TIRANE-Pasditen e sotme Partia Demokratike zhvilloi një mbledhje grupi për organizimin e protestës së paralajmëruar në 16 shkurt. Në mungesë të kreut të PD-së, mbledhjen e ka drejtuar Edmond Spaho, ndërsa janë ndarë deputetët që do të merren me organizimin e protestës. Në Tiranë janë përcaktuar Aldo Bumçi, Gazment Bardhi, Albana Vokshi, Jorida Tabaku, Grida Duma, në Fier është caktuar Enkelejd Alibeaj, ndërsa Flamur Noka është vendosur për qarkun e Shkodrës.

Në përfundim të mbledhjes nënkryetari Edi Paloka në një prononcim për mediat u bëri thirrje shqiptarëve që t’i bashkohen opozitës në protestë për të rrëzuar qeverinë Rama, pasi sipas tij, jo vetëm që cdo gjë po shkon keq e më keq, por as negociatat nuk do të hapen në qershor. Edi Paloka ka sulmuar edhe ambasadorin e BE-së në vendin tone Luigi Soreca, i cili i pyetur për protestat tha se opozita duhet te jete ne institucione. Por Paloka u përgjigj sot duke thënë se i njëjti ambasador ka thënë se lufta ndaj krimit ka përfunduar.

‘Protestë, ngritje dhe reagim. Në rast se qytetarët nuk reagojnë, cdo gjë do të shkojë keq e më keq. Vijon vjedhja dhe rritja e taksave. Kështu që qëllimi është që ti thërrasim, kushdo që ka një hall duhet të ngrihet dhe protestojë kundër Ramës. Nëse nuk ngrihemi ne, atëherë ai do të vijojë që të tallet me ne dhe ne do të vijojëm të shkojmë keq e më keq.

Ambasadori i BE dy javë më parë, siç e mbani mend, deklaroi hapur se lufta ndaj krimit në Shqipëri ka mbaruar. Madje edhe luftë që kishte filluar në thonjëza me të famshmen “Forca e Ligjit” një ministër paraardhës i Ramës, edhe ajo luftë është ndërprerë. Ne prisnim që në qershor të hapeshin negociatat, por me këtë regjim ku jemi, as negociata nuk do të ketë dhe cdo gjë do të shkojë keq e më keq. Shqiptarët ti bashkohen opozitës për të gjithë hallet dhe problemet” deklaroi ai.

Partia Demokratike dhe aleatët kanë vendosur të protestojnë në 16 shkurt ora 11:00 në Tiranë, përpara Kryeministrisë për largimin e qeverisë (lexo këtu). Protesta e fundit e organizuar nga opozita ka qenë ajo e 26 majit 2018 përpara Kryeministrisë. Opozita kërkoi largimin e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, pas audiopërgjimit të Babales dhe të denoncuar nga PD ku pretendohej se ishte regjistruar Agron Xhafaj, teksa fliste për trafikimin drejt Italisë të një sasie kanabisi. Nga Kryeministria, turma marshoi dhe u zhvendos përpara Ministrisë së Brendshme ku u shënuan edhe përplasje me policinë.