Prokurori pranë Prokurorisë për Krimet e Rënda, Anton Martini, do të dalë nesër para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, për t’u njohur me verifikimin e trefishtë, për ligjshmërinë e pasurisë, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Çështja e Martinit po shqyrtohet nga trupa gjykuese e përbërë nga Genta Tafa (Bungo), Etleda Çiftja dhe Pamela Qirko. Anton Martini është edhe kandidat për t’u bërë pjesë e Prokurorisë së Posaçme, strukturës speciale e projektuar për të luftuar krimin dhe korrupsionin në të gjitha nivelet. Nëse do të konfirmohet në detyrë nga Komisioni i Vetingut, Martini pritet të emërohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë prokuror i SPAK-ut. 

Anton Martini e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1999. Nga viti 2004 është prokuror i Krimeve të Rënda. Martini konsiderohet si prokuror i hekurt dhe i jo kompromiseve. Ai ka hetuar dhe çuar para gjykatës bandat kryesore kriminale në Shqipëri, konkretisht bandën e Lushnjes të drejtuar Aldo Bare, bandën e Cërrikut të drejtuar nga Met Bozi dhe Rolnad Xhepexhiu, bandën e Durrësit të drejtuar nga Lul Berisha si dhe bandën e drogës së Met Kananit, i dënuar në SHBA për trafik droge. Gjithashtu, Anton Martini ka hetuar edhe Arben Frrokun, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e komisarit Dritan Lamaj. Martini ka regjistruar edhe dosjen e famshme ‘339’, për Avdyljat në Shijak, nga e cila doli edhe çështje blerjes së votave. 

Anton Martini ka pasur në duart edhe dosjen e Lazaratit. Në dhjetor të 2015-ës ai kërkoi 110 vite burg për Gate Mahmuatajn dhe bandën e tij të drogës. Aktualisht, Martini ka në duar një tjetër dosje të nxehtë, atentatin ndaj prokurorit të Durrësit Arjan Ndoja, ku humbi jetën shoferi i tij si dhe u plagos i ‘forti’ i Shijakut Landi Muharremi, i quajtur më parë Pëllumb Muharremi si dhe i njohur si ‘Rrumi’. Në vitin 2015, ish-kryeprokurori Adriatik Llalla e transferoi Martinin në Shkodër nga Këshilli i Prokurorisë së kohës. Ky vendim u konsiderua nga Martini si i parregullt. Megjithatë, prokurori Martini Martini u rikthye në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në vitin 2008. Sa i takon pasurisë, Martini rezulton se ka në pronësi një apartament, blerë me kredi, ndërsa si të ardhura deklaron pagën e tij dhe të bashkëshortes.