Ditën e nesërme, banorët e fshatit Baks-Rrjoll në Velipojë do e zhvendosin para SPAK protestën e tyre kundër ndërtimit të resortit të biznesmenit dhe botuesit Bashkim Ulaj.

Me pretendimin se Ulaj po u grabit pronat, banori i fshatit Rrjoll tha në një lidhje për emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report TV se protestës para SPAK do i bashkohen qytetarë nga gjithë Shqipëria që kanë të njëjtën problematikë.

“Nesër kemi një protestë pranë SPAK, ku do i tregojmë SPAK për të tretën herë që po e bëjmë këtë protestë, jo vetëm fshati i Baks-Rrjollit, por e gjithë Republika e Shqipërisë, ku ka persona që kanë probleme me pronat e tyre, janë të thirrur që të paraqiten prënë SPAK për të treguar edhe njëherë problemet e tyre që kanë me drejtësinë. Ne jemi pasur komunikim me Kuvendin e Dukatit të Vlorës, por edhe me vlonjatë të tjerë si nga Orikumi. Po ashtu kemi pasur bisedime edhe me persona nga Mallakastra, edhe nga Durrësi, edhe nga Dukagjini, të cilët nesër janë prezentë pranë SPAK për të shprehur atë dëshirë që kanë për të mbrojtur pronat e tyre”, tha mes të tjerash Molla.

Ndërkohë avokati Klodian Reçi e quajti të papranueshme heshtjen e institucioneve për këtë çështje, duke i bërë thirrje SPAK që vihet në lëvizje.

Reçi tha se qeveria shqiptare është bashkëpunëtore në atë që ai e cilësoi si grabitje të tokave të banorëve të Rrjollit nga biznesmeni Bashkim Ulaj. Reçi tha se qeveria madje ka ndërtuar edhe rrugën që të çon te resorti që Ulaj po ndërton, duke lënë pas dore sipas tij rrugën nga Lezha në Shkodër.

Ai foli edhe për grupe të strukturuara kriminale që sipas tij po grabisin tokat e qytetarëve për ndërtimin e resorteve luksoze në bregdet dhe jo vetëm.

“E vërteta është se ata kanë një pronësi që u’a ka marrë shteti komunist në 1947. Nëpërmjet një dokumentacioni të plotë, përgjatë gjithë kësaj periudhe edhe pas viteve 1990 kanë bërë një sërë procedurash për ta marrë të drejtën e pronësisë. Për shkak të shumë interesave meskine që kanë qenë në mes nuk e kanë bërë të mundur këtë dhe megjithatë e fundit ka qenë që në shkurt 2026 vendimi i Gjykatës së Apelit ka krijuar një të drejtë për njërin nga fiset aty, duka ia njohur të drejtën e pronësisë. Ka një vendim gjyqësor që pritet të zbardhet brenda muajit mars dhe të krijojë tamam atë të drejtën e tyre për ta legjitimuar atë protestë që ata e bëjnë për interesat e pronës së tyre. Nga ana tjetër shohim një mos-reagim të institucioneve. E papranueshme që edhe SPAK të vijojë në këtë gjum letargjik, me këto kallëzime penale, ku më i fundit ka qenë edhe para disa ditëve, ku janë administruar një sërë informacionesh që tregojnë për një strukturë kriminale për falsifikim dokumentash. E njëjta skemë si në Lezhë. Të gjitha këto kanë ndodhur me miratimin e shtetit. Pse është gjithë ky interes për Rrjollin? Ka një sërë faktesh që e çojnë te ndërtimi i këtij resorti. Që është pika fundore. Pika kryesore ishte të bëhej infrastruktura. Janë shpenzuar qindra milionë euro. Dhe në vend që të përfundohej rruga nga Lezha deri në Shkodër, bëhet një rrugë që do i shërbejë vetëm një resorti”, tha Reçi.

Pretendimet për grupe kriminale që po grabisin pronat e qytetarëve i mbështeti edhe avokati Ndue Pjetra. Ai tha se resortet luksoze të ndërtuara me paratë e krimit të organizuar në rrugën nga Shëngjini deri në Velipojë po lulëzojnë përditë.

Avokati shtoi se gjyqet për pronat janë falso dhe shtoi se vetëm SPAK mund të bëjë një hetim të plotë për grabitjen e pronave të qytetarëve.

“Unë besoj që çelësi i suksesit është SPAK. Asnjë prokurori nëpër rrethe nuk mund ta hetojë korrupsionin e qeverisë. Nga Shëngjini deri në Velipojë janë disa resorte që po lulëzojnë përditë. SPAK duhet të ndërhyjë menjëherë në të gjitha resortet. Këta persona vazhdojnë me dokumenta të falsifikuara duke ndërtuar atë zonë dhe duke mos marrë parasysh fare asgjësimin e dokumentave që prona t’i kthehet fshatarëve të asaj zone. Gjyqet e pronave janë falso, nuk funksionon asgjë”, the Pjetra.