Problemet dhe qasjet teknike
nuk i japin zgjidhje Kosovës

Problemet dhe qasjet teknike <br />nuk i japin zgjidhje Kosovës
Intervistë me kryetarin e Komisionit të Integrimit të Kuvendit të Kosovës, zotin Lutfi Haziri. Eksluzive për Shqiptarja.com nga Harillaq Kekezi, Studiues i Instituti të Sociologjisë, në Tiranë.

Zoti Lutfi, Ju keni dalë me propozimin për një ripërcaktim të kufirit midis Kosovës dhe Serbisë. Lidhja Demokrtike e Kosovës, anëtar i udhëheqjes të së cilës jeni, nuk e ka mbështetur pikëpamjen tuaj, ndërsa vetë vazhdoni t’i përmbaheni kësaj qasjeje. Cilat janë argumentet , që ju ndihmojne në këtë drejtim?

Propozimi im me cilësinë e deputetit të Kuvëndit të Kosovës ka të bëjë me ndryshimin e parimit të vendosjes së kufijve të Kosovës të vitit 1974 dhe të vitit 1956. Ky referim i jep qasje zgjidhjes së problemit të serbëve në veri të Kosovës dhe të shqiptarëve në lindje të saj. Më konkretisht, ky ka të bëjë me mbi 100.000 shqiptarë, që jetojnë në Preshevë, Bujanoc dhe pjesërisht në zonën malore të Melvegjës, që kap malet e Gollakut, si edhe me serbët në Veri, që janë të fokusuar kryesisht në vendbanimet malore të Leposaviçit e në disa fshatra të Zubin Patokut. Këtu nuk hyn në asnjë mënyrë Mitrovica urbane, që përfshin Zeçanin, pjesën e Boletinit, të Zhazhës dhe Bistricës, sepse janë vendbanime tipike shqiptare, që historikisht kanë qënë të Mitrovicës. dhe si të tilla duhet të mbeten.

Kufiri i vjetër i Kosovës tashmë i njohur kalon përgjatë korridorit 10, që shkon gjer në Selanik, e me shumicë të madhe vendbanimesh shqiptare, si Presheva, Bujanoci dhe Melvegja. Hekurudha e ndërtuar nga francezët është ndarja natyrore masive, ndarja gjeografike mes shqiptarëve të Kosovës dhe serbëve të Sërbisë. Vargmalet e Karadakut dhe të Gollakut po ashtu janë pjesë e territorit të Kosovës. Tri të katërtat e kufirit të Kosovës janë me territorin serb, ndërsa pjesa tjetër është me terrutorin e Maqedonisë, Shqipërisë dhe Malit të Zi.

Nëse tre vjet pas pavarësisë kufijtë e vitit 1974 nuk funksionojnë as për shqiptarët dhe as për serbët, atëherë përmes një dialogu paqësor të ripërcaktohen kufijtë jo me ndërrime territoresh, shkëmbim banorësh apo kadastralesh, por ashtu siç kanë qenë me banimet e veta të rikthehen në qendrat e tyre përkatëse. Presheva ka qënë gjithmonë me Kosovën, qendër ka pasë Kosovën, por pastaj me një referendum të manipuluar në kohën e Titos u bë një ndërrim demografik i Kosovës. Fshatrat tona kaluan në administrim të Vranjës, kurse në anën tjetër serbët janë futur nën administrimin e Mitrovices. Në të njëjtën kohë ka filluar zbatimi i marrëveshjes së dikurshme turko-serbe. Debimi me dhunë e presion i shqiptarëve të Kosovës dhe futja e serbëve në vendbanimet shqiptare e ndërruan demografinë, duke e balancuar popullatën mes shqiptarëve e serbëve. Në sajë të lindshmërisë së lartë shqiptarët prapë u bënë dominues dhe popullata serbe u kthye në pakicë.

Ju e keni parasysh se Serbia pretendon që kufiri shkon deri tek ura e lumit Ibër?
Po, Serbia pretendon se sovraniteti i saj shtrihet gjer ne kufirin natyror të lumit Ibër dhe gjer në Moravën e Bincës në Anamoravë. Po pretendimi për këto dy pika territoriale është i papranueshëm, sepse ai ka qënë kufiri i imponuar nga boshti famëkeq i Luftës së Dytë Boterore. Mitrovica e Kosovës gjithmonë në të gjitha proceset ka qënë territorialisht pjesë e Kosovës, siç ka qëne Zveçani dhe pjesa malore e fshatrave Boletin, Zhazhë e Bistricë në anën tjeter. Ndërkaq, Leposaviçi e disa fshatra gjithmonë kanë qënë të mbizotëruara nga serbë dhe të administruara nga qendra më e afert - Kraleva, vendbanimi më i madh serb.

Grupi i Kontaktit ndër parimet, që ka përcaktuar për pavarësinë e Kosovës, i ka kushtuar vëmëndje mosndryshimit të kufijve. A nuk bie ndesh propozimi juaj me këtë parim?
Parimi i Grupit të Kontaktit i përcaktuar në takimin e Londrës të vitit 2005 për mosndryshimin e kufijve ka qënë në përputhje me parimet e Konferencës së Dejtonit dhe e ka ndihmuar Kosovën në këtë rast, sepse nuk u njohën rezultatet e luftës, kur Sërbia me pastrim etnik ka dominuar territore, ka marrë territore të reja. Ajo u detyrua të kthehej në kufijtë e vjetër. Me fjalë të tjera, është mënjanuar prirja për të njohur zaptimin e territoreve dhe spastrimet etnike. Për Kosovën do të ishte fatale nëse do të njihej kjo, sepse jo vetëm që do të vinte puna deri tek ndarja, por edhe deri te rishikimi i plotë i gjëndjes. Ne e kemi respektuar, ndërmjetësi ndërkombetar po ashtu e ka respektuar këtë parim në kuadrin e shpërbërjes së ish- RFSJ. Në takimet e Vjenës është ruajtur parimi i kufijve të vitit 1974.

Tani po flasim për nje proces postkonfliktual, për një proces dialogimi, që zgjidh problemet, sepse edhe Presheva, Bujanoci e Medvegja vazhdojnë të jenë problem per Serbinë, sikurse Leposaviçi e Zubin Patoku mbeten problem për Kosovën. Eshtë e natyrshme që të zgjidhet ky problem, i cili nuk cënon kurgjë.

Propozimi im ka të bëjë me rregullimin e kufijve mbi parimin e vitit 1956, i cili eliminon ndarjen e Kosovës, eliminon ndarjen e jashtme territoriale të Kosovës, kur prirja e tanishme e Sërbisë është defunksionalizimi i shtetit të Kosovës.

A leni besim se do të keni mbështetje të gjerë për këtë propozim?
Unë kam deklaruar se propozimi im është individual, nuk kam dashur që partitë të hyjnë për momentin në këto kërkesa. Të shohim solidaritetin ndaj këtij propozimi, natyrisht të grupeve politike, por kryesisht edhe të qytetarëve. Sa shihet, qytetarët po e mbështesin. Pjesa më e madhe janë solidarë për shkak të qasjes pragmatike të zgjidhjes së këtij problemi dhe të moslënies jashtë kujdesit të Kosovës të fatit të banorëve në këto zona. Eshtë momenti më i mirë që të zgjidhet ky problem, të mbyllet procesi jashtëzakonisht i vështirë me Serbinë dhe të krijohet mundësia e fillimit të normalizimit të marrëdhënieve me të. Procesi i pajtimit midis shqiptarëve dhe serbëve mbyllet kështu me ridefinimin e kufijve pa lënë probleme të hapura.

Ju mendoni se Sërbia do të ishte dakord të hynte në bisedime mbi bazen e variantit, që përfytëroni ju?
Fatkeqësisht në qëndrimin zyrtar të Sërbisë Lugina e Preshevës është çështje e mbyllur. Përderisa në Veri vazhdon të sjellë kërkesa të reja, nuk mund me thanë që është e mbyllur cështja e të drejtave politike dhe civile e njerëzve të atyshëm, kërkesa e tyre me jetue me Kosovën, vetëm se Sërbia po dëgjohet kështu.

Gjersa Marrëveshja e Konculit e nënshkruar nëmes të përfaqësuesve të UWPBM, përfaqësuesve politikë të institucioneve apo partive politike dhe faktorit ndërkombëtar nuk ka gjetur zbatim të plotë, gjersa gjëndja e shqiptarëve aty nuk ka ndryshuar, madje një grup të rinjsh janë dënuar në mënyrë skandaloze me burgime, që shkojnë së bashku mbi 200 vjet dënim për vepra, që gjoja janë kryer në Kosovë, kur gjykatave të kësaj do t'i binte në fakt të merreshin me gjykimin e tyre, të gjitha këto dëshmojnë se Sërbia nuk ka qasje kontruktive për zgjidhjen e problemeve atje. Në këto rrethana nuk mund të guxojmë të sakrifikojmë atë pjesë të shqiptarëve për hir të parimeve tashmë të tejkaluara.

Propozimi im nuk e prek territorin e Maqedonisë së soçme, ajo mbetet e paprekshme, kufijtë e saj jane të pranuar ndërkombëtarisht. Propozimi im prek raportet me Sërbinë dhe kufirin me Sërbinë. Kështu frika e ndryshimit të kufijve nuk duhet t'i kapë as këtu e as aty, sepse kufijtë nëmes Kosovës dhe Sërbisë nuk janë ende të ratifikuara, as nuk ja në të njohur, as ka proces demarkacioni në perspektivë.

Si shpjegohet që si Prishtina zyrtare edhe Tirana zyrtare e kanë lënë disi në heshtje çështjen e Luginës së Preshevës dhe s'e kanë ngritur në asnjë forum apo takim ndërkombëtar?
Eshtë fakt se si rezultat i procesit të integrimit shqiptarët do të bashkohen, sepse gjeografikisht dhe territorialisht ata janë kompaktë. Unë e kuptoj se politikanët tregohen të durueshëm, gjersa historia i jep drejtim pozitiv kompaktësisë së faktorit shqiptar në Ballkan. Ajo, që duhet të kuptojmë, është se Brukseli nuk pranon anëtarësim pa zgjidhjen e problemeve me fqinjët, pa zgjidhjen e problemeve etnike, pa normalizimin e marrëdhënieve dhe vendosjen e bashkëpunimit ndërfqinjësor per eliminimin e problemeve që ekzistojnë.

Duke e ditur se Evropa nuk pranon shtete „të sëmura” për shkak të këtyre problemeve, duke e ditur se Ballkani është regjion me probleme jashtëzakonisht serioze, atëhere ne duhet të merremi me këto probleme, sepse rruga për në BE do të jetë e gjatë dhe e vështirë. Kushti, që i ka vënë Merkeli Sërbisë se pa normalizuar marrëdhëniet me Kosovën nuk do të ketë rrugë të hapur për në BE dhe kushti, që i vihet Kosovës se pa zgjidhur problemin e Veriu nuk mund të ecet përpara, tregojnë qartë se po rrëshqasim drejt kushtëzimeve te reja. Kosova tregohet jo e drejtë me Preshevën dhe Buhanocin. Konventa ndërkombëtare për pakicat kombëtare i jep të drejtë shtetit amë me u marre me zgjidhjen e problemeve të tyre. Shtet amë për ta është Kosova jo vetëm thjesht për arësye historike e gjeografike, por për shkak se e tillë ështe e vërteta, njësoj sic është shtet amë për krejt shqipgtarët Shqipëria. Në këtë rast i bie Kosovës me e përfaqësue drejt interesin e tyre dhe me qenë opsionale.

Dihet se opsioni i parë i Sërbisë është ndarja e brendshme e Kosovës, duke i dhënë autonominë territoriale e politike serbëve në Veri. Opsioni i dytë është vetë ndarja e territorit deri ne Ibër, që është nje opsion i rrezikshëm. Opsioni i tretë është defunksionalizimi i plotë i Republikës së Kosovës, duke i njohur një bashkim të mundshëm me Shqipërinë. Krejt këto tregojnë se në këtë situatë, nëse dëshirojmë me i dhanë zgjidhje pozitive, nuk humbim. Ne humbim, nëse vazhdojmë të jemi peng të kushteve dhe kritereve.

Mendoj se ka ardhur koha që në Tiranë dhe Prishtinë me u ba më pragmatikë dhe me i dhanë mundësi tavolinës së bisedimeve jo për dialogje tenike, që nuk funksionojnë, sepse në radhë të parë me Sërbinë kemi probleme politike, madje me ndjeshmeri të madhe. Kemi problemin e të pagjeturve, probleme të dhimbshme dhe plagë të luftës. Atëhere, të fillojmë nga ridefinimi i kufijve dhe pastaj të hyjmë në temat e tjera, që duhet t'i zgjidhim.

Propozimi im është opsional dhe unë besoj në këtë propozim, të cilin duhet me e shtye deri në fund. Duhet të zhvillojmë bisedime dhe të gjejmë rrugë alternative për me e zbatue edhe më mirë Pakon e Ahtisarit dhe aq më tepër me mbrojtë të drejtat e shqiptarëve të Luginës së Preshevës, që vazhdojnë të jetojnë nën një autoritet shtetëror, që nuk e njohin ose e njohin në mënyrë indirekte, por nuk e ndjejnë se janë pjesë e tij.

A ka mundur Qeveria e Kosovës prej 25 korrikut të përballojë krizen nëpërmjet veprimeve institucionale?
Ana pozitive e këtij veprimi politik ishte aktivizimi i mekanizmave represivë të shtetit për të vendosur sundimin e ligjit. Policia e Kosovës si institucion i shtetit ka marrë për detyrë të vendosë rregullin, rendin dhe me pengue apo me dalë përballë krimit të organizuar, korrupsionit
dhe kontrabandës, që fatkeqësisht aty kanë vazhdue prej 11 vitesh. Në këtë mënyre është realizue jo vetën efekti politik, por edhe interesi i Kosovës. Ne ç'kuptim?
Arritja për vendosjen e kontrollit të plotë në kufi në bashkëpunim me NATO-n ka ndalë cdo lloj kontrabandë dhe kalim ilegal të mallrave. Reciprociteti ekonomik ka tregue qartë se Kosova mund të sillet si shtet dhe mund të marrë masa për interesin e vet.

Ana negative e këtij projekti është se nuk u arrit që të çohet deri në fund interesi i Kosovës përsa i përket mbrojtjes së vendit në kuptimin e veprimit institucional, që përfshin arrestimin e kriminelëve të njohur për shtetin, për policinë, e që prej 11 vitesh kanë shantazuar dhe vazhdojnë të shantazhojnë. Tash ata janë organizatorë të barrikadave, financues të njerëzve gjer edhe të femijve e grave, që rrinë si barrikada të gjalla. Kjo për mua është më e rrezikshmja, sepse barrikada me rërë dhe drurë nund te hiqen lehtë, por barrikadat me njerëz janë shumë të ndieshme.

Duhet të tregohemi shumë të kujdesshem që ata njerëz t'i kthehen normalitetit e normalitetit ata mund t'i kthehen, nëqoftëse organizatorët e financuesit të largohen prej Kosovës dhe të shkojnë aty, ku e kanë vendin. Ose Sërbia duhet të merret me ta, ose ne duhet t'i çojmë përpara ligjit. Mirepo kjo nuk po ndodh.

Tjetër e mirë e veprimit të Qeverisë është theksimi i unitetit me BE dhe shpresojmë shumë që koordinimi midis Qeverisë dhe BE të jetë në veçanti më funnksional, sepse ai i ka munguar më 25 korrik.

Kjo mund të thuhet edhe për çështjen e menexhimit të integruar të kufirit?
Menexhimi i integruar i kufijvesipas legjislsacionit dhe strategjise së miratuar është pjesë e standarteve të BE dhe vlen për të gjitha shtetet, që aspirojnë integrimin evropian. Menexhimi i përbashkët i kufijve është i papranueshëm si ide dhe mendoj se ka vdekë që ditën, që ësahtë plasue, sepse qendra politike nga ka ardhë u zbulua shpejt. Ka qenë Presidenti Tadic, i cili ka dalë nëpërmjet ndërmjetësit ndërkombëtar Kuper për me afrue këtë proces.

Për mua dialogu teknik është humbje kohe. Përvoja jone, nëqoftëse duam të jemi pragmatikë e pozitivë ne cdolloj bisedimesh me Sërbinë, ka treguar se ka dështuar cdo iniciativë për t'i dhënë mundesinë normalizimit të marrëdhenieve. Historia e marrëdhënieve me të që nga Marrëveshja e Rambujesë dëshmon se ajo nuk zbaton asnjë marrëveshje, as Rezoluten 1244, as Pakon e Ahtisarit, as Protokollin për kthimin e refugjatëve, dhe të zhvendosurve, as Marrëveshjen për të zhdukurit. Ajo s'ka për me respektue as marreveshjet për telekomunikacion a për diplomat, me fjale të tjera kurrgja, sepse qasja e Sërbisë është e njohur historikisht. Ajo vepron për të blerë kohë, për të shtyrë proceset, që i interesojnë asaj.

Interesi i Sërbisë është që Kosova të mbetet problem i ngrimë dhe i hapur deri në një proces integrimi në BE dhe mandej me u sjellë se de facto Kosova është pjesë e Sërbisë, ndërsa në Bruksel Kosova nuk është pjesë e Sërbisë. Kjo qasje dualiste me prirjen që faktori ndërkombëtar të lexojë se ekzistojne dy Kosova-nje e Sërbisë dhe një e shqiptarëve, nuk mund të tolerohet.

Serbia nuk është duke treguar frymë bashkëpunimi dhe dialogu i tanishëm i duhet asaj për ta çuar Kosovën në dialog politik për serbët ne Veri. Ajo nuk flet më për serbët ne jug, nuk flet për serbët në Graçanicë, nuk flet për kishat ortodokse. Ajo është e fokusueme të fitojë territor. Asaj nuk i interesojnë qytetarët serbë të Kosovës, asaj po i intereson territori i Kosovës. Në fazën e parë kërkon të hedhe në dorë në çfarëdo formë 17% të territorit të Kosovës, sepse aq përbën veriu i saj me 60.000 banorë. Pas fazës së parë, ajo do të ngrëjë problemin e kishave, të trashëgimisë kulturore, historike dhe fetare. Ky është plani B, që synon zbatimin e parimit të eksterritorialitetit në Kosovë, krijimin e korridoreve territoriale, lidhjen nëmes të sërbëve, gjë që e sakaton Kosovën në kuptimin institucional.

Duke i ditur të gjitha këto zhvillime, është mirë që pa vendosë parime të shëndosha nuk mund të ketë dialog politik me Sërbinë. Problemet teknike dhe qasjet teknike nuk i japin zgjidhje Kosovës.

Në kuadrin e përpjekjeve që bën Beogradi për zhvlerësimin e pavarësisë së Kosovës shfaqet edhe veprimtaria e Rusisë. Si do ta komentonit ju gatishmerinë e fundit të saj për t'i dhënë nënshtetësinë ruse serbëve të veriut?
Në cdo pjesë të vendit ka zhvillime kontradiktore, ka njerëz, që kërkojnë nënshtetësi ruse, të tjerë, që kërkojnë nënshtetësi serbe, ka edhe njerëz, që kërkojnë nënshtetësi të Kosovës.

E vërteta është se midis Federatës Ruse dhe Republikës së Sërbisë ekziston një marrëveshje e vecantë në kuadrin e bashkëpunimit ushtarak dhe baza ushtarake afër Nishit natyrisht është në funksion të këtyre tensioneve. Meqë shqiptarët jane proamerikanë dhe amerikanët janë ata, që kanë ndihmuar BE, tash serbët për inat të shqiptarëve kërkojnë derë tjetër, prandaj po degjojmë për nje iniciativë të çuditshme, veç duhet të kujtojmë se Federata Ruse në rastin e Kosovës ka qënë gjithmonë aktive në Grupin e Kontaktit dhe jo për pak vite.

Po ashtu ruaj të drejtën të them se Federata Ruse deri në shpalljen e Deklaratës së koordinuar për pavarësinë e Kosovës ka qënë e interesuar për zgjidhjen e problemeve të saj, ka votuar rekomandimet e Grupit të Kontaktit dhe në kohën e bisedimeve në Vjenë mund të them me qasje pozitive. Ridefinimi i qëndrimit të Federatës Ruse ka ndodhur pas takimit të Zotit Putin si president i atëhershëm me Presidentin Tadic në Sant-Peterburg. Në politikën e jashtme të Rusise pati ndryshime dhe kjo u reflektua me veton e saj në Këshillin e Sigurimit. Pasojat e këtij vendimi janë të pranishme. Ajo vazhdon të mbështesë politikën e jashtme të Sërbisë.

  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor,  OSBE: Shpresojmë që të respektohen kuotat gjinore

Ndryshimet në Kodin Zgjedhor, OSBE: Shpresojmë që të respektohen kuotat gjinore