Prodhuesit shqiptarë kundër tarifës së rrugës, Shkodra: Gafa e qeverisë me marrëveshjen koncesionare

Prodhuesit shqiptarë kundër tarifës së rrugës, Shkodra: Gafa e qeverisë me marrëveshjen koncesionare

Sekretari i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve, Arben Shkodra argumenton pse është kundër pagesës së rrugës

Prodhuesit kanë dalë kundër pagesës së rrugës Durrës-Kukës, me argumentin se goditen në vlera të konsiderueshme eksportet shqiptare drejt Kosovës. Sekretari i Përgjithshëm i Bashkimit të Prodhuesve, Arben Shkodra deklaron se qeveria ka bërë gafa me marrëveshjen koncensionare në dëm të prodhuesve dhe eksportuesve shqiptarë, pasojat e të cilave do t’i ndjejë ekonomia.

Sa preken prodhuesit dhe eksportuesit shqiptarë nga taksa e rrugës së Kombit?

Së pari, më lejoni të qartësoj qëndrimin dhe pozicionin e Bashkimit të Prodhuesve Shqiptarë në këtë situatë kaotike, por edhe problematike në të njëjtën kohë. Si një organizatë, e cila është krijuar për të mbështetur prodhuesit dhe eksportuesit shqiptarë, ne kemi parë me shqetësim situatën e krijuar së fundmi, në lidhje me përplasjet e forta sociale, që ndodhen në rrugën Milot-Morinë, e cila ka sjellë një reagim të fortë, qoftë të qytetarëve, por edhe të sipërmarrjes në vend. Kjo situatë ka krijuar një pakënaqësi sociale të paevitueshme, por edhe vështirësi të shumta për sipërmarrjen prodhuese-eksportuese, sidomos ato që prekin tregun e Kosovës. Sipas nesh, kjo situatë do të mund të evitohej, nëse autoritetet shtetërore do të kishin aplikuar me kohë konsultimin publik, qoftë me qytetarët, por edhe me sipërmarrjen, e cila preket drejtëpërdrejti nga aplikimi i përcaktimeve të kontratës koncesionare.
Së dyti, konstatojmë me shqetësim një mungesë profesionalizmi në konceptimin e kontratës koncesionare, pasi përmendet vazhdimisht fjala “taksë”, ndërkohë që kjo vlerë është “tarifë”. Madje, gafa vazhdon edhe më tej, kur kësaj “takse” i shtohet edhe TVSH-ja. Kjo ka sjellë jo pak konfuzion edhe në analizën e ditëve të fundit, nëse është “taksë apo tarifë”. Siç e dimë, taksat në Republikën e Shqipërisë janë të përcaktuara qartazi në ligjin “Për Taksat Kombëtare”.
Së treti, e konsiderojmë të çuditshme sjelljen e qeverisë në lidhje me politikat e saj ekonomike, pasi në njërin krah diskutohen masat per “de-euroizimin” e tregut dhe nga ana tjetër, kjo qeveri harton, nënshkruan dhe implementon kontrata me sipërmarrës vendas në monedhën euro. Kjo sipas nesh, është çoroditëse dhe në vijim, krijon vështirësi për sipërmarrjen prodhuese-eksportuese. Më lejoni t’iu kujtoj për problematikën që vazhdon të sjellë ndryshimi i menjëhershëm i kursit të këmbimit, i cili dëmton rëndë eksportuesit shqiptarë.
Tani për t’iu kthyer pyetjes tuaj se sa preken prodhuesit-eksportuesit me Kosovën dhe rajonin, mund t’iu them, se deklaratat e ministrave të qeverisë se nuk do të ketë asnjë impakt në shkëmbimet tregtare janë krejtësisht të gabuara dhe ndoshta të papërgjegjshme.

Cilët janë sektorët që e ndjejnë më shumë?

Sipas të gjitha të dhënave tona të deritanishme, në fushën e prodhimit, sektorët më të prekur do të jenë: prodhues-eksportuesit e fruta /perimeve, tullave, çimentos, ujit në shishe. Prej më shumë se një muaji kemi marrë sinjale shqetësuese nga anëtarët tanë, sipërmarrje prodhuese-eksportuese, të cilët kishin marrë informacion në rrugë jozyrtare për vlerën që ishte përcaktuar në kontratën koncesionare për mjetet e ndryshme të transportit. Tarifa prej 45 euro për çdo udhëtim vajtje-ardhje për një eksportues, i cili transporton një mall me vlerë mbi 10.000 euro, nuk sjell ndonjë rritje domethënëse të çmimeve, me të cilat konkurrojnë produktet tona në Kosovë, ndërsa për një eksportues, i cili transporton mallra me vlerë më poshtë se kaq, ndjeshmëria rritet dhe çmimet bëhen më pak konkurruese. Nuk duhet të harrojmë se eksportuesit tanë e kanë kapur dhe dominuar tregun e Kosovës me forcat e veta dhe duke konkurruar fuqishëm me çmime dhe cilësi ndaj produkteve serbe apo maqedonase. Nuk duhet të harrojmë se përveç problemeve të shumta në procesin e prodhimit apo të barrierave në dogana, ato nuk kanë marrë asnjëherë ndonjë ndihmë domethënëse për promovim apo mbështetje nga qeveria për të kapur tregjet e huaja. Në rastin e produkteve si uji, tullat, çimento apo fruta-perimet, situata kthehet bllokuese, pasi do të ketë një rritje të kostos së produkteve nga 7-12% vetëm me aplikimin e tarifës. Kjo përkthehet me humbjen e menjëhershme të tregut të Kosovës dhe të rajonit për këtë grup produktesh. Disa nga fabrikat e prodhimit kanë impenjuar një kapacitet prodhues prej 30% të dedikuar vetëm për këtë treg dhe mbyllja e saj do të krijonte një precedent edhe në punësimin gjatë muajve në vijim, deri në zëvendësimin e këtij tregu me tregjet e tjera përtej rajonit.

A do të ketë ndikim edhe tek importet e Kosovës drejt Shqipërisë?

Në lidhje me efektin që do të sjellë në importet e Kosovës në Shqipëri, mund t’iu them se jemi në kontakt të vazhdueshëm me Klubin e Prodhuesve të Kosovës, të cilët janë mjaft të shqetësuar për këtë situatë, por edhe për efektet që do të prodhojë kjo politikë publike tashme e koncesionuar. Sipas tyre, tarifat që do të fillojnë te aplikohen sipas kontratës koncesionare, janë bllokuese për importet e tyre dhe si fillim, do të sillnin rritje të çmimeve dhe më pas, humbje të tregut shqiptar për to. Më lejoni t’iu kujtoj përpjekjet e vazhdueshme që të dy Klubet e Prodhuesve kanë bërë dhe vazhdojnë të bëjnë për krijimin e lehtësirave, qoftë fiskale, tarifore, por edhe procedurale me qëllim rritjen e shkëmbimeve tregtare midis dy vendeve dhe hartimin e një strategjie të përbashkët për t’u qasur ndryshe në Zonën Ekonomike Rajonale.

Arben Shkodra

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Optimus Prime: 04/04/2018 10:34

    Ça thua o tunxh do të kalosh në një rrugë me makinë të tonazhit të lartë ku dihet që do krijojë probleme në atë rrugë dhe në 10 mijë euro sdoni të paguani 45 euro sipas jush??? Në më pak lek si thua ti ska pse të vendosë tonazh të lartë ose fare thjeshtë ti bjerë nga rruga e gjatë.... Jeni bërë parazitë

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Jubileu 2025, Papa Françesku hap derën e shenjtë në burg

Jubileu 2025, Papa Françesku hap derën e shenjtë në burg