Gjykata e Posaçme pranoi kërkesën e Ilir BeqajSPAK të dokumentojë me shkrim akuzën që e përfshin edhe në grup kriminal, të cilën deri më tani ish-ministri i shëndetësisë e ka dëgjuar vetëm në deklarata në çështjen ndaj tij për sterilizimin.

Akuza e “vjedhjes duke shpërdoruar detyrën”, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, u artikulua për herë të parë nga SPAK me sugjerim të gjykatës, gjatë seancës paraprake.

Në gjykatë, Beqaj lexoi  nenet e Kushtetutës, konventës e Kodit të Procedurës Penale që sipas tij nuk janë zbatuar.

“Mua ende s’më është komunikuar akuza e re, as me shkrim, as me gojë, po të doni hapim audion e seancës. “Mesa duket qëllimi i prokurorëve është të dënohet Ilir Beqaj, s’ka rëndësi për çfarë akuze”, ka shtuar ai.

GJKKO i kërkoi prokurorëve të SPAK, t’i komunikojë akuzën të pandehurit dhe mbrojtësve të tij ligjorë dhe ta argumentojë, përse u ndryshua nga vepra e shpërdorimit të detyrës, e kryer në bashkëpunim, që ishte në fillim. GJKKO tha se qartësia e akuzës është e rëndësishme për mbrojtjen

Seanca e radhës është caktuar për datën 7 prill.

Ilir Beqaj akuzohet për koncesionin e “Sterilizimit” në shëndetësi, e cila ndodhet në fazën e gjykimit, dhe për këtë dosje, është pa masë sigurie. Disa ditë më parë, GJKKO mbylli shqyrtimin gjyqësor për 8 të pandehurit e tjerë të cilët janë në proces më vete nga ish-ministri, me gjykim të shkurtuar, dhe pritet që për ta të shpallë vendimin më 4 mars në orën 15:00.

Por ish-ministri ndodhet në qeli prej korrikut të vitit 2024, për një tjetër dosje që po hetohet, atë të SASPAC, që lidhet me fondet e BE-së