Dje u zhvillua në Tiranë protesta e radhës e Partisë Demokratike, i njëjti skenar, ndryshimi i vetëm ishin flamujt gjermanë që kishin zëvendësuar ato amerikanë. Ish-kandidati për deputet i PD Et’hem Aga ishte i ftuar në ‘Sot, Live në Shqipëri’ në një intervistë me gazetarin Nertil Agalliu për të komentuar tubimin e opozitës. Aga tha se zgjedhja e datës 22 Mars për të zhvilluar protestën, ishte simbolike referuar 34 viteve më parë, kur PD fitoi zgjedhjet e para pluraliste.

“Dita e djeshme ishte një ditë simbolike dhe nuk kishte zgjedhje më të mirë sesa të bëhej një protestë, fiks 34 vite më pas fitores historike të PD si dhe të demokracisë në Shqipëri. Protesta mu duk deri diku model, që gjithë eksperienca e 5-6 protestave të tjera, ishte vendosur në këtë protestë. Kishte më shumë njerëz se në ditët e tjera. Organizmi i PD duke shkuar në pika kyçe, simbol i së keqes të këtij vendi, mu duk pozitive. Modeli i protestës që është bërë përpara, ne qëndronim në bulevard, flisnin disa njerëz, tani shkojmë në institucione dhe qytetarët tregojnë pakënaqësitë e tyre drejt institucioneve”, tha Aga.

Në lidhje të drejtpërdrejtë ishte dhe analisti Albatros Rexhaj, i cili në këndvështrimin ndryshe, tha se protesta nuk prodhoi asnjë risi. Sa i përket flamujve gjermanë, Rexhaj tha se ishte e pakuptimtë.

“Protesta është e njëjtë, pak më e dhunshme se zakonisht. Tregon që ideja e protestës nuk është që të behet një deklaratë siç protestat kanë, por kjo po merr përmasat e një shfaqjeje që mbahet në intervale të caktuara dhe me skenar të njëjtën, molotovë e dhunë. Koha po tregon që nuk japin efekt që është menduar se do të japin. Të shohësh skena të tilla në Tiranë në vitin 2026 nuk është mirë as për imazhin e vendit as për partin. Puna e flamujve është pa shije, dikur ishin ato amerikanë, sot gjermanë. Nëse ideja është të thueth që Gjermania është me ne, kjo është e kompiluar dhe e gabuar, nuk jep diçka konkrete. U pa dhe sot që Ambasada Gjermane doli me deklaratë të hapur”, tha Rexhaj.

Demokrati thotë se PD proteston për problemet që Be ka ngritur si prezente në Shqipëri dhe se Partia Socialiste rrezikon seriozisht integrimin e vendit në familjen evropiane.

“Protestat janë gjëja më pozitive për demokracinë në një vend. Ngrihen në protestë për probleme që BE ngre. Integrimi Shqipërisë rrezikohet në mënyrë flagrante. Më shumë dhunë ka nga policia sesa nga protestuesit. PD kërkon një qeveri teknike, një qeveri integrimi, që do të çojë drejt integrimit Shqipërinë. Me qëndrimin që ka mazhoranca, me dhunën psikologjike të mos pranosh heqjen e imunitetit për Ballukun, këtë e kërkon gjykata. Është e tmerrshme. Ligjet që mazhoranca çon në parlamentin që ministrat të mos pezullohen, dhe kjo është problem. Po ti shkosh këtu, problemet që ka siguria ushqimore, ose me pronat me të gjitha, me korrupsion, si mundet që kjo qeveri të na çojë neve në BE. Është e pamundur në këto kushte”, tha Aga.

Ndër të tjera Et’hem Aga komentoi gjithashtu dhe zgjedhjet brenda partisë duke thënë se ka konkurrencë dhe janë të pandikuara. Sa i përket “çështjes Salianji” dhe përjashtimit të tij nga partia, Aga thotë se kjo është sqaruar më së miri nga vetë Sali Berisha.

“Hapja e PD është thelbësore sepse mendoj që dhe ne vitin 2005 ka qenë një hapje e jashtëzakonshme që i dhanë oksigjen. Zgjedhjet brenda partisë nuk janë pa kandidat. Knë një komision për verifikim e kandidaturave. Për Salianjin, Berisha e dha qëndrimi ne tij dhe qëndrojini atij qëndrimi”, tha Aga.