TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka kërkuar ndëshkim për militantët e Sali Berishës të cilët sulmuan me molotov efektivët e policisë te Kuvendi gjatë protestës së dhunshme mbrëmjen e së martës. Në një reagim të parë pas protestës, teksa ka ndarë edhe foto nga arsenali i molotovëve që policia ka sekuestruar, Rama thotë se uron që të bëhet drejtësi për policët e plagosur dhe të ndëshkohen mbartësit e armëve vdekjeprurëse.

Ndërsa dënon aktet e dhunës, kryeministri Rama shkruan se Partia Demokratike, është e vetmja në të gjithë botën demokratike që ushtron dhunë. Rama bën edhe një krahasim mes PD dhe Robert Mugabe, i cili udhëhoqi Zimbabwe nga viti 1980 deri në rrëzimin nga pushteti në një grusht shteti në vitin 2017, duke thënë se është e vetmja parti që i shkon nga pas një tetëdhjetë e kusur vjeçari të damkosur.

"Këto janë bombat artizanale me të cilat janë sulmuar dhe djegur e plagosur mbrëmë punonjësit e policisë, nga e vetmja parti politike në botën demokratike që ushtron dhunë dhe e dyta në historinë e botës së tërë - pas asaj të famëkeqit Robert Mugabhe të Zimbabves - që i shkon mbrapa një tetëdhjetë e kusur vjeçari të damkosur e të lajthitur! Uroj që drejtësia të bëjë drejtësi për policët e plagosur dhe të ndëshkojë pa ngurrim bartësit e këtyre armëve me kapacitet vdekjeprurës”, shkruan Rama.

Shefi i qeverisë kujdeset që t’iu përgjigjet ambicieve të kundërshtarëve politikë të cilët përmes protestave me militantë synojnë të rrëzojnë qeverinë, duke u thënë se përgjigjen do e marrin në zgjedhjet e ardhshme lokale, ndërsa PS do të vazhdojë rrugën drejt Shqipërisë 2030 në BE. 

"Sa për fatin politik të këtij cikli të ri jashtënxjerrjesh në bulevard, ai do të shkruhet si zakonisht në zgjedhjet e vitit të ardhshëm me një disfatë ende më shembullore se sa të mëparshmet, ndërkohë që ne do të vazhdojmë pa u ndalur  rrugën drejt Shqipërisë 2030 në Bashkimin Europian", e mbyll Rama postimin e tij. 

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu akuzoi PD-së se përdori fëmijë për të gjuajtur policët, për të shpëtuar nga ndëshkimi ligjor urdhëruesit, që sipas saj, edhe i kanë paguar grupet e dhunës.

"Përpjekja e dështuar për të ardhur në pushtet duke goditur punonjësit e rendit, duke djegur institucionet, e për më tepër duke përdorur të miturit për të hedhur molotovë apo sende të forta mbi punonjësit e Policisë, që të mos ndiqen penalisht autorët e vërtetë, është një akt i turpshëm dhe i dënueshëm. Kush tenton të vrasë policin, kush tenton të djegë institucionet, nuk merr as çmimin si terroristi më i mirë, as mirënjohjen e partisë së tij, por shkon në burg dhe merr ndëshkimin e parashikuar nga ligji", tha ministrja. 

U bëj thirrje organeve të drejtësisë, t’i trajtojnë me përgjegjësinë maksimale dhe ligjore këto sulme barbare ndaj uniformës, pas të cilave qëndrojnë padyshim urdhëruesit e fshehur pas imunitetit, nën drejtimin e Sali Berishës; një dhunues përsëritës i sulmeve ndaj institucioneve dhe rendit kushtetues.   

"Është pikërisht kjo arsyeja, përse protestat e Partisë Demokratike janë braktisur masivisht nga qytetarët. Duke përfunduar tek një grusht militantësh, apo elementë të paguar për të krijuar skenarë imagjinarë të një revolte popullore. Kjo është e papranueshme", tha ajo.

Edhe ministri i drejtësisë, Besfort Lamallari falënderoi punonjësit e policisë, dhe bashkë me pamjet ku tregohen flakët mes tyre, e quajti gjuajtjen me molotovë, një akt kriminal, i nxitur dhe i organizuar. 

Pas protestës së dhunshme, Policia e Tiranës arrestoi 21 militantë të Sali Berishës, mes tyre 4 të mitur, ndërsa u sekuestruan 22 molotovë të pashpërthyer. Aktet e dhunës drejt efektivëve janë dënuar ashpër edhe nga përfaqësues të Partisë Socialiste dhe ministrja e Brendshme Albana Koçiu, që militantët e PD i quajti kriminelë të organizuar që synim kanë pasur sulmin ndaj policëve.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 19:55
'U përdorën bomba vdekjeprurëse kundër policëve'- Braçe reagon sërish për protestën e PD: Mundësia për ta shkruar në Kodin Penal u dogj të martën

1770643537_erionbrae.jpg

Erion Braçe

Deputeti socialist Erion Braçe reagoi ashpër sot në lidhje me aktet e dhunës në protestën e së martës të Partisë Demokratike ku mbetën të plagosur 19 efektivë të Policisë së Shtetit.

Në një reagim publik në rrjete sociale, Braçe i cilësoi molotovët e përdorur nga militantët e Sali Berishës si “bomba vdekjeprurëse”. Ai kritikoi relativizimin e rrezikut të tyre por edhe mundësinë e 'djegur' që përdorimi i tyre të konsiderohej me ligj si një akt terrorist.

"Molotovi i ri si armë vdekjeprurese! Këto janë bombat e përdorura dje kundër policëve e në një rast ndaj gazetarëve, po e përsëris, vdekjeprurëse! Po e theksoj, sepse sot gjithë ditën pashë relativizim dhe shmangie prej këtyre bombave; kështu bëjnë dhe organet e drejtësisë! Ështe një gjysem litri benzinë e lidhur me një fishekzjarr me fitil, shpërthyese, në kontakt me benzinën behet zjarrvënëse, përmes avujve të benzinës bëhet përvëluese! U panë dje; Dogjën në gradë të ndryshme disa policë! Të marten që shkoi, në Kuvend kërkova që në ndryshimet që po diskutoheshin në kodin penal, të kriminalizohej molotovi si armë vdekjeprurëse dhe përdorimi i tij në turmë të konsiderohej terrorizëm i brendshëm, siç dje ishte dhe u provua i tillë! Nuk dëgjoi kush! Ështe ai efekti i të përtuarit per të menduar! Sot i pashë në rradhë të shkruanin tamam për molotovin si armë vdekjeprurese të përdorur nga një grup kriminal! Mirë shumë! Por mundesia per ta shkruar këtë në Kodin Penal u dogj të martën që shkoi se njeri aty përtoi të mendonte! Ndaj do vijoj ta them se të pertosh të mendosh është më krim se shpërdorimi i detyrës!" shkroi Braçe në Facebook 

 

Postimi i Erion Braçes në Facebook 
Ora 12:36
Protesta e PD/ Ministrja Koçiu: Sali Berisha një dhunues përsëritës, akte barbare ndaj Policisë së Shtetit! Vetë fshihen pas të miturve

 

Ministrja e Brendshme Albana Koçiu ka reaguar ditën e sotme për protestën e zhvilluar dje nga Partia Demokratike, ku si pasojë e dhunës së ushtruar nga militantët demokratë, 16 efektivë të Policisë së Shtetit mbetën të plagosur.

Koçiu shkruan se hedhja e molotovëve, mjeteve piroteknike të tjera sendeve të forta, është një dhunë barbare e ushtruar ndaj uniformës së policisë, e orkestruar nga Sali Berisha. Ministrja thotë se ky nivel protestash është një përpjekje e dështuar e PD për të ardhur në pushtet duke përdorur të mitur për aktet e dhunës me qëllim msodënimin e aktorëve të vërtetë.

Deklarata e plotë e ministres së Brendshme Albana Koçiu:

Përpjekja e dështuar për të ardhur në pushtet duke goditur punonjësit e rendit, duke djegur institucionet, e për më tepër duke përdorur të miturit për të hedhur molotovë apo sende të forta mbi punonjësit e Policisë, që të mos ndiqen penalisht autorët e vërtetë, është një akt i turpshëm dhe i dënueshëm. Keqpërdorimi i të miturve për të kryer akte dhune është vepër penale, por është gjithashtu një shkelje e rëndë morale. E këtu një rol të posaçëm mund dhe duhet të luajnë institucionet, shoqëria civile dhe vetë familja, për t'i mbrojtur këta ta mitur nga përdorimi dhe instrumentalizimi me qëllime të errëta të politikës kriminale.  

Është pikërisht kjo arsyeja, përse protestat e Partisë Demokratike janë braktisur masivisht nga qytetarët. Duke përfunduar tek një grusht militantësh, apo elementë të paguar për të krijuar skenarë imagjinarë të një revolte popullore. Kjo është e papranueshme. E drejta për të protestuar, nuk është e drejtë për të dhunuar, për të shkatërruar, apo aq më pak, për të tentuar gjymtimin apo vrasjen e efektivëve të Policisë. Ndaj, Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Shtetit nuk do të qëndrojnë duarkryq. Autorët e këtyre akteve barbare do të ndëshkohen maksimalisht, sipas ligjit.

U bëj thirrje organeve të drejtësisë, t’i trajtojnë me përgjegjësinë maksimale dhe ligjore këto sulme barbare ndaj uniformës, pas të cilave qëndrojnë padyshim urdhëruesit e fshehur pas imunitetit, nën drejtimin e Sali Berishës; një dhunues përsëritës i sulmeve ndaj institucioneve dhe rendit kushtetues.     Personat përgjegjës, duhet të kuptojnë se nuk kanë asnjë mburojë politike mbi kokën e tyre. Kush tenton të vrasë policin, kush tenton të djegë institucionet, nuk merr as çmimin si terroristi më i mirë, as mirënjohjen e partisë së tij, por shkon në burg dhe merr ndëshkimin e parashikuar nga ligji.

Sot, solidaritet maksimal për të gjithë punonjësit e policisë të plagosur, si dhe për të gjithë kolegët e tyre, që edhe një herë më shumë kryen me profesionalizëm detyrën, duke mos rënë pre e një strategjie të qartë terrori, përmes provokimit të përsëritur dhunës e të gjakderdhjes. Vetëpërmbajtja e forcave të rendit, në kushtet më ekstreme, është një garanci e jashtëzakonshme për të gjithë qytetarët e ndershëm, që pavarësisht bindjeve të tyre politike, janë të bashkuar në dëshirën për të mos parë dhunë e aq më pak, ripërsëritjen e ngjarjeve të mbrapshta përpara syve të tyre. Nuk ka asnjë tërheqje përballë akteve kriminale, të një minorance të dhunshme me maska, që fshehin fytyrën, por nuk mbulojnë dot qëllimin e tyre.  Do të jemi përherë në krah të punonjësve me uniformë, gazetarëve dhe njerëzve të medias në krye të detyrës, dhe të gjithë atyre, që e ushtrojnë të drejtën kushtetuese të tubimit, në respekt të ligjit dhe bashkëjetesës në një shoqëri demokratike.

Ora 11:07
Protesta e dhunshme e PD/ Bardhi i përgjigjet Ramës: Vendosmëria e opozitës nuk shuhet me gaz lotsjellës

1770639674_bardhi.jpg

Deputeti demokrat, Gazment Bardhi i është përgjigjur kryeministrit Edi Rama, i cili e cilësoi të dhunshme protestën e Partisë Demokratike mbrëmjen e së martës. Në një postim në Facebook, Bardhi shkruan se Rama foli si të gjithë diktatorët që duan të mbajnë pushtetin me dhunë.

Ligjvënësi opozitar shkruan se vendosmëria e opozitës nuk shuhet as me gaz lotsjellës dhe as me shkopinj gome.

“Edi Rama sot foli si të gjithë diktatorët që duan ta mbajnë pushtetin me dhunë. Qetësia dhe siguria e tij janë zhdukur nga frika dhe paniku. Edhe reagimi sadist i policisë mbrëmë kundër njerëzve të lirë, qytetarëve, deputetëve, të miturve, reflektoi frikën e Edi Ramës për humbjen e pushtetit.

Edi Rama ka frikë. Frikë se njerëzit nuk heshtin më. Frikë se ata nuk tërhiqen. Frikë se opozita nuk zmbrapset.

Është një aksiomë e pashkruar: kur pushteti fillon të veprojë me mllef, urrejtje dhe armiqësi ndaj kundërshtarëve politikë, ai po ndien fundin. Por e siguroj Edi Ramën se vendosmëria e njerëzve të lirë dhe e opozitës nuk shuhet as me ujë me piper, as me gaz lotësjellës, as me shkopinj gome.

Protestat do të vazhdojnë, sepse asgjë nuk e ndal dot më ndryshimin. Gazi lotsjellës, skafandrat e policisë, shkopinjtë e gomës, dhuna barbare e Edi Ramës nuk mund ta ndalin kohën. Koha e tij po mbaron”, shkruan Bardhi.

Ora 07:16
19 efektivë të lënduar nga protesta e PD, Lamallari dënon dhunën ndaj tyre: Sulm i organizuar kriminal

Ministri i Drejtësisë ka reaguar përmes një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale ndaj dhunës kundrejt punonjësve të policisë nga protestuesit e PD. Besfort Lamallari shprehet se akte të tilla janë shkelje flagrante dhe e dënueshme e së drejtës për tubim.

Gjithashtu ai ka shprehur solidaritet për familjarët e të lënduarve, ndërsa e quan protestën një sulm të organizuar kriminal.

“Mirënjohje për punonjësit e Policia e Shtetit, të cilët për fat të keq, krahas mundimit të përditshëm për të ofruar më shumë siguri për qytetarët, u duhet të përballen me vetëpërmbajtje duke rrezikuar dhe jetën nga akte të tilla kriminale, të cilat janë një shkelje flagrante dhe e dënueshme e të drejtës legjitime për tubim paqësor!

Solidaritet me familjarët e punonjësve të lënduar dhe të gjithë ata të cilët kanë ndjekur me ankth përmes medias se si prindërit, bijtë, bashkëshortët dhe vëllezërit e tyre rrezikuan jetën nga një sulm i nxitur dhe i organizuar kriminal”, shkruhet krah videos.

Në Spitalin e Traumës u paraqitën 10 efektivë, ndërsa në QSUT 9. Policët u lënduan gjatë përplasjes me protestuesit, të cilët hodhën molotvë e fishekzjarrë. Punonjësit pësuan dëmtime të shumta, teksa disa prej tyre u panë teksa u digjeshin edhe uniformat.