TIRANE- Në një intervistë për gazetën “Shqiptarja.com” anëtari i kryesisë së shoqatës “Pronësi me Drejtësi” Myrshit Vorpsi shpjegon skemën e abuzimin me tokat turistike, tokat në bregdet dhe tojet në ish-repartet ushtarake. Ai kërkon verifikim të titujve të pronësisë.
 
Qeveria vendosi pezullimin e përkohshëm të dhënies me qira të tokës bujqësore. Si e konsideroni një vendim të tillë?
Në sensin e përgjithshëm e konsiderojmë një hap pozitiv, ndonëse është hap fillestar. Mendojmë se do ketë dhe hapa të tjerë që do ta shoqërojnë këtë. Këtu s’bëhet fjalë për hapat e shënuar në këtë proces thjeshtë për interesin e pronarëve, por kjo është në interesin e shoqërisë. Për 23 vjet politika dhe shteti shqiptar, ka ndarë pasuritë, qoftë këto të ish-pronarëve qoftë dhe pasuritë publike, të gjitha tokat bujqësore falas. Në këtë ndarje falas është përcaktuar se përfituesit kryesorë të kësaj toke bujqësore do jenë banorët e saj, pra përmes një “reforme agrare” që u bë në vitin ‘91 sipas ligjit 7501.

Ku nuk u mor për bazë fare pronësia mbi tokën, por popullsia e lidhur me atë tokë e lidhur me punën, si ish-anëtarë të kooperativave bujqësore apo ish-ndërmarrjeve bujqësore. Këto ishin faktorët kryesorë me të cilat qeveria dhe shteti shqiptar për 23 vjet me ligjin 7501 dhanë falas pasurinë. U dha falas këto pasuri një shtrese të caktuar të popullsisë, duke lënë jashtë një shtresë tjetër, që ishin pronarë të kësaj marrëdhënieje pasurie para vitit ‘44. Gjatë 23 viteve, sa kohë që pasuria është ndarë falas, enti që e ka shpërndarë atë nuk kishte marrëdhënie interesi me këtë pasuri, komuna në rastin konkret që s’ka qënë ndonjëherë pronare e kësaj pasurie, e ka shpërndarë kujt ka dashur dhe si ka dashur, pavarësisht ligjit.
 
Kush ka përfituar sipas jush...?
Sa kohë që pasuria është ndarë falas, kanë përfituar si ata që do ta përfitonin në bazë të ligjit ashtu dhe një pjesë tjetër kanë përfituar jashtë kritereve e në kundërshtim me ligjin për hir të faktit se kjo pasuri ka qënë falas e nuk i ka interesuar askujt. Pas 23 vitesh qeveria shqiptare e ka të domosdoshme të shikojë se si është operuar me këtë proces të shpërndarjes falas të tokave bujqësore dhe pasurive publike. Ky është një hap që gjithësecili duhet ta përshëndesë. Por, ka një ligj që nga viti 2008, që është për verfikimin e titujve të pronësisë, që parashikon verifikimin e rishpërndarjes së kësaj toke. Pra të verifikonte ata që janë pajisur me tokë, për të parë nëse e kanë marrë në përputhje me ligjin këtë pasuri. Këto komisione deri në nivel qarku kanë kryer punën e tyre deri më sot.

Nga të dhënat e bëra publike së fundmi nga ana e sekretariatit qëndror teknik të komisionit qeveritar të tokës, janë të dhëna skandaloze për produktin që kanë prodhuar që të bën të dyshosh, nëse është kryer kjo punë apo jo. Dhe kjo gjë ndodh jo më shumë se një muaj nga dita kur përfundon afati ligjor për këto komisione. Më 31 dhjetor 2013 komisionet e verifikimit të titujve të pronësisë në nivel qarku pushojnë së ekzistuari dhe funksionuari. Shifrat që ka prodhuar ky komision janë skandaloze. Për 5 vite ky komision ka kthyer në pronësi të shtetit vetëm 15 hektarë tokë bujqësore.

Konsiderohet dhe një sipërfaqe tjetër, 600 hektarë që është në proces gjyqësor. Të thuash që 560 mijë hektarë tokë bujqësore e shpërndarë në vend ka përfunduar me vetëm 15 hektarë që janë ndarë në kundërshtim me ligjin, kjo do thotë se kjo punë është kryer në mënyrë të përkryer, dhe nëse bëhet fjalë që 560 ha janë ndarë në kundërshtim me ligjin. Ose ka ndodhur tjetra që, komisioni nuk ka bërë punën e vet.
 
Që do të thotë...?
Komisionet e verifikimit sipas ligjit viheshin në lëvizje mbi bazën e kërkesave që mund të bënin subjektet e interesuara, pra persona që kanë përfituar nga ligji ose kishin pretendime mbi atë pronë, siç mund të jetë dhe rasti i pronarëve. Por ligji ka parashikuar dhe një mënyrë tjetër të veprimit, atë me kryesisht. Komisioni kishte gjithë tagrin ligjor të verifikonte pronat e caktuara. Ka qënë një proces i thjeshtë pasi komisionet në qarqe kanë pasur të detajuar gjendjen e shpërndarjes së tokave jo vetëm me shifra, por dhe me një hartë të përcaktuar qartë, mbi të cilat janë shënuar tokat e ndara, mbi bazën e të cilave janë përcaktuar tokat bujqësore, tokat pyll, tokat kullotë e tokat e pafrytshme.

Por brenda një fshati të caktuar nuk janë ndarë gjithë kategoritë e tokës, që kanë qënë të përcaktuara. Sipas ligjit duhej të ndahej vetëm toka bujqësore. Realiteti ka treguar, që shpeshherë kjo ndarje s’është marrë në konsideratë. Pra janë ndarë me ligjin 7501 si tokë bujqësore dhe toka që kanë qënë të pafrytshme, edhe pyje, toka livadhe, kullotë. Që meqënëse janë ndarë në kundështim me ligjin, i duheshin kthyer mbrapsht shtetit. Kjo ka qënë natyra e ndarjes së tokës, në zonat jo bregdetare.
 
Po në zonën bregdetare, ka akuza për abuzime...?
Në zonën bregdetare kemi elementë të tjerë. Realiteti ka treguar që dhe ranishtet janë ndarë për tokë bujqësore, gjë që s’duhej të ndodhte. Gati gjithë brezi i pishave në zonat turistike është ndarë si tokë bujqësore, ashtu sikurse janë ndarë dhe sipërfaqe të tjera në buzë të detit, po ashtu si toka bujqësore. Dhe ju e kuptoni sot se çdo të thotë të kesh tokë bujqësore të përfituar pa asnjë kokërr leku si pronën tënde pikërisht në bregun e detit. Ndërkohë që ligji ka pasur parashikuar dhe diçka tjetër: Aty ku ishte përcaktuar me vendim Qeverie zonë me përparësi turizmi, toka bujqësore apo sipërfaqet e tjera nuk ndahej në pronësi, por jepej vetëm në përdorim dhe titulli i pronësisë i mbetej shtetit. Por, në të gjithë zonën turistike është bërë një masakër.

Mjafton të shohim zonën e Golemit dhe të gjithë biem në një mendje për këtë, pasi nga tokë bujqësore ka përfunduar e gjitha tokë truall. Dhe asnjë nuk e di se kush e ka marrë, sa e ka marrë dhe si e ka marrë këtë tokë. Por nuk është vetëm Golemi, është gati gjithë vija bregdetare e vendit tonë aty ku ka qënë përcaktuar si tokë në përparësi të turizmit, por dhe në vende të tjera në bregdet, tokat janë ndarë në kundërshtim me ligjin. Komisionet e ndarjes së tokës këto elementë nuk i kanë vlerësuar kështu deri më sot.

Prandaj është e domosodhshme që shteti të shikojë se çfarë ka ndodhur me këtë pronë. Komisionet nuk e kanë bërë, ndoshta ka qënë dhe politika e interesuar për këtë. Por tashmë ka ardhur koha që të bëhet transparenca jo vetëm për publikun, por dhe për vetë shtetin që të shohë se çfarë ka ndodhur gjatë tërë këtyre viteve me këtë pronë. Pasi ka ardhur momenti që shteti nuk duhet dhe nuk mund të shpërndajë më pasuri falas.
 
Po sa fond toke ka mbetur për ish-pronarët...?
Sipas të dhënave të fundit gjendja e tokave bujqësore në shkallë vendi, në bazë të vendimit të qeverisë që ka përcaktuar si fond për kompensimin fizik të pronarëve, një fond 17 mijë hektarë të tokës bujqësore, në atë material përmendet se fondi i tokës në shkallë vendi ka qënë 27 mijë hektarë. Por ne s’duhet të harrojmë për asnjë moment se sipas ligjit 7501, fondi i planifikuar për shpërndarjen e tokës ka qënë rreth 560 mijë ha tokë, ndërkohë që në total në vitin 1991 fondi total i tokës bujqësore ka qënë 700 mijë ha tokë bujqësore.

Pra nëse është real deklarimi i qeverisë që kemi gjendje 27 mijë ha tokë bujqësore, pyetja e parë që bëhet se ku ka ikur kjo tokë bujqësore. Në vitin 2003, Ministria e Bujqësisë ka përgatitur një material për të gjithë fondin e tokës bujqësore disponibël, pra të paplanifikuar për tu shpërndarë me ligjin 7501 dhe është në pronësi të shtetit. Përgjigjia që na ka kthyer ministria, Komisioni i Verifikimit të titujve të pronësisë por dhe dërguar në qeveri është se fondi i tokës bujqësore i pa shpërndarë që mund të përdoret për kompensimin e ish-pronarëve është 135 ha.

Sot ky fond s’ekziston më pasi qeveria vetë tha se ka një fond toke 27 mijë hektarë. Ku është zhdukur pjesa tjetër.
Sipas të dhënave të derisotme, detyrimi i shtetit shqiptar për ti kompensuar tokë bujqësore pronarëve shqiptarë është plot 50 mijë ha tokë. Nëse shteti ka vetëm 17 mijë hektarë, ku do ti marrë paratë për ta bërë kompensimin. Procesi i pambyllur, pasi të dhënat janë deri në vitin 2009, ka dhe 7 mijë dosje të tjera që do trajtohen. Po, 33 mijë ha të tjerë për pronarët ku do gjenden?
 
Sa kushton gjithsej kompensimi...?
Për 8 vite qeveria ka përdorur 4.5 miliardë lekë, përfshirë dhe fondin prej 300 milionë të këtij viti që nuk është shpërndarë akoma, për kompensimin e pronarëve në tokë truall. Pasi kohë më parë qeveria ka thënë se tani nuk do merret me kompensimin e pronarëve të tokës bujqësore. Ndërkohë janë kompensuar vetëm 14.5 ha tokë truall. Sot shteti shqiptar ka deklaruar se ka detyrim ndaj ish-pronarëve 7600 hektarë tokë truall. Nëse do marrim çmimin mesatar me të cilin shteti për 7 vite ka kompensuar ish-pronarët, shifra del në nivelin e 17 miliardë eurove.

Çmimet që janë aplikuar deri më sot, e pranuar se nuk janë reale dhe të vëna nga qeveria për kompensimin e pronarëve më të ulta se çmimet e tregut, nëse do t’i marrim për bazë atëherë del fatura prej 17 miliardë euro. Pa futur këtu dhe fondin e 50 mijë hektarë tokë bujqësore që është jashtë kësaj llogarie. Pra ka ardhur momenti që të shihet mirë se kush ka marrë tokë sipas ligjit, pavarësisht se ne jemi kundër, dhe kush ka marrë tokë në kundërshtim këtë ligj. Këtë shteti duhet ta bëjë me dorë të hekurt pa parë se kush e ka marrë, sepse është vjedhur pasuria publike. Komunat thonë se pronarët e kësaj pasurie janë ata. Atë tokë nuk e kanë shitur, por e kanë dhënë me qira me 99 vite. Janë ngritur të gjithë dhe kanë marrë tokë me qira me 99 vjet, lekë s’kanë dhënë, taksat janë të ulta ose hiç fare, dhe kushedi pas disa vitesh thonë ta vënë në pronësi.

Prandaj e ritheksoj se akti që ndërmori qeveria për të pezulluar dhënien me qera të tokës bujqësore nga pushteti vendor ka të bëjë me transparencën e ndarjes dhe administrimit të tokës bujqësore gjatë kësaj periudhe 23 vjeçare. Unë e përshëndes qeverinë për këtë hap të ndërmarrë, nëse ky është qëllimi. Jemi të bindur se me tokën bujqësore është bërë një masakër e vërtetë nga ana e pushtetit vendor. Nuk është prekur asnjeri, qoftë ata që e kanë shpërndarë qoftë dhe ata që kanë marrë tokën bujqësore pa paguar asnjë gjysmë leku. Tani mendojmë se ka ardhur momenti që shtetit të thotë STOP për të parë çfarë është bërë me tokën.
 
Mund të ishit kompensuar me tokën e ish-reparteve ushtarake...?
Qeveria e kaluar nxori në privatizim 1 mijë ha truall të reparteve ushtarake me çmime qesharake. Po në mars të atij viti qeveria miratoi një listë çmimesh që shërbenin për kompensimin e pronarëve, çmime të reduktuara por që në të vërtetë të pashprehura çmimet me të cilat shteti shiste këto pasuri dhe i bëri të dyja gjërat bashkë. Në këtë vendim që ka përcaktuar vlerat e tokave në përgjithësi, në mars 2013 ka nxjerrë të gjitha tokat ku kanë qënë vendosur repartet ushtarake si toka pa mbulim. Qeveria ka përcaktuar me atë vendim çmimet e tokës truall, dh për Tiranën që sot janë ulur e janë bërë si ‘gozhda e Nastradinit’, tokat bujqësore, livadhet, kullotat, qeveria vendosi çmimet e referencës, që shërbenin qoftë për kompensimin e pronarëve, por dhe për shitjen e pasurive që qeveria mund të ndërmarrë.

Toka e gjithë reparteve ushtarake, veçanërisht toka turistike u fut në atë që quhej “tokë e zonave pa mbulim”, pa mbulim hartografik dhe kadastror. Pra ishin toka pa një numër pasurie dhe çmimi i këtyre tokave sipas vendimit të qeverisë është qesharak. Minimalisht është 4 herë më i ulët çmimi i referencës për tokat pa mbulim qoftë nga toka truall qoftë nga toka bujqësore në të gjithë ato zonat që janë toka pa mbulim. Me këto 1 mijë ha tokë të reparteve ushtarake që u futën për privatizimi, mund të ishin kompensuar pronarët e mund të kishte zbritur detyrimi në 6600 ha tokë truall. Futja në privatizim i tyre nxjerr pyetjen se kush i ka përfituar. Padyshim që ka qënë biznes i jashtëzakonshëm blerja e reparteve ushtarake, sepse çmimet kanë qënë 4 herë më të ulta.
 
Çfarë kërkoni konretisht....?
Nëpërmjet vendimeve të qeverisë i është hapur rruga përvetësimit pronës publike. Ndaj është e nevojshme që qeveria shqiptare në vazhdën e kësaj nisme që ka ndërmarrë të zgjasë dhe më tej afatin e funksionimit të komisioneve të verifikimit të titujve të pronësisë e ti vërë në pozita pune për të verifikuar çfarë ëhstë bërë me ndarjen e tokës në shkallë vendi. Këtu nuk është puna për marrëdhëniet e qeverisë me pronarët shqiptarë, por e shtetit shqiptar me pronarët shqiptarë. Brenda janarit janë 17 pronarë që do dalin brenda një vendimi të gjykatës së Strasburgut.

Materiali është në duart e qeverisë shqiptare, e cila duhet patjetër që ta adresojë atë. Ne po flasim për një realitet, pasi Gjykata e Strasbrugut është futur në interesat e mbrojtjes së pronarëve shqiptarë, për një çështje që ata e vlerësojnë si të drejtë dhe qeveria shqiptare ka detyrimin ta adresojë këtë problematikë. Në mungesë të parave qeveria shqiptare duhet të gjejë 7600 ha truall e 50 mijë ha tokë bujqësore që të kompensojë pronarët shqiptarë. Nëse ky fond toke nuk ekziston atëherë shteti shqiptar duhet të japë paratë.

Sinjali i gjykatës së Strasburgut është i qartë. Për më tepër që dhe rekomandimi 10 për statusin e vendit kandidat ka të bëjë me pronën e domosdoshmërinë e hartimit të një ligji të ri për të drejtën e pronës. Kjo do të thotë që historia e ndarjes së tokës falas nga shteti shqiptar duhet të marrë fund. Nëse afër 60% e popullsisë në fshat mori të gjithë tokën falas, po pjesa tjetër. Ndërkohë duhet të toka të taksohet, pasi për 23 vite nuk është takuar asnjë sipërfaqe toke. Ndaj ne inkurajojmë qeverinë që të vazhdojë në këtë pikë, të marrë fund ndarja e tokës falas.
 
Shkrimi u publikua sot (30.11.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com)