TIRANE- Një grup pedagogësh të fakultetit Shkencave Sociale dhe Filologjikut zhvilluan sot një mbledhje për të diskutuar vendimin për të hyrë në grevë urie. Në përfundim të mbledhjes ata kërkuan mbështetjen nga pedagogët e të gjithë fakulteteve për grevë, ndërkohë që një tjetër vendim ishte ai për ngritjen e një grupi pune për të nxjerrë problematikat e ligjit të arsimit të lartë.
Ndërkohë që kreu i qeverisë u shpreh para dy ditësh se pedagogët që bëjnë thirrje grevë, mes tyre edhe Mark Marku, ish-deputet i Partisë Demokratike, kanë hallin e protestës së 16 shkurtit që po organizon opozita kundër qeverisë (lexo ketu).
Megjithatë, sot mësimi ka vijuar normalisht në të gjitha fakultetet, përveç fakultetit të Shkencave Sociale, ku sot ishte edhe kryetari i opozitës së Kosovës për t'u bashkuar me protestën e disa pedagogeve që i përkasin opozitës në Shqipëri (lexo këtu).
Gjithsesi, edhe tek fakulteti i Shkencave Sociale, mbi 300 studentë kërkuan nga dekani që mësimi të vazhdojë. Ndërkohë që probleme ka pasur edhe te fakulteti i Filologjisë dhe në dy fakultete në Shkodër, ku studentët kanë penduar hyrjen duke bllokuar derën.
Pas përfundimit të takimit, pedagogu Mark Marku u shpreh se ndaj disa kolegëve të tij ka pasur presione pas thirrjes për grevë, por shtoi se nuk beson që do të frikësohen. "Katër nga gjashtë asambletë e pedagogëve janë shprehur kundër ligjit për arsimin e lartë dhe në mbështetje të kërkesës së studentëve.
Nuk luftojmë për numra. Ka presione ndaj pedagogëve në disa fakultete, por nuk mendoj se do të frikësohen. Nuk besoj se do të funksionojë presioni dhe frika. Sot u diskutua edhe për formën e një angazhimi sindikal. Ekziston një, por nuk ka funksionuar. Sindikata të përfaqësojnë interesat e pedagogëve. Kryetari ishte aty dhe tha se do t'u drejtohet për një grevë të përgjithshme" tha Marku.
Ka përfunduar mbledhja e asamblesë së pedagogëve që janë kundër ligjit të arsimit të lartë. Pas diskutimeve për më shumë se dy orë, ata deklarojnë se u qëndrojnë kërkesave të mëparshme, ndërsa kërkojnë nga pedagogët e fakulteteve të tjera që t'ju bashkohen vendimit për grevë. Gjithashtu ata kërkojnë ngritjen e një grupi pune për problemet e ligjit të arsimit të lartë.
"Rikonfirmojme kerkesat e meparshme ne mbledhjen e asambleve. Ftojme të gjitha asamblete e fakultetit te Tiranes dhe te universiteteve te tjera per te analizuar me seriozitet situaten, kerkojme qe t'ju bashkohen vendimit te fakulteteve per greve. Ftojme trupen akademike te UT drejt anagazhimit sindikalist gje që do të shërbejë për mbrojtjen e te drejtave të pedagogëve. Angazhohemi per ngritjen e nje grupi pune per hartimin e nje dokumenti shterues per te gjitha problematikat e ligjit te arsimit te lartë" thuhet në deklaratën e tyre të përbashkët.
Dekani i Fakultetit të Shkencave Sociale, Edmond Rapti është shprehur për mediat se mësimi vijon normalisht në këtë fakultet, me përjashtim të një grupi. "Një pjesë tjetër e pedagogëve sot janë në një grevë të paralajmëruar këto ditë dhe një pjesë e studentëve vazhdojnë me të drejtën e tyre për të protestuar duke ndenjur në hollin e takimit. Albin Kurtin nuk e ka fituar njeri. Unë jam me studentët dhe qeveria është me studentët"tha ai.
Por studentët kundërshtuan deklaratën e dekanit, duke akuzuar se foli me urdhër nga lart. "Në fakultetin e Shkencave Sociale greva e pedagogëve është zyrtare dhe pedagogët e kanë grevën pa afat, nuk ka filluar mësimi. Asambleja e pedagogëve është mbledhur siç e parashikon ligji, me shumicë votash ka deklaruar grevë. Dekani u dërgon e-maile pedagogëve, hajdeni dhe bëni mësim. Dhe në korridore bën rolin e rojeve dhe u thotë studentëve, futuni në mësim ju".
Report Tv siguron videon e momentit të debatit mes grupit të studentëve që kanë bllokuar dy fakultete në universitetin e Shkodrës dhe rektorit Adem Bekteshi. Ai u kërkon studentëve që të hapin derën për të lejuar zhvillimin e mësimit, ndërsa njëra nga studentët i drejtohet duke i thënë se një gjë e tillë do të realizohet kur të vërtetohet doktoratura e tij dhe tenderat.
Debati mes rektorit dhe grupit të studentëve në Shkodër
Studentja: Ti ke fituar kaldajat...
Rektori: Jo, ajo ka qenë e prishur
Studentja: Pse nuk na the që atë ditë, apo pasi të shkonim në spitale
Studenti: Mos e merr personale
Rektori: Jo. Erdha me hapur se keni bllokuar zyrat e universitetit
Studentja: Do i hapim kur ti vërtetojmë të gjitha, cfarë doktorature ke ti, tenderi i ri ku ka shkuar, të gjitha kanë për t'u vërtetuar, kush studentët është me parti dhe kush paguhet, duke filluar nga unë.
Rektori: Po, në vend të gjitha..
Në universitetin e Shkodrës janë bllokuar dy fakultete, i Drejtësisë dhe Fakulteti Ekonomik. Në fakultetet e tjera po vijon procesi mësimor. Studentët shprehen se zgjodhën që t'i rikthehen auditoreve. Ato kanë deklaruar se 20 studentët e ngujuar nuk i përfaqësojnë dhe po përdoren nga politika.
Një grup studentësh të universitetit "Luigj Gurakuqi" kanë bllokuar këtë të hënë hyrjen për të mos lejuar pjesën tjetër të studentëve për të zhvilluar normalisht mësim në fakultetin e Drejtësisë dhe Ekonomikut. Report Tv sjell pamjet e bllokimit që studentët i kanë bërë hyrjes së dy fakulteteve dhe rektoratit. Ditën e sotme ishte vendosur të riniste procesi mësimor, pasi përreth dy muaj, që nga nisja e protestës, studentët e këtij universiteti nuk kanë ndjekur auditore.
Studentët e "Luigj Gurakuqit" kanë dorëzuar në mes të muajit janar dy kërkesa në Rektorat, që konsistonin në: 1) Zhvillimin e zgjedhjeve të reja për Këshillin Studentor, me pretendimin se aktuali nuk i përfaqëson ata. 2) Kalimi i studentëve të vitit të dytë në vit të tretë me 25 pikë kredite dhe jo 30 pikë kredite, për arsye ekonomike. Ata janë shprehur përgjatë këtyre dy muajve se bojkoti i mësimit do të vijojë deri në plotësimin e kërkesave të tyre.
..Arsimi..,sidomos ai Universitar..,eshte 80% i Nepotizuar nga Teserat e PD_se,bijat e PD_isteve etj
PërgjigjuUniversiteti I Shkodres se bashku me punojsit e Bashkis jane baza e kamikazve te PD.Te shikohet e te studiohet mbyllja e tij, si vater arsimore teper e politizuar
Përgjigju