Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka mbledhur pasditen e sotme kryesinë dhe kryetarët e degëve ku u vendos se çdo të enjte do të bllokohen rrugët kryesore në të gjithë Shqipërinë. Gjithashtu, burime për Report Tv bëjnë me dije për gazetarin Elis Memelli se do të bllokohen rrugët hyrëse edhe në qytetet ku Rama do të zhvillojë turin e tij në kuadër të "Bashkia që duam". Bllokimi i rrugëve nisi ditën e sotme në qytetin e Shkodrës, për të vijuar ditën e nesërme në qytetin e Elbasanit. Po të njëjta burime, sqarojnë se Basha u ka kërkuar krerëve të degëve angazhim maksimal, për të mundësuar një pjesëmarrje sa më të madhe në protestën e katërt kombëtare të opozitës së bashkuar, e planifikuar të mbahet më 11 maj. 

Asnjë minutë paqe për Edi Ramën derisa të largohet e t’i hapë rrugë zgjedhjeve të lira e të ndershme.Koha kur në Shqipëri Edi Rama dhe kriminelët e tij diktonin zgjedhjet, ka marrë fund njëherë e mirë. Ne do të jemi në krye të protestave të qytetarëve, derisa të fitojmë betejën europiane dhe demokratike për të mos lejuar krimin elektoral të 30 Qershorit. Edi Rama e di se nuk mund t’i rezistojë presionit popullor, prandaj po kërcënon me burg. Edi Rama ka frikë, sepse e di shumë mirë, që një hetim i pavarur, çon në burg atë vetë, Vangjushin e tij dhe Damian Gjiknurin për blerjen e zgjedhjeve bashkë me krimin.

Mesazhi i qëndresës qytetare për Edi Ramën, që iu frikësohet zgjedhjeve të lira si djalli nga temjani, është se nuk ka shpëtim prej tyre. Ne jemi të gatshëm të sakrifikojmë çdo gjë për të mos lejuar që në 30 qershor të ketë një krim tjetër elektoral si ai i 2017-ës. Koha kur populli shkonte në burg dhe kriminelët në qeverisje, ka marrë fund. Politikanët e lidhur me krimin do të shkojnë në burg dhe populli do të çlirohet nga krimi dhe korrupsioni. Përballja do të jetë në çdo qytet në çdo shesh dhe rrugë të vendit për të kulmuar në 11 maj në protestën kombëtare përpara kryeministrisë
" mësohet se ka thënë Basha. 

Ndërkohë, një ditë më parë u bllokuan përreth një orë pesë akset kryesore në vend. Në Tiranë, rrethrrotullimi Shqiponja; Durrës-Kavajë, Plepa Autostradë- përballë shtëpisë së pushimit; Fier, rrethrrotullimi Sheq; Elbasan, rrethrrotullimi Bradashesh; Milot, karburanti në autostradë. I njëjti skenar mendohet të vihet në zbatim çdo të enjte.