi drejtësie që do të çonte në qeli 'të paprekshmit' e Tiranës, ose siç është thënë shpesh edhe nga amerikanët 'peshqit e mëdhenj'.

Dhe me vendimin e sotëm Apeli i GJKKO bëri pikërisht këtë duke lënë në fuqi vendimin për dënimin me 2 vite burg për ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla, i cili bëhet kështu zyrtari më i lartë shqiptar që do të shkojë përfundimisht në qeli. Ish-Kryeprokurori është dënuar gjithashtu me 5 vite përjashtim nga postet publike si dhe ia janë konfiskuar disa pasuri.

Report Tv mëson se Llalla prej një jave është larguar jashtë vendit për t'u mjekuar në një klinikë private. Nëse nuk paraqitet pas lënies në fuqi të vendimit, ndaj ish kryeprokurorit mund të shpallet mandat arresti e urdhër kërkimi ndërkombëtar. Sipas informacioneve të Report Tv Adriatik Llalla ndodhet në Itali. Tashmë pas vendimit të formës së prerë të GJKKO pritet zbatimi i urdhrit të ekzekutimit. Sipas ligjit për ekzekutimin e vendimeve penale fillimisht duhet që prokurorët të marrin vendimin e Gjykatës dhe më pas të njoftojnë të dënuarin për ekzekutim vullnetar.

Sipas nenit 24 të ligjit për ekzekutimin e vendimeve penale, njoftimi i dorëzohet të dënuarit personalisht dhe, kur kjo nuk është e mundur, familjarëve të tij. Kur kjo mënyrë njoftimi nuk është e mundur, njoftimi bëhet nëpërmjet strukturave vendore të Policisë së Shtetit ku i dënuari ka vendbanimin. Afati i paraqitjes vullnetare në institucionet e caktuara për vuajtjen e dënimit nuk mund të jetë më vonë se 7 ditë nga dita e njoftimit.

Avokati i ish-kryeprokurorit, Sokol Hazizaj tha se vendimi është kopje e shkallës së parë, që nuk është i bazuar në prova. 

“Jemi me gjykim të padrejtë. Di që Llalla është në spital, kaq di. Unë jam avokati i tij dhe jam këtu, para jush. Gjykata, edhe e Shkallës së Parë, edhe e Apelit, ka bërë copy paste të gjitha veprimet procedurale, asgjë tjetër. Do t’i ndjekim të gjitha hallkat, deri në Gjykatën e Lartë. Nuk e di ku ndodhet Llalla, nuk kam komunikim sa i përket anës shëndetësore të ish-kryeprokurorit, kam komunikim vetëm për anën procedurale. Unë isha në Gjykatën e Apelit dhe shtrova të gjitha pretendimet, sa i përket mbrojtjes, më tej është Avokati i Shtetit që merret me ekzekutimet e vendimeve”, tha avokati.

Gjykata ka thënë se Llalla ka shkelur besimin e publikut te sistemi i drejtësisë. Llalla u zgjodh Prokuror i Përgjithshëm në vitin 2012 dhe e mbajti këtë post deri në nëntor 2017, kur i mbaroi mandati 5-vjeçar. Viti i fundit i mandatit te tij u karakterizua nga përplasje te forta me Shtetet e Bashkuara te Amerikës për reformën ne drejtësi. Në vitin 2017 ambasadori amerikan i asaj kohe Donald Lu e akuzoi publikisht Adriatik Llallën se prej 18 muajsh ka folur kundër reformës ne drejtësi. Si asnjëherë me pare Prokuroria e Përgjithshme iu kundërpërgjigj diplomatit amerikan duke e akuzuar se po ushtronte shantazh.

Adriatik Llalla paraqiti dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë duke i shpëtuar vettingut, por 3 vite më vonë DASH  e shpalli 'non grata' pasi ishte përfshirjes në korrupsion.

Një muaj më vonë, nis hetimi ndaj Llallës që u regjistrua fillimisht nga Prokuroria e Durrësit më 15 mars 2018 nën akuzat e fshehjes së pasurisë, shpërdorimit të detyrës dhe pastrimit të parave. Ai u hetua edhe për veprën penale të “mosdeklarimit të shumave monetare në kufi”.

Më pas, dosja u dërgua në ish-Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe në korrik 2018, gjykata respektive vendosi sekuestron e pronave të ish-Prokurorit të Përgjithshëm,  një apartament 67 metra katrorë në Durrës dhe katër parcela toke me sipërfaqe të përgjithshme prej rreth 22 mijë metrash katrorë në periferi të Tiranës.

Megjithatë, akuzat u rrudhën dhe SPAK njoftoi të më 9 mars përfundimin e hetimeve vetëm për veprën penale “refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të kryer tri herë.

Vendimi i Apelit të GJKKO

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:44
VIDEO/Adriatik Llalla dënohet me 2 vite burg, vjen 'reagimi' i parë nga familja! Vajza e tij u ngre gishtin e mesit gazetarëve

Adriatik Llalla u dënua sot me vendim të formës së prerë me 2 vite burg dhe 5 vite përjashtim nga funksionet publike nga Apeli i Gjykatës së Posaçme kundër korrupsionit.  Burime për Report Tv bëjnë të ditur se vetë Llalla nuk ndodhet në Shqipëri, ndërsa pas vendimit shumë gazetarë janë shfaqur para derës së shtëpisë së tij. Kjo ka acaruar familjarët e tij, ku vajza e tij teksa dilte nga makina e saj së bashku me fëmijët u ka ngritur gazetarëve gishtin e mesit, si për t'i treguar që ta lënë të qetë.

Ndërkohë që SPAK ka ngarkuar Policinë e Shtetit të ekzekutojë vendimin e dhënë sot me burg për Llallën.

Ora 17:59
Dënimi i Llallës me burg, Yuri Kim: Gjë e mirë që drejtësia po punon kundër zyrtarëve të korruptuar! Askush nuk është mbi ligjin

Drejtësia po punon kundër zyrtarëve të korruptuar. Kështu e ka komentuar ambasadorja e SHBA në Tiranë Yuri Kim dënimin e ish kryeprokurorit Adriatik Llalla me 2 vite burg. Askush nuk është mbi ligjin, shkruan Kim, e cila inkurajon prokurorët të vazhdojnë të ndërmarrin veprime kundër zyrtarëve të cilët keqpërdorin pozitën e tyre për t’u pasuruar.

“Është mirë të shihet drejtësia e vënë kundër zyrtarëve të korruptuar. Prokurorët duhet të vazhdojnë të ndërmarrin veprime kundër zyrtarëve, pa marrë parasysh sa të lartë apo të fuqishëm,  të cilët keqpërdorin pozitën e tyre për t’u pasuruar. Askush nuk është mbi ligjin,” ka shkruar Kim.

Ish-Prokurori i Përgjithshëm, u dënua me 2 vite burg për fshehje dhe mosdeklarim të pasurisë. Gjykata e Posaçme e Apelit ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, që përfshin edhe 5 vite heqje të së drejtës për të ushtruar funksione publike si dhe konfiskim të pasurisë. 

Në vitin 2017 ambasadori amerikan i asaj kohe Donald Lu e akuzoi publikisht Adriatik Llallën se prej 18 muajsh ka folur kundër reformës ne drejtësi. Llalla paraqiti dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë duke i shpëtuar vettingut, por 3 vite më vonë DASH  e shpalli 'Non Grata' si të përfshirë në korrupsion.

 

Ora 17:51
Dënimi me 2 vite burg për Adriatik Llallë, SPAK: Të ekzekutohet vendimi

Pas vendimit të formës së prerë me 2 vite burg nga Apeli i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit  për ish Kryeprokurorin Adriatik Lalla, SPAK ka kërkuar ekzekutimin e këtij vendimi.

"Bazuar në faktin se vendimi i mësipërm i Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar është i formës së prerë, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ditën e sotme, me datë 22.09.2021 ka nxjerrë urdhrin për ekzekutimin e këtij vendimi penal, duke ngarkuar Policinë e Shtetit për ekzekutimin e tij", thuhet në njoftimin e SPAK.

Report Tv mëson se Llalla prej një jave është larguar jashtë vendit për t'u mjekuar në një klinikë private dhe nëse ai nuk paraqitet pas lënies në fuqi të vendimit, ndaj ish kryeprokurorit mund të shpallet mandat arresti e urdhër kërkimi ndërkombëtar. 

SPAK gjithashtu vendosi edhe konfiskimin e disa prej pasurive të Llallës që do të kalojnë në favor të shtetit shqiptar.

Pasuritë e paluajtshme të sekuestruara ku përfshihen:

Pasuria e paluajtshme apartament, me sipërfaqe 67.2 m2, e ndodhur në Durrës.

Pasuritë e paluajtshme të llojit tokë arë, 4 (katër) pasuri, me sipërfaqe gjithsejt 22.300 m2 të ndodhura në Tiranë.