BRUKSEL- Grupi i punës për Zgjerimin, COELA i ka dhënë dritën jeshile IBAR-it, raporti i Vlerësimit të Pikave të Ndërmjetme për progresin e deritanishëm të Shqipërisë në procesin e integrimit europian. 27 vendet anëtare të Bashkimit Europian kanë rënë dakord për një draft të përbashkët, i cili pritet të kalojë nesër në COREPER, mbledhja e ambasadorëve të vendeve anëtare të BE-së. Drafti i përbashkët u miratua pas gati 3 muajsh diskutimesh dhe negociatash mes Këshillit dhe Komisionit Evropian, i cili kishte dhënë për Shqipërinë një vlerësim pozitiv.

Ishte Taulant Balla, kreu i grupit të PS që njoftoi fillimisht nga oborri i Kuvendit, se Shqipëria më në fund, kaloi një prej fazave më të rëndësishme në procesin e integrimit, IBAR, piketat e ndërmjetme. 

“Jemi në përmbyllje të një jave brenda së cilës BE, në respekt të procedurave burokratike, kalon nga grupi i punës te Komiteti i Përfaqësuesve nesër, ku në njëfarë mënyre miratohet gjithë ajo punë kolosale e bërë nga shumë institucione shtetërore të përfshira në këtë proces të adresimit të piketave të ndërmjetme”, tha Balla.

Miratimi i Pozicionit të Përbashkët në COELA konfirmohet për Report Tv edhe nga burime brenda Këshillit të BE.

"Në të vërtetë, një marrëveshje u arrit më herët këtë mëngjes. Dosja tani do t’u kalojë ambasadorëve të BE-së (COREPER) për miratim nesër pasdite", i tha një burim Report Tv.

Pas kalimit në COREPER, hapi i radhës do të jetë Konferenca Ndërqeveritare Shqipëri-BE, që do të mbahet më 26 maj në orën 19:30, ku Shqipëria do të përfaqësohet nga kryeministri Edi Rama. Kjo konsiderohet një nga fazat më të rëndësishme të procesit të negociatave, e cila i hap rrugë avancimit të mëtejshëm të Shqipërisë në mbylljen e kapitujve.

Disa ditë më parë në një përgjigje për Report tv, Këshilli i Bashkimit Evropian dha sinjalet e para se 27 vendet e bllokut kanë bërë përparim të mirë në diskutimet për ecurinë e Shqipërisë në negociatat për anëtarësim dhe se kishte optimizëm të matur se së shpejti do të arrihej konsensusi.

Diskutimet në grupin e punës COELA për një draft të përbashkët mbi ecurinë e Shqipërisë nisën në fillim të marsit, pasi KE i dorëzoi vendeve anëtare IBAR-in, i cili përfshin fusha delikate si sundimi i Ligjit e drejtësia. Për Komisionin e Europian Shqipëria i kishte përmbushur detyrimet.

Në draftin e dakordësuar që ka pësuar vazhdimisht ndryshime, 27 vendet kanë përcaktuar piketat e reja për fazën përmbyllëse të procesit të bisedimeve, duke i hapur rrugë procesit të mbylljes së negociatave për të gjithë kapitujt.

Që nga muaji mars, kur u zhvillua dhe mbledhja e parë e Coela-s për Shqipërinë, ka patur disa takime të tilla mes vendeve anëtare dhe Komisionit Europian. Një proces i cili zgjoi në Shqipëri dilema dhe hamendësime, sidomos nga opozita, për ngecje apo deri dhe ngrirje të procesit të anëtarësimit, kryesisht lidhur me refuzimin e SPAK për arrestimin e ish-numrit 2 të qeverisë, Belinda Balluku. Por për Report Tv, Këshilli shpjegoi se diskutimet ishin në ritmin e tyre normal dhe se koha e marrë ishte plotësisht e nevojshme për diskutime të kësaj natyre.

Shqipëria hapi në një kohë rekord të gjithë grupkapitujt e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin europian dhe miratimi i IBAR-it ishte pengesa e fundit për t’u kapërcyer, në mënyrë që procesi i negociatave të hyjë në fazën e mbylljes së grupkapitujve.

 

P.J/A.M/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 19 Maj, 10:36

    Sylvinho e mbyll me Kombëtaren, si e vlerësoni punën e trajnerit brazilian?