Kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar pas intervistës së kryeministrit Edi Rama në televizionin "France 24", kur i quajti çështje të brendshme protestat e opozitës. Kreu i qeverisë u pyet nga gazetarët francezë për goditjen e gazetarit Bledi Kasmi, por ai nuk e komentoi këtë episod duke trajtuar në tërësi protestat e opozitës. 

Ndërsa kryetari i PD, Lulzim Basha përmes një postimi ne Facebook thotë se qëndrimi i Ramës është i rrezikshëm, pasi ai në këtë mënyrë nxit dhe mbron dhunën ndaj gazetarëve. 

Qëndrimi i Edi Ramës për dhunën e policisë ndaj gazetarit Bledi Kasmi si çështje e brendshme që nuk meriton vëmendjen e medias ndërkombëtare është i dënueshëm dhe i rrezikshëm. Me këtë qëndrim, Edi Rama vetë-demaskohet si kryepushtetari që nxit dhe mbron dhunën ndaj njerëzve të medias. Paprekshmëria e jetës dhe lirisë së individit dhe liria e shprehjes janë vlera universale dhe themeli i sistemit demokratik perëndimor dhe Bashkimit Europian.

Është e papranueshme jo vetëm për gazetarët dhe median e lirë shqiptare, jo vetëm për të drejtat e njeriut në Shqipëri, por edhe për aspiratën europiane të Shqipërisë të kemi një kryeministër të tillë që nuk ka lidhje me standartet minimale perëndimore por që ngjan si dy pika uji me autokratët injorantë dhe të dhunshëm të Lindjes. Edi Rama është sot pengesa kryesore e përparimit dhe integrimit europian të Shqipërisë. 

Lulzim Basha, kryetar i PD