“Ne kemi bërë krahasimin mes përgjigjeve tona dhe çelësit që është publikuar nga Ministria e Arsimit. Jemi të vetëdijshëm që ajo çka ne kemi dhënë është më shumë se vlerësimi që na është bërë, ndaj kërkojmë rishikim të testeve të provimit” deklarojnë maturantët. Por, i menjëhershëm ka qenë edhe sqarimi i Ministrisë së Arsimit, e cila sqaron se për vlerësimin e testeve të Maturës Shtetërore është hartuar një skemë vlerësimi (për çdo provim), e cila publikohet në faqen e internetit të MAS dhe AKP. Kjo skemë përdoret nga të gjithë vlerësuesit që korrigjojnë përgjigjet e nxënësve.
Sipas MAS, përpara se të vijohet me korrigjimin e testeve, të gjithë vlerësuesit trajnohen me qëllim qartësimin e të gjitha procedurave. “Korrigjuesit e testeve janë mësues të shkollave të mesme me një përvojë jo më pak se 5-vjeçare në arsimin e mesëm. Testet e nxënësve vlerësohen në mënyrë të pavarur nga dy korrigjues dhe verifikohen nga një i tretë. Bazuar në Rregulloren e MSH, nxënësi ka të drejtën e kërkesës për të marrë fotokopjen e testit. Kjo kërkesë paraqitet në shkollë, e cila më pas kërkesat e mbledhura i dërgon pranë DAR-it përkatës ose ZA-së.
Më pas,kërkesat e nxënësve dërgohen në mënyrë zyrtare në AKP”,- thuhet në reagimin e ministrisë. Ndërsa Agjencia Kombëtare e provimeve më pas procedon me fotokopjimin e testeve dhe i dërgon në DAR-in përkatës me postë. Po kështu edhe në rregulloren e Maturës Shtetërore 2014, maturanti/kandidati ka të drejtë të kërkojë fotokopjen e testit të tij, deri më 265 qershor për provimet me detyrim dhe deri në 5 korrik për provimet me zgjedhje. Ndërsa në udhëzim sqarohen të gjitha procedurat që ndiqen për rishikim të testit, bazuar po në rregullore, AKP nuk bën rishikim të testeve, vetëm në rastin e gabimeve teknike, sekretime gabim, hedhje pikësh gabim.
E gjithë kjo përplasje mes të rinjve dhe MAS ka ardhur pasi një ditë pas daljes së rezultateve, MAS pohoi se vetëm tre nxënës arritën të merrnin 50 pikë të plota dhe 435 të tjerë u vlerësuan me notën 10, ndërkohë që mbi 2400 nuk arritën ta kalonin dot testin. Krahasuar me një vit më parë, në maturën 2014 mbizotëron nota mesatare 7.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 15 qershor 2014
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)