Policia e Shtetit thotë se ka marrë të gjitha masat për protestën që Partia Demokratike pritet të zhvillojë më 8 maj në Tiranë, ndërsa paralajmëron se çdo shkelje e ligjit nga protestuesit do të përballet me reagim sipas Kodit Penal. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, deklaroi në një konferencë për mediat se protesta është autorizuar për t’u zhvilluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe duhet të qëndrojë brenda këtij perimetri.

“Policia e Shtetit ka marrë të gjitha masat që protesta të organizohet dhe të zhvillohet në mënyrë të qetë dhe paqësore. Leja është kërkuar për bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’ dhe aty duhet të jetë e përqendruaR. Në rast të veprimeve joligjore nga ana e protestuesve do të veprohet në bazë të procedurave standarde dhe në bazë të ligjit dhe Kodit Penal”, deklaroi kryepolici.

Përmes një njoftimi, Policia lajmëron se nga ora 23:45 e datës 07.05.2026 deri në përfundim të tubimit, do të bllokohet lëvizja dhe nuk do të lejohet parkimi i automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga vendi i quajtur “Ura e Dajtit” deri në rrugën “Ismail Qemali”;

Po ashtu njoftohet se nga ora 15:00 e datës 08.05.2026 deri në përfundim të tubimit, do të ketë bllokim të lëvizjes së automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, nga kryqëzimi afër Ministrisë së Brendshme deri te sheshi “Nënë Tereza”, si dhe në rrugët “Ukraina e Lirë”, “Papa Gjon Pali II” dhe “Ismail Qemali”.

Blutë e kryeqytetit u bajnë apel organizatorëve të tubimit për respektimin e afatit kohor dhe vendit ku do të zhvillohet tubimi, si dhe kërkojnë mirëkuptimin e qytetarëve për kufizimin e lëvizjes me automjete.

Gjithashtu, Policia i ka bërë thirrje qytetarëve që të distancohen në rast se gjenden përballë veprimeve të kundërligjshme që cenojnë rendin dhe sigurinë publike.

Në protestën e fundit të PD, strategjia e Hites funksionoi në shpërndarjen e menjëhershme të grupit të zjarrit që shoqëron Sali Berishën dhe shmangien e akteve të dhunshme me molotovë që kishin dominuar shumë prej protestave të mëparshme. 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:07
'Vrasjet rrugore janë krime', Skënder Hita kërkon ashpërsim të Kodit Rrugor dhe Penal pas tragjedisë në Durrës

 

 

Duke e vlerësuar një ngjarje të rëndë që e ka tronditur edhe atë personalisht, drejtori i Policisë së Shtetit Skënder Hita, tha se aksidenti i Durrësit, është rasti që tregon se vrasjet rrugore janë po aq të rënda sa ngjarjet kriminale, Sipas tij, duhet të ashpërsohet Kodi Rrugor sa i përket masave administrative, por për ndërhyrje sipas tij ka nevojë edhe në Kodin Penal.

"Ishte një ngjarje shumë e rëndë që ka tronditur gjithë opinionin publik njëkohësisht edhe mua që ka tronditur shumë personalisht. Pezullimi i punonjësve të policisë ka të bëjë me verifikimin që po bën Drejtoria e Standardeve Profesionale për të parë hap pas hapi të gjithë procedurën se si vepruar punonjësit e policisë në atë zonë dhe për të parë dhe për të bërë më të mundur për sigurinë rrugore në komunitet. Akoma s'kemi bërë ndonjë përfundim mbi rezultatet e hetimit të drejtorisë së standardeve dhe hetimi vazhdon, hetimi administrativ vazhdon, por njëkohësisht edhe hetimi penal” tha Hita.

Hita tha se ka ardhur koha për ndryshimet në kodin rrugor apo penal në aspektin e sigurisë për qytetarët.  

“Ndryshimet në kodin rrugor apo në kodin penal patjetër që duan kohën e vetë edhe besoj që ka ardhur koha dhe është më se normale që të kemi ndërhyrje tillë.  Rasti i fundit të tregojë më së miri që vrasjet rrugore janë ngjarje po aq të rënda sa një ngjarje tjetër kriminale. Kështu që në këtë kuadër përveçse këtyre masave duhet të shikojmë dhe të rrisim edhe pjesën tjetër për gjobat administrative pasi edhe për një parkim të gabuar që shpesh herë janë burim aksidenti dhe në ngjarje fatale masat ndëshkimore ne i kemi shumë të ulëta. Kështu që në këtë kuadër ne do bëjmë iniciativën tonë për të ndryshuar këto e përkatëse të kodit penal dhe kodit rrugor për të pasur sa më shumë siguri rrugore për të gjithë qytetarët dhe kalimtarët e rrugës” tha Hita.

Ora 14:52
Atentati ndaj çiftit Mujeci në Lezhë, Hita jep detaje nga hetimet: Forcat RENEA në terren, autorët ende në kërkim

 

Policia e Shtetit thotë se vijojnë intensivisht hetimet për atentatin e ndodhur në Balldren të Lezhës, ku mbetën të vrarë Kreshnik dhe Gentjana Mujeci, ndërsa autorët ende nuk janë identifikuar apo kapur.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, deklaroi në konferencë për mediat se edhe mëngjesin e kësaj të enjteje janë kryer kontrolle në zonë nga Forcat Speciale RENEA.

“Policia që në momentet e para ka bërë një komunikim të drejtpërdrejtë menjëherë nga vendngjarja Hetimet kanë vijuar edhe sot në mëngjes kemi kryer disa kontrolle me forcat speciale  RENEA, por ende nuk është bërë e mundur kapja e autorëve të dyshuar. Puna vazhdon intensivisht. Nuk është jashtë vëmendjes dhe jashtë harresës. ”, tha ai.

Ora 14:40
Helmimi masiv në Akademinë e Sigurisë, Drejtori i Policisë së Shtetit zbulon detaje nga hetimi: Kemi marrë masa për të gjithë studentët

Duke komentuar ngjarjen e rëndë që ndodhi në Akademinë e Sigurisë, ku mbi 50 studentë të këtij institucioni u helmuan si pasojë e ushqimit, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, konfirmoi marrjen si prova të ushqimeve të konsumuara nga studentët dhe vazhdimin e hetimeve për këtë çështje.  Ai bëri të ditur se policia ka arrestuar dy persona përgjegjës për pjesën administrative dhe përgatitjen e ushqimeve, ndërsa është shpallur në kërkim edhe administratorja e kompanisë së kateringut.

Deklarata e plotë e Hitës:

“Ka qenë një ngjarje sensitive dhe për ne. Jemi njoftuar se disa prej studentëve kanë shkuar në spital. Gjendja e tyre ishte me simptoma të lehta, jo të rënduara. Kemi marrë masa për të gjithë studentët. Sa i përket veprimeve që ndërmorëm dje, arrestuam 2 personat përgjegjës që kanë kryer pjesën administrative dhe përgatitjen e ushqimeve. U shpall në kërkim dhe administratorja e firmës. Bllokimi i lëndës që u përdor u bë në bashkëpunim me AKU,. Aktiviteti i subjektit tregtar nuk është ndërprerë, pasi ka dhe disa institucione të tjera ku vepron. Shkeljet konkrete do të bëhen të ditura në vijim. Për momentin kemi marrë vetëm njoftimin që këta studentë janë helmuar. Edhe sot kemi vazhduar me të njëjtën kompani. Dje u bë bllokimi i lëndëve apo sasitë ushqimore të përdorura nga studentët. Kompania vazhdon të furnizojë studentet edhe sot. Do të vijojë më tej se si do të operohet.”, tha ai.