Protesta, organizatorët dhe kërkesat që duhet të ketë lëvizja ishin në qendër të debatit mes aktivistit Migen Qiraxhi dhe avokatit Edmond Petraj në emisionin “Sot Live në Shqipëri” në Report TV. Teksa protesta ka hyrë në ditën e saj të 15-të, të dy ndanë qëndrime të ndryshme për mënyrën se si duhet të vazhdojë ajo.

Një nga çështjet e diskutuara ishte pikërisht debati për organizimin e protestës dhe përpjekjet për të identifikuar drejtuesit e saj. Për Qiraxhiun, ky diskutim nuk është i një rëndësie të madhe.

“Ka dy garanci që kjo protestë të rritet, është që qytetarët të dinë që nuk po i shërbejnë dikujt dhe qëllimi i tyre është Rama dhe Berisha në burg. Qytetarët nuk i shërbejnë askujt por po godasin establishmentin. Përpjekjet për të gjetur organizatorët janë të panevojshme”, tha ai.

Sipas aktivistit, protesta duhet të mbetet e fokusuar te kërkesa e saj e panegociueshme për dorëheqjen e Ramës dhe jo te emrat e individëve që mund të identifikohen si organizatorë.

Ndryshe e sheh situatën avokati Edmond Petraj, i cili argumentoi se çdo lëvizje ka nevojë për strukturë, dhe objektiva të qarta për të pasur vazhdimësi. Sipas tij protesta rrezikon të humbasë kauzën nëse nuk përcakton qartë drejtimin e saj.

Nga ana tjetër, Petraj gjithashtu kritikoi partitë politike që po përpiqen ta bëjnë pis protestën. Një prej tyre është Sali Berisha.

“Secila nga partitë që bëhet pjesëmarrëse në protestë kërkon ta privatizojë atë. Më duket duhet të largohet politika e vjetër. Shikojmë grupime të ndryshme që duan ta bëjnë pis. Shoh Berishën që jep leje të shkojnë simpatizantët e PD dhe deputetët. Nëse kjo protestë nuk ka një grupim... unë shoh disa pole që ka qejfmbetjet e veta” tha ai.  

Një tjetër pikë ku u ndal debati ishte edhe çështja e kërkesave politike. Qiraxhi tha se protesta tashmë ka një kërkesë kryesore dhe nuk sheh hapësirë për negociata.

“Ka një kërkesë parësore që është dorëheqja e Ramës. Sa më shpejt të realizohet aq më shpejt i jep frymëmarrje. Askush nuk do të negociojë me atë. Kërkesa jonë është dorëheqje. Çfarë ka për t’u negociuar këtu”, deklaroi ai.

Ndërsa Qiraxhi foli për një tezë politike që sipas tij po artikulohet gjithnjë e më qartë nga protesta, Petraj argumentoi se lëvizja duhet të fokusohet te objektiva konkrete.

“Nëse nuk ndryshohet kodi zgjedhor nuk kemi asgjë në vijë. Është e destinuar të dështojë nëse nuk ka një grup nismëtar, Pa ndryshimin e kodit zgjedhor është e kotë të vazhdojë cdo protestë. Protesta është pozitive sepse PD dhje opozita nuk arriti të nxjerrë në shesh qytetarët e Tiranës. Duhet që protestuesit ti bëjnë kërkesat të qarta”, tha avokati.

Debati preku edhe marshimin drejt Rinasit, që ka qenë një nga momentet më të diskutuara të ditëve të fundit. Qiraxhi pranoi se jo të gjithë e kanë parë si zgjedhjen më të mirë.

“Unë mendoj, edhe disa grupime mendojnë që zgjatja drejt aeroportit ishte një vendim i gabuar për të qenë marshimi aq i gjatë, sepse është i lodhshëm, ka fëmijë nëna, gra e pleq”, tha ai.

Nga ana tjetër, Petraj e cilësoi marshimin drejt aeroportit si sfilitës për pjesëmarrësit dhe e përdori si shembull të nevojës për më shumë organizim.

“Marshimi drejt Rinasit ishte sfilitës. Të vesh në Rinas kërkon 2 orë në këmbë. Do të ketë pasur shumë njerëz që nuk kanë shkuar dot në shtëpi nga rraskapitja” tha ai

Biseda mes të dyve në Report TV konfirmoi dy pikëpamje të ndryshme për të ardhmen e protestës. Deri në fund, Qiraxhi mbrojti idenë se protesta nuk duhet të identifikohet me organizatorë të caktuar, ndërsa Petraj këmbënguli se pa organizim dhe kërkesa konkrete ajo rrezikon të humbasë forcën.