FIER- Banorë të fshatit Havaleas, komuna Dërmenas Fier, kanë bllokuar punimet e aksit rrugor në ndërtim by-pass Fier-Levan. Ata kanë protestuar duke kërkuar zbatimin korrekt të projektit të rrugës, si dhe rritje të çmimit për metër katror të tokës pronë të tyre që është shpronësuar për ndërtimin e kësaj rruge.
 
Banorët pretendojnë se firma ndërtuese iu ka shkatërruar sipërfaqen e tokës, madje sipas tyre ka zaptuar gjatë ndërtimit të gjurmës së rrugës edhe s’përfaqe që nuk është parashikuar në projektin fillestar dhe nuk është llogaritur për shpronësim.
 
Ata kanë kërkuar ndërhyrjen e qeverisë dhe ministrisë përkatëse për të zgjidhur këtë konflikt, si dhe rritjen e masës së të hollave për shpronësim për metër katror.
 
Kreu i Komunës Dërmenas Viktor Fasko ka deklaruar se pretendimi i banorëve do të dërgohet në prefekturë dhe në qeveri, ndërsa është shprehur i bindur se gjithçka do të gjejë zgjidhje.
 
Çmimi për metër katror është vendosur me 470 lekë të reja, ndërsa banorët kanë pretenduar se në media të shkruar është vendosur një çmim prej 200 lekë për metër katror, gjë e cila është hedhur poshtë nga kreu i komunës, Fasko.
 
Aksi Fier-levan që lidh autostradën Lushnjë-fier dhe Levan- Vlorë është i gjatë 24 km, dhe është i ndarë në katër lotuese me nga 6 km. Në këtë rrugë punojnë katër firma kontraktuese dhe parashikohet që njëri kah i autostradës të përfundojë verën e ardhshme.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)