Lumë komentesh kanë vërshuar në profilin e deputetit socialist Erion Braçe, pas komenteve të këtij të fundit se protesta ka humbur qytetarizmin me dhunën e ushtruar drejt deputetëve të vendit e sidomos ndaj Policisë së Shtetit.

Madje në profilin e tij ka dhe nga ato komente që shkojnë deri në kërcënime me jetë.

Ai e quan këtë fushatë "fashizëm online" që duhet të përballet me forcën e ligjit, sepse kërcënimet janë të drejtpërdrejta, sulmet fizike dhe dhuna po ashtu, ndaj si të tilla to duhet të marrin fund.

"Ndërkohë që po shkruaj, një tjetër kërcënim me emër e mbiemër mbërriti këtu dhe thotë që do më vrasë shumë më shpejt nga ç'mendoj unë! ", shkruan ndër të tjera Erion Braçe.

Deputeti socialist i përgjigjet tërthorazi edhe një eurodeputete të Parlamentit Europian, e cila publikoi në llogarinë e saj përgjigjen e Erion Braçes ndaj një aktiviste që e kishte ofenduar në komente dhe ai i ishte përgjigjur me mesazh privat në Instagram.

"Me dhunë po krijohet ideja që sulmi fizik, i drejtpërdrejtë, pastaj me vezë, miell, gurë, pllaka, hekura etj., është demokratik dhe ndodh në Evropë; i mëshuan kësaj edhe kjo nënë eurodeputete dhe deputetë që i përkasin botës së dhunshme në vendet fqinje. Jo, dhuna nuk është demokratike, dhuna është krim! Nuk tolerohet", vijon reagimi i Erion Braçes.

Reagimi i plotë i Erion Braçes

Përgjigjja ime për; gjithë sharësit, fyesit, kërcënuesit dhe disa që thonë “jemi gra”; këtë nënën eurodeputete; ky është fashizmi i ri që lufton çdo mendim ndryshe! Një fytyrë me jaht u shfaq të martën në profilin tim, komentoi në një postim timin pas dhunës të paradites; goditjes së policisë. Është ky komenti që në videon e parë, i plotë, se në ankesën e tij për nënën eurodeputete, e kishte fshirë një pjesë;

Lexojeni, jo vetëm legjitimon dhunën, por edhe kërcënon. Çfarë kam thënë unë është e gjitha aty. I kam thënë shumë qartë fytyrës me jaht që të vijë e të mi thotë përballë, edhe me vezë, siç kërkoi vetë, madje edhe në shtëpinë e tij, meqë unë e kam praktikë që njerëzve që kërkojnë deputetin u shkoj atje ku jetojnë! Kaq! Videot dhe fotot pas tij janë me GRA, pra me profile që thonë “JEMI GRA”; janë ankuar edhe këto, e fundit një me mbiemër të madh sot paradite. Unë besoj që nuk janë gra, nisur nga fjalori banal i burrave që përdorin publikisht, për më tepër kur jetojnë jashtë!

Nejse, tani. Me dhunë po krijohet ideja që sulmi fizik, i drejtpërdrejtë, pastaj me vezë, miell, gurë, pllaka, hekura etj., është demokratik dhe ndodh në Evropë; i mëshuan kësaj edhe kjo nënë eurodeputete dhe deputetë që i përkasin botës së dhunshme në vendet fqinje;

Jo, dhuna nuk është demokratike, dhuna është krim! Nuk tolerohet! Po me dhunë po krijohet ideja se është demokratike të mësysh në profilin e tjetrit, të shash, të fyesh, të sulmosh, të kërcënosh nga profile me zero postime, pa fytyrë, pa emër; madje i zoti i profilit jo vetëm duhet ta pranojë këtë, por duhet të ndryshojë mendim sepse këta që shkruajnë, shumica dërrmuese nga jashtë, janë të rinj, janë e reja, Shqipëria e re. Jooo, ky është fashizmi i ri online!

"Me plumb ballit", thotë një grua aty!

Vo: Ndërkohë që po shkruaj, një tjetër kërcënim me emër e mbiemër mbërriti këtu dhe thotë që do më vrasë shumë më shpejt nga ç'mendoj unë! Nuk do të ankohem tek nëna eurodeputete, por ligji duhet të veprojë ama, edhe pse këta i mbron nëna eurodeputete!