Tiranë- Prokuroria e Tiranës konfiskon pasuritë e Alda Klosit, ish-shefe e kabinetit të ish-ministrit të Financave Arben Ahmetaj, e dënuar për fshehje të pasurisë. Bëhet fjalë për rreth 500 mijë euro cash, një apartament dhe një garazh
Gjithashtu në vendimin e konfiskimit përfshihen edhe pasuritë e bashkëshortit të saj.
Kërkesa ishte bërë nga organi i akuzës në Gjykatën e Tiranës.

Ndaj tyre ishte kryer hetimi për “refuzim të deklarimit, mosdeklarimit, fshehjes ose deklarimi i rremë i pasurive”.
Janë sekuestruar një apartament 85 metra katrorë dhe një garazh, me vendndodhje në Tiranë. Gjithashtu shuma monetare 368 mijë lekë, 15600 dollarë dhe 462 mijë euro.
“Nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar rezulton se pasuritë e paluajtshme të llojit apartament dhe garazh, që zotërohen nga ajo dhe nga personi i lidhur, janë pasuri të pajustifikuara nga të ardhurat e ligjshme. Këto pasuri të paluajtshme janë fshehur dhe nuk janë deklaruar në deklaratat e ILDKPI nga personi i hetuar A.K”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Gjykata e Apelit ka lënë më 3 Tetor 2024 në fuqi vendimin e Gjykatës së Tiranës, për Alda Klosin, pastruesen dhe djalin e kësaj të fundit. Ish-zyrtarja e ministrisë së Financave, së bashku me sanitaren Rozeta Dobi dhe djalin e saj Havier Dobi, u shpallën fajtorë 'vjedhje me pasoja të rënda" në bashkëpunim.
Vendimi përcakton se Alda Klosi dënohet me vendim të formës së prerë me 1 vit e 8 muaj burgim, duke ia rrëzuar ankimimin e bërë. Klosi e ka vuajtur dënimin dhe u lirua në muajin Maj 2024, teksa çështja e saj nisi prej vitit 2023, kurse denoncimi u bë në vitin 2022. Me 4 vite dhe 8 muaj burgim u dënua pastruesja Dobi dhe me 3 vite dhe 4 muaj i biri i saj, Havieri.
Klosi u hetua nga Prokuroria edhe për pastrim parash dhe çështjen e pasurive që i janë zbuluar, teksa u kërkua më 12 prill 2024 dhe sot u miratua konfiskimi i tre pasurive.
Njoftimi i Prokurorisë:
"Me kërkesë të Prokurorisë Tiranë, konfiskohen pasuritë e shtetases Alda Klosi dhe ish-bashkëshortit
Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, gjykata konfiskoi pasuritë e shtetases Alda Klosi dhe ish-bashkëshortit të saj, të akuzuar për veprën penale ‘Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur e nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrim ligjor për deklarim’ parashikuar nga neni 257/a/2 i Kodit Penal.
Nga procedimi pasuror nr.05, 2022, rezultoi se e pandehura/subjekti i hetimit pasuror Alda Klosi e cila është përfshirë si subjekt deklarimi në ILDKPKI që në vitin 2016, nuk ka deklaruar në këtë institucion pasurinë që nuk e justifikon atë me burime të ligjshme të të ardhurave.
Nga analiza e fakteve dhe e dokumentacionit të administruar rezulton se pasuritë e paluajtshme të llojit apartament dhe garazh, që zotërohen nga ajo dhe nga personi i lidhur, janë pasuri të pajustifikuara nga të ardhurat e ligjshme. Këto pasuri të paluajtshme janë fshehur dhe nuk janë deklaruar në deklaratat e ILDKPI nga personi i hetuar Alda Klosi.
Sa më sipër, si dhe në mbështetje të neneve 3, 5, 7, 12/b, 14, 15 deri në 22, 23, 24, 28-38 e vijues, të Ligjit nr.10192 datë 03/12/2009 “Për parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar dhe Trafikimit Nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, i ndryshuar, si dhe në nenin 302 të Kodit të Procedurës Civile, me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë u konfiskuan pasuritë e mëposhtme:
- Shuma monetare 368.000,00 (treqind e gjashtëdhjetë tetëmijë) Lekë, 15.600,00 (pesëmbëdhjetë mijë e gjashtëqind) USD dollarë amerikan, 462.950,00 (katërqind e gjashtëdhjetëedymijë e nëntëqindepesëdhjetë) Euro, sekuestruar për llogari të procedimit penal nr. 9220/2022 dhe arkëtuar në llogarinë e Prokurorisë në 10.01.2023;
- Apartament me siperfaqe 85.09 m2 të shfrytëzueshme me numër pasurie 6/572+1-35, ZK 8210, Vol. 42,Fq 127 pasuri e ndodhur në Tiranë, në pronësi të shtetasit Alda Klosi.; dhe
-Garazh me sipërfaqe 14.06 m2 të shfrytëzueshme, pasuri e ndodhur në Tiranë, në pronësi të shtetasit Alda Klosi"
Komente

