Një akt normativ me fuqinë e ligjit, që hyn në fuqi menjëherë, u miratua këtë të premte nga qeveria dhe synon të adresojë çdo dëm ekonomik që bëhet nga aktet vandale në protestat e ardhshme, duke filluar nga ajo e paralajmëruar për ditën e shtunë.

Duke qenë se me Aktin e mëparshëm Normativ të 28 tetorit 2026, qeveria angazhohej të kompensonte bizneset vetëm për dëmet e protestave në periudhën 13-22 tetor 2026, ekzekutivi ka përgatitur bazën ligjore për çdo tubim në të ardhshmen.

Ligji sanksionon se shkaktuesi i dëmit është ai të cilit i vendoset barra fiskale, nëpërmjet mekanizmave të rikuperimit të shumave të paguara nga shteti. E veçanta është që Akti Normativ do të zbatohet edhe për tubimet me rastin e veprimtarive sportive, kulturore ose festive.

Sa i përket procedurave, protestuesit të cilët identifikohen që kanë kryer dëme ndaj pronës publike ose private do të thirren nga avokatura e shtetit për të bërë një marrëveshje në mënyrë që dëmet të paguhen me mirëkuptim. Nëse refuzohet marrëveshja ndiqet rruga ligjore.

Por përgjegjësia financiare nuk do të kufizohet vetëm te personat që kryejnë aktet e dhunës. Ajo mund të shtrihet edhe te organizatorët dhe drejtuesit e protestave.

“Organizata ose individët që kanë zhvilluar, drejtuar dhe organizuar tubimin, nëse ka të tillë, përgjigjen solidarisht me autorët për dëmin, me përjashtim të rastit kur provohet se veprimet e dhunshme nuk janë nxitur prej tyre dhe se nuk kanë pasur mundësinë që t’i parandalojnë ato”, thuhet në një prej neneve të aktit normativ.

Kjo do të thotë se organizatorëve të protestave mund t’u kërkohet të paguajnë edhe për dëmet e shkaktuara nga persona të tjerë, nëse nuk plotësohen kushtet për përjashtimin nga përgjegjësia.

Megjithatë, në nenin 5 përcaktohet se vetëm pjesëmarrja në një protestë nuk përbën shkak për përgjegjësi civile.

“Askush nuk përgjigjet sipas këtij akti normativ vetëm për shkak të pjesëmarrjes në një tubim. Përgjegjësia sipas këtij akti normativ lind vetëm nga veprimet ose mosveprimet e personit ose të organizatës, ku përfshihen edhe organizimi dhe nxitja e akteve të dhunës, përveç ekzekutimit të këtyre akteve”, thuhet në nenin 5.

Nga kompensimi shtetëror mund të përfitojnë qytetarët dhe bizneset me aktivitet tregtar nën 14 milionë lekë në vit, për pronat që nuk janë të siguruara ose për dëmet që nuk mbulohen nga kontratat e sigurimit.

Kompensimi mund të kryhet edhe në rastet kur policia nuk ka arritur të identifikojë autorët e dëmtimit.

Një nga risitë e aktit normativ është mundësia që detyrimet financiare të shlyhen edhe përmes punës në interes publik.

“Avokatura e Shtetit mund të lidhë marrëveshje me debitorin që detyrimi i tij të shlyhet tërësisht ose pjesërisht me punë në interes publik”, thuhet në nenin 10.

Ky mekanizëm parashikohet të zbatohet edhe për të miturit, me pëlqimin e prindërve dhe pasi të dëgjohet njësia për mbrojtjen e fëmijës.

Ndryshe nga dëmet ndaj pronës private, për të cilat kompensimi nga shteti do të vendoset rast pas rasti, për dëmtimin e pronës publike Avokatura e Shtetit do të kërkojë në çdo rast shpërblimin e dëmit nga personat përgjegjës.

Kliko ketu per te lexuar dokumentin e plote