“Na thanë se jemi vetëm, se do të lodhemi! E kishin gabim!”
Kështu nisi protesta për Gjuhën Shqipe në sheshin "Skënderbej", nga Mevlan Ademi i cili kishte ardhur nga Shkupi në Tiranë.
Studenti i juridikut, i cili është bërë simbol i protestave, tha përpara kolegëve të tij të Shqipërisë e Kosovës që ishin mbledhur në Tiranë për të protestuar për zbatimin e Kushtetutës nga Maqedonia e Veriut se gjuha është amanet.
“Ne s’kemi karrige për të ruajtur! Ne kemi vetëm gjuhën tonë! Ajo që nisi si problem i kolegëve në drejtësi, sot po kthehet në problem kombëtar. Ne nuk kërkojmë privilegje, vetëm barazi dhe respekt për atë që na takon”, tha Ademi.
Studentët marshuan nga sheshi Skënderbej në Tiranë drejt ambasadës së Republikës së Maqedonisë së Veriut me thirrjen kryesore që provimi i jurisprudencës në universitetet maqedonase të jepet edhe në gjuhën shqipe.
Studentët e Fakultetit Juridik të Tiranës u solidarizuan me bashkëatdhetarët e tyre, ndërsa apeluan për zbatim të ligjit.
“Për ne gjuha shqipe është e shenjtë. Kapur pas flamurit dhe gjuhës shqipe, shqiptarët i kanë mbijetuar shekujve. Shqiptaria nuk di të ndalet, ne do të jemi me ta deri në fund, deri në realizimin e kërkesave të tyre!”, tha njëri prej tyre.
Pranë tyre ishte edhe gazetari Marin Mema i cili theksoi mbështetjen ndaj kësaj kauze.
“Edhe 100-fish më shumë do të bëhemi të gjithë bashkë sepse kombi është mbi çdo parti dhe ne, të rinjtë e këtij kombi që e duam pa interes, do të luftojmë çdo ditë për Shqipërinë!”, tha Mema.
Në mbështetje të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut kishin ardhur edhe studentë nga diaspora.
Studentët deklaruan se protesta e tyre do të vijojë jo vetëm në Shkup e Tiranë por edhe qytete të tjera, derisa institucionet maqedonase të lejojnë studentët shqiptarë atje që të bëjë provimet edhe në gjuhën shqipe, ashtu siç kanë studiuar për vite të tëra.
Studentët e Maqedonisë së Veriut nuk janë vetëm dhe bashkëmoshatarët e tyre nga Shqipëria e Kosova do t’u qëndrojnë pranë deri në realizim të kërkesave. Ky është premtimi që shprehu edhe një prej studentëve të Tiranës, i pranishëm në protestën që po mbahet në Tiranë.
“Ata menduan se studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut janë vetëm, por harruan se një Shqipëri e tërë ka sytë e mendjes e zemrës mbi ta. Shija e pushtetit u bëri gjakun ujë disave dhe i bëri të pyesin nëse vlen ose nuk vlen kauza. Studentë shqiptarë u gjendën nën terror psikologjik, 8 orë rrugëve të Maqedonisë, por nga dëshpërimi për pushtet injoruan atë që i solli në pushtet, gjuhën shqipe. U morën me lapsuse të prodhuara nga lodhja, rebelizmi dhe antagonizmi i tentativave që po bëjnë për të gjymtuar të drejtat e studentëve shqiptarë në RMV. Studentët shqiptarë po bëjnë atë që duhet të bënin politikanët atje. Për ne gjuha shqipe është e shenjtë. Kapur pas flamurit dhe gjuhës shqipe, shqiptarët i kanë mbijetuar shekujve. Shqiptaria nuk di të ndalet, ne do të jemi me ta deri në fund, deri në realizimin e kërkesave të tyre!”, tha studenti.
Një studente nga Fakulteti i Drejtësisë në Tiranë bëri thirrje para moshatarëve të saj për të mbrojtur gjuhën shqipe, kërkesë për të cilën ata protestojnë sot në shenjë solidariteti me studentët e Maqedonisë së Veriut.
“Mos mendoni se zëri juaj nuk dëgjohet. Çdo i ri që bashkohet bëhet forcë për këtë komb. Ne duhet ta shohim si detyrë ndaj kombit tonë, të mos jemi brez indiferent, të jemi brezi që u bashkua, që foli dhe mbrojti gjuhën shqipe me krenari sepse kombi mbahet gjallë nga ata që nuk heqin dorë prej tij!”, tha studentja.
I rreshtuar pas banderolës “Ne jemi bashkë” që është edhe një nga simbolet kryesore të protestës që po mbahet për gjuhën shqipe në Tiranë në solidaritet me studentët e Maqedonisë së Veriut, gazetari Marin Mema tha “askush s’mund të na ndajë.” Ai u bëri thirrje të rinjve që të përpiqen çdo ditë dhe të marrin gjërat në dorë pasi Shqipëria ka nevojë për ta.
“Po e nis nga mesazhi që kemi dhënë me këtë banderolë këtu: ne jemi bashkë sepse sot vërtet jemi bashkë përtej çdo partie, çdo force! Kombi është mbi çdo parti, kombi është i shenjtë, kombi është gjaku e shpirti i çdo shqiptari dhe s’ka kurrkush që mundet të na ndajë! Ne do të jemi çdo ditë krah çdo shqiptari në çdo pëllëmbë të trojeve shqiptare, krah vëllezërve tanë në Maqedoni e kudo sepse ne do të jemi një shpirt, një zemër, një histori, një kulturë, një identitet, një gjak, gjak shqiptar, i shenjtë! Uroj me zemër e shpirt që ne siç jemi sot të gjithë bashkë dhe ju siguroj që jemi shumë bashkë, të përpiqemi çdo ditë, të rinjtë shqiptarë në Shqipëri e kudo është koha të marrin gjithçka në dorën e tyre, është koha që të rinjtë shqiptarë të kthejnë dinjitetin e Shqipërisë dhe trojeve shqiptare! Shqipëria ka nevojë për gjithë këta të rinjtë, shqiptarët kanë nevojë për njerëz që e duan me zemër shqiptarinë ndaj sa më shumë çdo ditë sepse shqiptarinë e bëjnë vetëm ata që e duan vërtet. Është koha për shqiptari, për çdo pëllëmbë të kësaj toke!”, tha Mema.
Pasi mbajtën disa fjalime në nisje të protestës, studentët sapo kanë filluar marshimin nga sheshi ‘Skënderbej’ drejt ambasadës së Maqedonisë së Veriut në Tiranë.
Ata kanë vijuar me thirrjet “Gjuha shqipe, gjuha jonë”, “Duam shqipen zyrtare” dhe “O sa mirë me qen shqiptar!”
Më tej, vijuan duke kënduar edhe këngën “Mora fjalë” të Shkurte Fejzës e duke bërë thirrje për UÇK-në.
Në protestën që po mbahet në Tiranë për gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut, një prej studentëve thotë se nuk do të heshtin. Ai u shpreh se gjuha është amanet dhe sot problemi po kthehet në kombëtar. Studenti nga Maqedonia e Veriut nënvizoi se nuk po kërkojnë privilegje, por barazi e respekt.
“Na thanë se jemi vetëm, se do të lodhemi! E kishin gabim! Kush foli për ju, kush flet për ne, heshtën? Kur vjen dita për të zgjedhur mes karriges dhe gjuhës amtare, zgjedhin karrigen! Ne jo, ne nuk heshtim. Gjuha shqipe është kujtesa jonë, amaneti që na kanë lënë brezat që nuk u përkulën kurrë. Gjuha na mbajti gjallë kur perandoritë erdhën dhe ranë. Gjuha na bashkoi kur na ndanë. Sot na thonë se duhet të kërkojmë leje për ta përdorur? Jo, kurrë! Ne s’kemi karrige për të ruajtur! Ne kemi vetëm gjuhën tonë! Ajo që nisi si problem i kolegëve në drejtësi, sot po kthehet në problem kombëtar. Ne nuk kërkojmë privilegje, vetëm barazi dhe respekt për atë që na takon. Sot na takon vetëm një mesazh: ne jemi një dhe të tillë do të qëndrojmë! Bashkë në çdo sfidë, në mbrojtje të identitetit, gjuhës!”, tha njëri prej protestuesve nga Maqedonia e Veriut.
Komente







