Po zhvillohet në Tiranë protesta e 29-të kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.

Gjatë fjalës së mbajtur në tubim, një prej qytetarëve tha se protesta ka rrëzuar paragjykimet se shqiptarët nuk bashkohen për kauza të përbashkëta, duke theksuar se qëndresa disajavore ka forcuar besimin mes qytetarëve.

“Kjo protestë rrëzoi njëherë e përgjithmonë paragjykimin, sidomos ndaj brezit të ri, sepse ishim mësuar të na thoshin se ne nuk çohemi, shqiptarët nuk bashkohen, nuk ngrihen për problemet. Pas kësaj qëndrese disamujore, tashmë besimi te njëri-tjetri është rritur dhe duket se shqiptarët e kanë mendjen të mos i ndahen bulevardit derisa qeveria të japë dorëheqjen. Para se çdo qytetar të marrë fjalën për të shprehur mendimin e tij ashtu siç e ndjen, dua t’i bëj një thirrje policisë që të mos provokojnë qytetarët dhe, nëse merr urdhër për t’i provokuar, të mos i zbatojë kundër popullit të vet. Pasi ju jeni këtu për të siguruar popullin, nuk jeni këtu për të siguruar pushtetarët. Gjithashtu e kam një thirrje për të gjithë qytetarët që ndodhen në shesh, që të mos bien pre e provokimeve. Javën e fundit janë intensifikuar provokimet dhe mund të themi që kryeministri ka vendosur të hyjë në një luftë frontale me protestuesit. Mos bini pre e provokimeve të patronazhistëve të futur në turmë si qytetarë. Ne jemi të vendosur, siç kemi qenë për 29 ditë, që ta vazhdojmë qëndresën në mënyrë paqësore derisa kjo qeveri të japë dorëheqjen",- tha i riu.


Lajmi kryesor:

LIVE TV- Protesta e 29-të te Kryeministria, qytetarët kërkojnë sërish realizimin e 5 kërkesave: Dorëheqja e Ramës, e panegocueshme