KËLCYRË - Çifti shqiptaro-francez të cilët kanë marrë jehonë në media për biznesin e tyre të veçantë në fshatin Ballaban në Këlcyrë që vizitohet edhe nga personazhe të njohur, këtë radhë janë bërë lajm jo për turizmin, por për një konflikt mes tyre që përfundoi në polici.

Fillimisht policia raportoi se francezi Maxhid Alavaz, 58 vjeç u shpall në kërkim për armëmbajtje pa leje, ndërsa u shoqërua bashkëjetuesja e tij, shqiptare Elona Bejo për moskallëzim krimi. Francezi nuk u gjet në banesë 2 ditë më parë por këtë të mërkurë u vetëdorëzua në polici, dhe tashmë të dy po hetohen në gjendje të lirë.

Në një njoftim të dytë zyrtar, policia zbuloi se 58-vjeçari ka kërcënuar me fjalë partneren e tij 38-vjeçare dhe do të hetohet për “armëmbajtje pa leje” dhe “kanosje”.

Çifti i njohur, në një intervistë për Report Tv 2 vite më parë tregojnë se bëjnë një jetë fshati në biznesin e tyre “Ferma Albanik”, pa internet, mjaft të lidhur me natyrën, kafshët dhe produktet bio që ofrojnë për turistët që vijnë.

Njoftimi i pare i policise

Posedonte armë zjarri në banesë, shpallet në kërkim nga policia, arrestohet në flagrancë bashkëjetuesja  për "Moskallëzim krimi". Shërbimet e Postës së Policisë Këlcyrë arrestuan në flagrancë shtetasen E. B., 38 vjeçe, banuese në fshatin Ballaban, Këlcyrë për veprën penale ""Moskallëzim krimi".  Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e bashkëjetuesit të saj, shtetasit francez M.A., 58 vjeç, sepse në banesën e tij në fshatin Ballaban, Këlcyrë, u gjet një armë zjarri, e cila u  sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Përmet për veprime të mëtejshme

Njoftimi i dyte i policise

Në vijim të ngjarjes së ndodhur në datën 22.06.2020, ku në fshatin Ballaban, Këlcyrë, në banesën e shtetasit M.A. u gjet një armë zjarri si dhe ky shtetas kishte kanosur me fjalë bashkëjetuesen,shtetasen E.B.,  në përfundim të veprimeve të para hetimore u referuan materialet  në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Përmet për në veprat penale ‘’Armëmbajtja pa leje” dhe ‘'Kanosja’’. Ky shtetas është  shoqëruar nga shërbimet e policisë dhe në përfundim të veprimeve me urdhër të Prokurorit po ndiqet në gjendje të lirë.