Kryetare e Komisionit për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm, Anila Denaj, është shprehur se Shqipëria sot ka nevojë për turizmin elitar.
Komentet Denaj i bëri gjatë fjalës së saj në Kuvend, ku po diskutohej mbi ndërtimin e resortit turistik në Zvërnec, projekt që po kundërshtohet fuqishëm nga banorët e zonës dhe qytetarët.
Denaj shtoi gjithashtu se çështja e pronave nuk është çështje për t’u diskutuar dhe për të marrë ‘vëmendjen’ e seancës plenare, por sipas saj, është çështje për t’u shqyrtuar në gjykatë.
“Investimet e huaja direkte, vetëm vitin e shkuar arritën në 1.63 miliardë euro dhe stoku i investimeve të huaja është në 17 miliardë euro. Janë gati 18 mijë kompani të huaja që operojnë në Shqipëri, që punësojnë një numër të konsiderueshëm ekspertësh e punonjësish shqiptarë. Janë 7800 biznese, që vetëm në 4 muajt e parë të këtij viti, i janë shtuar numrit të bizneseve në Shqipëri. PBB ka arritur në 27 miliardë euro. Ne gjejmë debatin politik për të hedhur baltë, për çështje që nuk janë pjesë e këtij diskutimi. Procesi i tokave nuk është pjesë e kësaj foltoreje, por është pjesë e proceseve të gjykatës. Është një proces jo i lehtë dhe i nisur që nga viti 1991 dhe i trashëguar në vite, sigurisht nga të gjitha administratat. Prandaj nuk mund të përdoret sot për retorikë politikë. Sot kemi mundësinë të mësojmë edhe nga historia e vendeve fqinj, që mezi u ringritën në turizmin që e kanë pjesën më të rëndësishme të tyre, pas krizave të cilat i kaluan me sukses, por jo me lehtësi. Ne kemi mundësi jo vetëm për turizmin e thjeshtë, por edhe për atë elitar. Që të kemi mundësi që shumë turistë elitarë të mos kalojnë përgjatë Mesdheut e të mos ndalojnë në Zhqipëri, por ta ngulin flamurin edhe në vendin tonë”, tha mes të tjerash Denaj.
Lajmi kryesor:
Kuvend/ Berisha mbron investimin në Zvërnec pas 2 ditësh heshtje: Më seriozi në Shqipëri 13 vitet e fundit! Balla: Do të realizohet, komshiu e ka zili komshiun









