Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa ka paralajmëruar dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të draftin për ndryshime në ligjin “Për portet turistike”, me nismëtare deputeten e PS Zamira Sinaj. Zhupa thotë se ky projektligj që po kalohet sot me shpejtësi në komisionet parlamentare për tu votuar këtë të enjte të Kuvend, nuk ka asnjë qëllim tjetër veçse favorizimin e ‘Investitorëve Strategjikë’.

Në projektligjin e ri propozohet që të gjithë ato biznesmenë që kanë statusin ‘Investitor Strategjik’ të mos i nënshtrohen procedurave të tenderimit publik. Një praktikë, kjo do të thotë se ndërtuesi i një resorti (investim privat) do të marrë automatikisht të drejtën për të ndërtuar dhe operuar portin. Përmes koncensionit, privati e ndërton me paratë e veta, por pas disa vitesh investimi, në këtë rast porti, i kthehet shtetit. Me këtë ndryshim ligjor, porti turistik do i mbetet si pronë, përjetësisht privatit.

Ndër të tjera Zhupa thotë se ligji për investimet strategjike e humbet veprimin në fund të vitit 2026 duke ngritur pikëpyetje mbi nevojën që shpreh qeveria për ndërhyrjen në ligjin për portet duke shtuar se kjo cenon parimin e sigurisë juridike, krijon trajtim preferencial, kufizon aksesin e operatorëve të tjerë ekonomikë dhe cenon barazinë e mundësive në treg.

Deklarata e plotë e deputetes Ina Zhupa

Sot, në tre komisione, do të shqyrtohet me shpejtësi projektligji i porteve, me urdhër për ta kaluar në seancën e së enjtes.

Aktualisht, legjislacioni për portet turistike përcakton që ndërtimi i tyre realizohet përmes procedurave koncesionare. Megjithatë, ndryshimi i propozuar synon të lejojë që subjektet që gëzojnë statusin e “Investitorit Strategjik” të mos jenë të detyruara t’i nënshtrohen këtij procesi.

Sipas draftit, në rast se një kompani ka marrë statusin e “Investitorit Strategjik” nga Komiteti i Investimeve Strategjike (KIS), dhe ndërtimi i portit është pjesë e projektit të saj, ajo përjashtohet nga detyrimi për konkurrim të hapur. Në praktikë, kjo nënkupton që zhvilluesi i një resorti privat përfiton automatikisht të drejtën për të ndërtuar dhe menaxhuar edhe portin përkatës.

Në skemën e koncesionit, investimi kryhet nga sektori privat, por pas një periudhe të caktuar, objekti i ndërtuar i rikthehet shtetit. Ndërkohë, me ndryshimet e reja ligjore, porti turistik mbetet pronë e përhershme e investitorit privat.

Edhe pse këto porte konsiderohen si pasuri me interes publik, projektligji parashikon që procedurat dhe kriteret për lidhjen e kontratave me investitorët strategjikë do të përcaktohen përmes vendimeve të Këshillit të Ministrave. Kjo, praktikisht, e zhvendos procesin nga një garë e hapur në një marrëveshje direkte mes qeverisë dhe subjektit privat.

Kjo situatë ngre shqetësime lidhur me mungesën e konkurrencës dhe transparencës, si dhe hap debat mbi përfitimin afatgjatë: a është më i favorshëm për shtetin apo për sektorin privat?

Ligji që duan të kalojnë me shpejtësi është antikushtetues. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë sanksionon parimin e shtetit të së drejtës, i cili kërkon:

stabilitet dhe koherencë normative;

transparencë në vendimmarrje;

kufizim të diskrecionit administrativ;

mbrojtje të interesit publik në administrimin e pronës shtetërore.

Kujtoj që ligji për investimet strategjike mbaron më 31 dhjetor 2026. Si qenka e nevojshme kjo ndërhyrje për 6 muaj që i kanë ngelur ligjit?! Ndryshimi i një ligji sektorial me karakter të përhershëm për t’iu përshtatur një skeme të përkohshme për investime strategjike cenon parimin e sigurisë juridike dhe krijon paqartësi në rendin normativ.

Kushtetuta garanton barazinë para ligjit dhe ndalon trajtimin e diferencuar pa justifikim objektiv dhe proporcional.

Përjashtimi i një kategorie subjektesh (investitorët strategjikë) nga detyrimi për procedurë konkurruese:

krijon trajtim preferencial;

kufizon aksesin e operatorëve të tjerë ekonomikë;

cenon barazinë e mundësive në treg.

Procedura konkurruese nuk është formalitet administrativ, por mekanizëm kushtetues që garanton mbrojtjen e interesit publik dhe përdorimin optimal të pasurisë shtetërore.

Portet, edhe kur klasifikohen si turistike, përbëjnë infrastrukturë kritike kombëtare, e lidhur drejtpërdrejt me sovranitetin territorial, sigurinë detare, kontrollin kufitar, zhvillimin ekonomik dhe menaxhimin e hapësirës bregdetare. Ato janë pjesë e pasurisë publike me regjim të posaçëm juridik dhe, si të tilla, administrimi i tyre duhet të udhëhiqet nga parimi i interesit publik maksimal dhe jo nga përjashtime sipas gjykimeve preferenciale të kryeministrit. Si mund një investitor privat të ketë përjetë një port?!

Republika e Shqipërisë ka detyrim kushtetues të harmonizojë legjislacionin me të drejtën e Bashkimit Evropian.

Standardet evropiane në fushën e:

prokurimit publik,

koncesioneve,

ndihmës shtetërore,

konkurrencës së lirë

kërkojnë transparencë, mosdiskriminim dhe procedura të hapura.

Nga sa më sipër rezulton se projektligji:

cenon parimin e barazisë para ligjit;

paralizon konkurrencën e lirë pa justifikim proporcional;

shkatërron mekanizmat e transparencës dhe llogaridhënies;

dhuron pronën publike, si portet, te një privat përjetësisht;

bie ndesh me parimin e sigurisë juridike;

krijon mospërputhje me angazhimet evropiane të Republikës së Shqipërisë.

Për këto arsye, Partia Demokratike do ta çojë në Gjykatën Kushtetuese, do të informojë Bashkimin Evropian dhe do ta ndjekë këtë çështje në vazhdimësi.