Program për depistimin
falas të kancerit të gjirit

Program për depistimin<br />falas të kancerit të gjirit
Fjala e Ministrit të Shëndetësisë, z. Ilir Beqaj  në konferencën kushtuar Ditës Ndërkombëtare të Depistimit të Kancerit të Gjirit: "Kanceri i gjirit mund të luftohet, mjafton ta duash".

Konferenca u organizua sot nga A1 Report, e Shqiptarja.com dhe Instituti i Shëndetit Publik në bashkëpunim me Shërbimin e Onkologjisë në Qendren Spitalore Universitare "Nënë Tereza"  në bashkëpunim me Institutin Europian të Onkologjisë në MIlano dhe nën kujdesin e Ministrisë së Shëndetësisë. Konferenca u moderua nga gazetari Carlo Bollino.



Faleminderit që më dhatë fjalën z. Bollino, dhe më lejoni të përfitoj nga rasti për t'ju përgëzuar për këtë nismë fisnike tuajën dhe të grupit mediatik të Shqiptarja.com dhe A1 Report! që ju përfaqësoni, si dhe të gjithë përkushtimin e mbështetjen tuaj të pakursyer për organizimin e një takimi kaq të rëndësishëm e gjithëpërfshirës në Ditën Botërore të Depistimit të Kancerit të Gjirit.

I nderuar zoti Kryeministër, Edi Rama,

E nderuar znj. Zineb Touimi-Benjelloun

Fort të nderuara zonja ministre,

Tё nderuara deputete e deputetë, anëtarë të Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë,

Të nderuar përfaqësues të organizatave e institucioneve ndërkombëtare partnere e mike të Shqipërisë,

Prof. Sallaku, mjeke, mjekë e profesorë të respektuar të Shërbimit të Onkologjisë në QSUT "Nënë Tereza", të Shoqatës së Onkologëve të Shqipërisë dhe Institutit të Shëndetit Publik,

Të nderuar Dr. Stefano Martella dhe Dott. Giovanna Gatti,

Kur diskutuam me grupin nismëtar, idenë e organizimit të këtij takimi për rritjen e shkallës së ndërgjegjësimit për luftën kundër kancerit të gjirit, qysh në krye të herës, nuk pata as mëdyshjen më të vogël për rëndësinë jetike që mbartte mesazhi, për të cilin, të gjithë, me një zë, dëshironim të përcillnim: Më tepër se sa një histori e dhimbjes dhe vuajtjes, kjo do të duhej të ishte një histori e dashurisë dhe pasionit për jetën, që aq hijshëm përçon edhe fjongoja rozë, simboli i kësaj përpjekjeje globale.

“Bota është një vend i rrezikshëm për të jetuar, jo për shkak të njerëzve që bëjnë gjëra të këqija, por për shkak të njerëzve që i shohin ato dhe nuk bëjnë asgjë”, do të thoshte Albert Ajnshtain, një prej mendjeve më të ndritura të njerëzimit.

Dhe është pikërisht koha që, gjithësecili prej nesh të përpiqet të shohë më qartë përmes dritëhijeve të një beteje tinzare, të cilën as nuk e kemi zgjedhur, dhe as kemi mundësinë ta zgjedhim, dhe të bëj diçka, sadopak, që pamundësia të shndërrohet në një mundësi për të rikthyer dritën e shpresës dhe optimizmin.

Përveç detyrës sime institucionale si ministër i shëndetësisë dhe përgjegjësive politike që kam marrë përsipër të përfaqësoj, besoj se kam, veçanërisht, edhe detyrimin e trefishtë si bir nëne, bashkëshort e prind vajze, që programi i ndërgjegjësimit dhe kontrollit të kancerit të gjirit të kthehet, me të vërtetë, në një histori të dashurisë dhe pasionit për jetën.

E kush më mirë se Dr. Adelina (Mazreku), si nënë dhe si mjeke, do të mund të shpjegonte kurajën dhe forcën e vullnetit që do të duhej për të përballuar ankthin, dhimbjen dhe vuajtjen që shkakton përballja me pafundësitë e së panjohurës së frikshme!

Kam qenë 21 vjeç, kur nëna ime, atëherë mësuese në një nga shkollat e mesme të qytetit, do të ftonte pikërisht Dr. Adelinën në një orë mësimi për të folur për kujdesin dhe shkallën e ndërgjegjësimit që vajzat e reja duhet të kenë për parandalimin dhe zbulimin e hershëm të kancerit të gjirit. Vetëm katër ditë më vonë pas këtij takimi fatlum, ime më, pas vetë-kontrollit dhe ekzaminimit klinik, do të diagnostikohej me kancer të gjirit dhe do t’i nënshtrohej me sukses ndërhyrjes së mastektomisë.

Diagnostikimi i hershëm kish triumfuar mbi të keqen dhe frikën. Dashuria dhe pasioni për jetën, triumfuan mbi dhimbjen dhe vuajtjen.

Të nderuar pjesëmarrës,

Kanceri është sot shkaku i dytë madhor i vdekjeve në vend (16.6%), pas sëmundjeve kardiovaskulare (50.2%), me 4,000-4,500 raste të reja të raportuara çdo vit, sipas të dhënave nga sistemi statistikor shqiptar, ndërkohë, që një vlerësim tjetër i incidencës së sëmundjeve tumorale në Shqipëri, ai i Globoscan, flet për rreth 7,000-8,000 raste/vit.

Ndërkohë, pjesa më e madhe e sëmundjeve tumorale kur zbulohen, janë në një fazë të vonë për t’u shëruar.

Por, fatmirësisht, sot ekzistojnë njohuritë për të parandaluar një të tretën e të gjithë sëmundjeve tumorale, për të shëruar një të tretën e tyre dhe për të frenuar dhimbjen dhe vuajtjen në pjesën më të madhe të tyre.

Forma kryesuese e kancerit në vendin tonë përsa i përket shpeshtësisë për femrat është kanceri i gjirit.

Por, ashtu si për sëmundjet tumorale në përgjithësi, informacioni për treguesit e shëndetit apo kujdesit shëndetësor edhe për kancerin e gjirit, lidhjet e tyre me treguesit bazë socialë, në nivel individual dhe kombëtar janë të mangëta, të pasakta, të fragmentarizuara dhe jokoherente. Për pasojë, edhe vendimmarrja realizohet në mënyrë joprofesionale.

Prandaj, një nga zotimet madhore në programin tonë qeverisës, është edhe ngritja e një sistemi unik dixhital shëndetësor, me të cilin, do të ndërlidhen të gjithë aktorët e sistemit shëndetësor, publikë dhe jopublikё, ku në qendër të sistemit do të jetë qytetari dhe dosja e tij elektronike shëndetësore.

Në këtë mënyrë, dixhitalizimi i infomacionit për shëndetin dhe kujdesin shëndetësor do të përdoret edhe për të rritur ndjeshëm transparencën në komunikimin me publikun për gjendjen e shëndetit të popullatës, për përdorimin e burimeve të disponueshme, por edhe për të filluar zbatimin e standardeve të llogaridhënies së hapur të zyrtarëve publikë dhe të ofruesve të shërbimit si dhe të vendosjes së besimit midis popullatës, ofruesve të shërbimit dhe zyrtarëve të lartë.

Sipas OBSH, katër nga 9 lloje të kancerit mund të zbulohen herët, që do të thotë se në parim janë gjithashtu të parandalueshme, por, diçka për të cilën nuk mund tё bëhet fjalë sot, ku mbi 75% e kancereve të gjirit, mitrës dhe laringut kur diagnostikohen janë në fazën e fundit, pra janë të pashërueshme (Më shumë se 75% e rasteve me kancer te gjirit, diagnostikohen në stadet e vona [stadet III dhe IV], kur trajtimi është më i vështirë, më pak i suksesshëm dhe më i kushtueshёm).

Në këtë këndvështrim, në programin tone qeverisës, kemi theksuar se do të rrisim rolin e shëndetit publik dhe programeve të parandalimit e të promocionit shëndetësor, ku veçanërisht sëmundjet tumorale, përveç atyre kardiovaskulare, kanë rritur dukshëm përhapjen dhe janë kthyer në ndikues të ndjeshëm në shkurtimin e jetëgjatësisë dhe jetës së shëndetshme.

Synimi ynë primar është zgjatja e viteve të shëndetshme të jetës së popullatës shqiptare dhe parandalimi i fataliteteve të parakohshme duke rivendosur, ruajtur dhe përmirësuar shëndetin.

Përsa i përket depistimit, ashtu sic kam patur rastin ta theksoj më se një herë, jemi zotuar që brenda vitit 2014 të fillojmë zbatimin e një programi kombëtar për kontrollin bazë periodik falas të shëndetit për popullsinë në intervalin moshor 40-60 vjeç.

Trajtimi i sёmundjeve tumorale është një sfidë. Normalizimi i furnizimit të spitaleve (QSUT) me barna citostatikё është masë afatshkurtër. Masat afatmesme kanë të bëjnë me pёrcaktimin e protokolleve kosto-efektive të trajtimit, autonomisë spitalore dhe qeverjes klinike të fuqizuar. Masë afatgjatë, është krijimi i disa qendrave të trajtimit të kancerit.

Trajtimi me radioterapi, ndonëse është përmirësuar, falë edhe asistencës së partnerëve (veçojmë IAEA-në), të cilët përfitoj nga rasti për t’i falënderuar, mbetet ende një sfidë. Synojmë hartimin dhe zbatimin e një politike të re të menaxhimit të pajisjeve mjekësore: atë të planifikimit strategjik të llojit dhe shpërndarjes e mirëmbajtjes së tyre, si dhe kualifikimit të personelit.

Do të doja, gjithashtu, të përfitoja nga rasti, dhe t’i përgjigjesha publikisht edhe shqetësimit legjitim të Suela Gerës (Letër e hapur nga Suela Gera, botuar më 16.10.2013, Shqiptarja.com - http://tinyurl.com/qzys3l3) dhe ta siguroja se, kam marrë shënim çdo vërejtje apo pakënaqsi, dhe se sfida jonë është që t’u rikthejmë qytetarëve besimin e humbur, duke qenë të bindur se, sistemi i kujdesit shëndetësor që do të jemi në gjendje të ofrojmë në fund të mandatit tonë 4-vjeçar, do të jetë shëndetësia e Shqipërisë së gjeneratës tjetër.

Duke e mbyllur fjalën time, do t’ju bëja thirrje për ta kthyer këtë ditë botërore të depistimit të kancerit të gjirit në një histori e dashurisë dhe pasionit për jetën.

“Humbja më e madhe, është mungesa e kurajos, ndërsa ilaçi më i mirë, është optimizmi,” do të thoshte Nënë Tereza.

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë