TIRANË- Report Tv mëson detaje të reja lidhur me arrestimin e mjekut Edvin Prifti. Gazetari i Report Tv, Arsen Rusta bën me dije se provave të SPAK, i është shtuar edhe një rast i referuar nga QSUT-ja, bazuar në denoncimin e një qytetari në gusht të 2020. Mësohet se qytetari ka denoncuar se mjeku Edvin Prifti i ka marrë para për t’i kryer operacionin e një të afërmi të tij, por ky i fundit ndërroi jetë. Për pasojë, sipas qytetarit, mjeku i ka kthyer gjysmën e parave të marra e për këtë pretendon se ka edhe SMS.

Ndërkohë, një ditë më parë, në rrjetet sociale ka qarkulluar një audio- përgjim, sipas së cilëve ishte mjeku teksa orientonte një pacient që të shkonte drejt spitaleve private. Me argumentin se QSUT-ja ishte e gjitha e infektuar, ai u thotë që do e operonte të afërmin e tij në një spital privat në kushte më të mira. Edhe për këtë rast, QSUT ka bërë një referim në Prokurorin ë e Tiranës, e cila tashmë, sipas procedurave pritet të shkojë në SPAK.

Mjeku Edvin Prifti u la dy ditë më parë në burg, pasi Prokuroria i shtoi akuzën për pastrimin e parave, edhe pse ai pretendonte se këto para i kishte fituar nga çmime ndërkombëtare që kishte fituar.

Emri i Edvin Priftit doli nga përgjimet që po kryheshin në Gjykatën e Krujës, operacion që u finalizua disa ditë më parë me arrestimin e 13 personave, mes tyre edhe gjyqtarja Enkelejda Hoxha. Mjeku Prifti mori ryshfet nga kryesekretarja e Gjykatës së Krujës, Manuela Mallakuçi për t'i operuar nënën.

Sekretarja e Gjykatës së Krujës Manuela Mallakuçi ka qenë nën përgjim pasi ishte përfshirë në lirimin e të dënuarit Saimir Petani, i cili priste të lirohej nga Enkelejda Hoxha por që nuk u lejua nga SPAK duke e arrestuar atë dhe gjyqtaren Hoxha gjatë seancës. Në një prej shumë bisedave që ka kryer, Mallakuçi është kapur duke folur me Priftin që t’i kryente një operacion jashtë radhe nënës së saj. Kjo gjë ka bërë që prokurori Altin Dumani të nisë një hetim për korrupsion për mjekun Prifti. Gjatë kontrollit, atij iu gjetën 250 mijë Euro dhe 16 mln leke cash në zyrë e shtëpi.