Garantimi i të drejtave të njeriut në sistemin e drejtësisë, rritja e aksesit të qytetarit në drejtësi dhe eficenca e sistemit, për ministrit e Drejtësisë Toni Gogu janë kushtet pa të cilat vendi nuk mund të jetë anëtar i Bashkimit Evropian. Në një dalje për mediat, Gogu tha se ka shenja të mira për ulje të dosjeve të prapambetura në gjykata. Ministri garantoi se amnisti penale do të ketë, edhe pse miratimi i saj është shtyrë për shkak të vëmendjes së përqendruar te negociatat me BE-në.

***

Për qeverinë shqiptare dosjet e mbetura stok në gjykata shqiptare, i quajtur ndryshe edhe si backlog, është shqetësimi kryesor në lidhje me sistemin e drejtësisë. Në një dalje për media ministri i Drejtësisë Toni Gogu tha se sinjale pozitive ka dhe për këtë mori si shembull Gjykatën e Lartë.

“137 mijë e 101 çështje që Ministria e Drejtësisë ka si statistikë. po vërehet një trend zbritës. Kemi një model suksesi që është Gjykata e Lartë që ka bërë një zbritje të lavdërueshme, në 5 vite 60%. Qasja atje ka qenë e gjithanshme, me njerëz më shumë e ndryshime ligjore”, tha Gogu.

Që fenomeni shumë shqetësues ‘drejtësia e vonuar është drejtësia e munguar’ të marrë fund, Gogu garantoi se ekzekutivi do të jetë aty për të marrë masa.

“Mezi po presim nga Këshilli i Lartë Gjyqësor që me udhërrëfyesit e tyre të mund të bëjmë pjesën tonë. Po ulen vakancat, numri i këshilltarëve ligjorë po rritet në të gjitha nivelet e gjykatave. Dhe hapësirat janë shtuara”, tha Gogu.

Ministri nuk u përjashtoi një rishikim të hartës së re gjyqësore, teksa ligji detyron rishqyrtimin fillimin e vitit të ardhshëm.

“Të shohim pasi kjo hartë që ne kemi sot të ketë në dispozicion të gjithë elementët, numrin e gjyqtarëve, numrin e sallave, sistemin e menaxhimit të proceseve gjyqësore e kështu me radhe”, tha Gogu.

Në uljen e çështjeve në dorë të gjykatave, do të ndihmonte edhe amnistia penale, por qindra të burgosur dhe mijëra qytetarë në hetim do të duhet të presin, pasi për momentin prioritet është integrimi evropian. Gogu garantoi se miratimi do të ndodhë brenda sesionit parlamentar.

“Amnistia është në parlament. Pasi të kemi marrë vlerësimin për ‘Themeloret’, do të fillojmë të merremi me amnistinë, me vëmendjen që i takon. Në ditët në vijim, besoj që do të fillojë diskutimi në parlament”, tha Gogu.

Në Ministrinë e Drejtësisë e kanë gati edhe një strategji kundër krimit, e cila po diskutohet edhe me prokurorin e përgjithshëm dhe kreun e SPAK.

“Prioritetet janë hetimi financiar i grupeve të strukturuara teksa vazhdon procesi penal. Ndërkohë që një prioritet tjetër është mbrojtja e gazetarëve, në lidhje me paditë SLAPP, nga ana tjetër edhe siguria rrugore”, tha Gogu.

Pyetjes në lidhje me kushtet në burgje, pasi Avokati i Popullit ka kërkuar mbylljen e 5 prej tyre, Gogu iu përgjigj se Burgu i Shënkollit po shndërrohet pas rikontruksionit, ndërsa në vëmendje janë edhe të tjerët.

Pas raportit të Avokatit të Popullit që kërkonte mbylljen e 5 burgjeve për mosplotësim të kushteve, ministri tha se burgu i Shënkollit në Lezhë do të rehabilitohet.

Shumë shpejt do të kemi rezultate konkrete që institucioni në Shënkoll të plotësojë standardet”, tha Gogu.

Ndërmjetësimi është një prej mjeteve që do të nxitet për të zgjidhur çështjet jashtë dyerve të gjykatave. Gjithashtu, do të ketë rritje të kategorisë përfituese të ndihmës juridike falas ku tashmë do të përfshihen personat me aftësi të kufizuara, viktimat e dhunës në familje, të diskriminuarit dhe azilkërkuesit.

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:13
Ecuria e Shqipërisë në procesin e integrimit, Gogu: Kemi koordinuar mbi 70 institucione

1779187289_tonigogu.jpg

Ministri Gogu theksoi se sistemi i drejtësisë ka hyrë tashmë në “fazën e performancës”, ku qytetarët presin jo vetëm institucione të pavarura, por rezultate konkrete në jetën e tyre të përditshme.

“Pas një dekade ndërtimi institucional, drejtësia duhet të ndihet nga qytetari: te vendimi i arsyetuar në kohë, te aksesi në ndihmë juridike, te kontrata e ekzekutuar dhe te shteti që funksionon njësoj për të gjithë”, u shpreh Gogu.

Ministri prezantoi tre objektivat strategjike të mandatit të tij:

  • forcimin e të drejtave të njeriut dhe garancive proceduriale;
  • rritjen e aksesit në drejtësi;
  • dhe rritjen e eficiencës së sistemit të drejtësisë.

Në fokus të konferencës ishte edhe ecuria e Shqipërisë në Kapitullin 23 për integrimin europian. Ministri bëri të ditur se Ministria e Drejtësisë ka koordinuar mbi 70 institucione dhe mbi 190 ekspertë, duke dorëzuar mbi 8,000 faqe dokumentacion pranë Komisionit Europian.

Ora 12:51
‘I ashpër’, Toni Gogu u adresohet kritikave për Kodin e ri Penal: Presim versionin përfundimtar! Do të konsultohemi me ekspertët ndërkombëtarë

 

Ministria e Drejtësisë është në pritje të draftit të Kodit të ri Penal për ta konsultuar më pas me ekspertët ndërkombëtarë. Në këtë Kod, parashikohet trajtimi i krimit ekonomik, pastrimit të parave, proporcionalitetit dhe mbrojtjes së të drejtave të njeriut.

“Në proces kemi disa ligje të rëndësishme që u shërbejnë objektivave strategjike siç është Kodi Penal, jemi në fund të tij, presim nga grupi i punës të marrim draftin dhe ta konsultojmë me ekspertët ndërkombëtarë. Kodi Penal do të siguronte që krimi ekonomik të ketë vëmendjen e duhur, pastrimi i parave, proporcionaliteti penal dhe mbrojtja e të drejtave të njeriut”, tha Gogu.

I pyetur për komentet se Kodi i ri është shumë i ashpër, ministri u shpreh se duhet parë si përkon versioni përfundimtar me realitetin.

“Duhet të shikojmë versionin përfundimtar dhe mbi të të shikojmë nëse është Kodi Penal që i përgjigjet realitetit tonë shtetëror, juridik e me radhë”, tha ai.

Ora 12:45
Refuzimi i gjykatave për transmetimin live të seancave, Gogu: Besoj te pavarësia e vendimmarrjes dhe profesionalizmin e gjyqtarëve

 

Edhe pse të pandehurit, mes tyre Ilir Meta, Erion Veliaj apo Ilir Beqaj kanë kërkuar transmetimin live të seancave gjyqësore, vetë gjykatat kanë refuzuar duke lejuar kamerat vetëm për pak minuta. Lidhur me çështjen, ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, tha se s’ka kërkuar sqarime për këtë duke besuar te vendimmarrja e pavarur e institucioneve të drejtësisë dhe gjykimit të gjyqtarit.

“Nuk kam kërkuar sqarim sepse besoj që vendimmarrja e gjykatës është tërësisht e pavarur dhe besoj në maturitetin dhe profesionalizmin e çdo gjyqtari shqiptar për të garantuar drejtpeshimin e parimit të një seance publike që parashikohet në kodet tona të procedurës dhe sigurisë së procesit që duhet drejtpeshuar dhe këtë e bën vetëm gjyqtari. Mund të ketë mendime, por nuk mund të komentoj. Çmon gjyqtari gjithmonë si drejtpeshon transparenca dhe siguria e një procesi duke siguruar që palët mos të humbasin dhe mos t’u mohohet asnjë e drejtë brenda procesit. Është tjetër gjë kur flasim për transmetim direkt dhe tjetër për prani të gazetarëve brenda saj”, tha Gogu.

Ora 12:33
Aministia Penale, Gogu: Do të ndodhë patjetër! Do të nisim pas vlerësimit të ‘Themeloreve’

 

Amnistia Penale është në pritje të vlerësimit nga Komisioni Europian dhe menjëherë më pas, do të nisë diskutimi i saj në parlament, tha ministri Gogu duke siguruar se “do të ndodhë, patjetër.”

“Është një instrument i politikës sonë penale që u dizenjua për të adresuar disa problematika, në radhë të parë fuqizimin e të drejtave të njeriut dhe kjo ka të bëjë me situatën që kemi me popullimin në burgje. Do të ndodhë, patjetër. Jemi treguar shumë të kujdesshëm që në të gjithë procesin që kemi të avancimit të vendit drejt anëtarësimit, t’i shqyrtojmë prioritetet sipas rëndësisë. Amnistia është në parlament. Pasi të kemi marrë vlerësimin për ‘Themeloret’, do të fillojmë të merremi me amnistinë, me vëmendjen që i takon. Në ditët në vijim, besoj që do të fillojë diskutimi në parlament”, tha Gogu.

Janë rreth 12 mijë ata që presin të përfitojnë nga miratimi i amnistisë, disa qindra të burgosur që presin lirim, rreth 1000 që presin ulje dënimi, mijëra që presin të lirohen nga shërbimi i plorës apo edhe miraja të tjerë që u shuhet ndjekja penale.

Ora 12:27
Mbipopullimi i burgut të Shënkollit në Lezhë, Gogu: Do të përmirësojmë kushtet, së shpejti me rezultate konkrete

 

Mbipopullimi i burgut të Shënkollit ku ndodhen edhe të dënuar që vuajnë nga shëndeti mendor do të adresohet nga Ministria e Drejtësisë me përmirësimin e kushteve. Lajmin e dha ministri Toni Gogu gjatë konferencës me gazetarët.

“Jemi në mes të punës për përmirësimin e ndjeshëm të kushteve në Shënkoll, Lezhë ku janë persona me trajtim të detyrueshëm mjekësor, që vuajnë nga shëndeti mendor sepse është e patolerueshme. Ne s’mund të vazhdojmë ta ofrojmë atë shërbim siç kemi bërë deri tani. Jemi në diskutime të avancuara që atë shërbim ta ofrojë Ministria e Shëndetësisë dhe sigurinë Ministria e Drejtësisë. Të dënuarit që vuajnë nga shëndeti mendor janë në vëmendjen tonë. Jemi duke punuar. Shumë shpejt do të kemi rezultate konkrete që institucioni në Shënkoll të plotësojë standardet”, tha Gogu.

Sot, Avokati i Popullit rekomandoi mbylljen e 5 burgjeve: Burrel, Kosovë-Lushnjë, Kukës “Mine Peza” (302) dhe “Jordan Misja” (313), pasi sipas tij, nuk plotësojnë kushtet.

P.J/A.M/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Sondazhi i ditës: 19 Maj, 10:36

    Sylvinho e mbyll me Kombëtaren, si e vlerësoni punën e trajnerit brazilian?