Pronat, Agjencia e Kthimit
dhe kompensimit pa tagë

Pronat, Agjencia e Kthimit <br />dhe kompensimit pa tagë
TIRANE- Nga 1 janari i këtij viti, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronës nuk po kryen asnjë kthim dhe asnjë lloj kompensimi, duke qenë se, pas disa shtyrjeve rresht, afati i ekzistencës së saj si institucion, i përcaktuar me ligj, ishte fundi i vitit të kaluar.

Praktikisht, ish-pronarët ndodhen përballë një situate bllokimi total. Janë mijëra dosje që flenë në arkivin e Agjencisë së Kthimit e të Kompensimit të Pronës, ndërkohë që tashmë hidhet ideja e një strategjie të re, që është sugjeruar edhe nga Këshilli i Evropës, pas konstatimit të Gjykatës së Strasburgut se një ortek i vërtetë kërkesash nga ish-pronarët shqiptarë ka mbërritur në të dhe të gjitha rastet deri tani janë zgjidhur në favor të tyre. Afati për ndryshimin në ligj ishte nëntori 2011, por qeveria shqiptare as që e vuri ujin në zjarr.

Burime nga AKKP thanë për Shqiptarja.com se Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave po vazhdon punën normalisht, megjithëse afati ligjor për procesin e dhënies së vendimeve për kthimin e pronës ka përfunduar. Sipas tyre, është dhënë gartanci e plotë se afati do të shtyhet. Përveç mijëra dosjeve të trashëguara nga drejtoritë rajonale, që u shkrinë katër vjet më pare, deri tani janë shtuar dhe gati 1.000 dosje të reja, të rivendosura në afat me vendim gjyqi. Por, qytetarë të ndryshëm, që kanë kontaktuar me drejtues të këtij institucion, për t'u interesuar se kur mund të sjellin dosjet, pasi kanë konstatuar se u ka dalë emri në VKM e fundit të vitit të kaluar për dëmshpërblim, kanë marrë përgjigjen se do të njoftohen nëpërmjet medias.
LIGJI
Lidhur me zgjatjen e afatit të AKKP-së, ka një problem ligjor. Ligji për kthimin dhe kompensimin e pronës do t'u nënshtrohet ndryshimeve deri më nëntor 2011, kështu është vendosur në strategjinë e miratuar nga qeveria, pasi ishte sugjeruar në Këshilli i Evropës. Ky i fundit është shumë i shqetësuar nga moria e padive të qytetarëve shqiptarë ndaj shtetit të tyre - mbi 550 - që kanë mbërritur në Strasburg dhe, deri tani, vetëm 5 janë fituar nga shteti. Kjo nënkupton se edhe zgjatja e afatit, që është një ndryshim në ligj, nuk mund të bëhet. Megjithatë, në janar të këtij viti, ministri i Drejtësisë Eduard Halimi tha se "viti 2012 do të jetë viti i miratimit të strategjisë kombëtare të pronës". Kjo bie ndesh me angazhimin ndaj ndërkombëtarëve.
PLANI
Këshilli i Ministrave ka miratuar një plan veprimi për kompensimin e pronave nga viti 2013 deri në vitin 2018. Sipas drejtorit të Agjencisë, Elvis Çefa, gjatë këtyre viteve do të punohet për krijimin e një baze të dhënash, për të gjitha vendimet e dhëna ndër vite. Kjo do të ndihmojë dhe në llogaritjen e saktë të fondit që duhet për kompensim.
FONDET
Vitet e fundit është vënë re se, për kompensimin e ish-pronarëve është përdorur vetëm fondi, i grumbulluar nga qytetarët, që kishin kryer pagesën për legalizimin. Kështu, më 2009 janë edhënë 1.7 miliardë lekë për ish-pronarët, më 2010 2.2 miliardë dhe në 2011 1.65 miliardë. Por, nga kjo përfitojnë vetëm pronarët e parcelave, ku janë kryer ndërtimet.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Media spanjolle ‘Actualidad Viajes’: Bregdeti shqiptar, vendet më të mira për t’u vizituar

Media spanjolle ‘Actualidad Viajes’: Bregdeti shqiptar, vendet më të mira për t’u vizituar