PS braktisi mbledhjen e ‘TIMS’, Gogu: Po shkelej hapur ligji! Salianji: PS kërkon të bllokojë punën, dërgova kërkesat për informacion

Një përpjekje për të ndaluar paligjshmërinë, e cilësoi Toni Gogu vendimin e mazhorancës për të braktisur mbledhjen e komisionit hetimor të TIMS pasditen e së hënës, ku palët diskutuan për më shumë se një orë mbi kërkesat për informacion që duhet t’i dërgojnë institucioneve publike.

Në një reagim të gjatë shpjegues, nënkryetari i komisionit u kujdes të shpjegonte se mazhoranca është e gatshme të votojë çdo kërkesë për informacion, por kërkon vendimi të merret me proces të rregullt votimi.

“Votojmë çdo kërkesë për informacion! Votojmë planin e hetimit!  Votojmë çdo ndryshim apo plotësim të këtij pani!  VOTIMI është rregulli bazë në vendimmarrjen e një Komisioni. Ndaj kur kolegëve të Komisionit iu heq të drejtën për të VOTUAR, se bën sikur nuk i dëgjon, apo bën sikur nuk i sheh, jo vetëm që shkel ligjin, por i heq edhe Komisionit mundësinë që të marrë Vendime. Sa i paaftë apo në keqdashje duhet të jesh që të mos e kuptosh këtë?!”, shkroi Toni Gogu.

Ndërsa kryetari i komisionit, demokrati Ervin Salianji iu përgjigj me një deklaratë nga Kryesia e Kuvendit, me të njëjtën retorikë të përdorur gjatë punës së komisionit, se mazhoranca i druhet informacioneve që mund të sjellin institucionet publike në funksion të hetimit parlamentar.

“E pa dëgjuar është që përfaqësues të mazhorancës të bojkotojnë komisionet hetimore dhe Parlamentit. Ikën dje si skuthat, njëlloj si ndërhyrja në sistemin TIMS për qëllime kriminale. Kam depozituar dje kërkesat për informacion të firmosura nga unë, drejtuar Ramës, ministrit të brendshme, Drejtorit të Policisë, drejtorit të AMP, drejtores së Shërbimit Informativ. PS kërkon që ne të mos bëjmë as kërkesa për informacion dhe të korrektojmë kërkesat nga ekspertët", u shpreh Salianji. 

Institucioneve të cilave u është drejtuar me kërkesa për informacion u kujtoi detyrimin ligjor për të kthyer përgjigje brenda një afati 5 ditor, në të kundër Salianji i paralajmëroi me kallëzime penale. Debatet mes palëve nisën pas mbledhjes së të premtes kur lista me kërkesat për informacion u miratua me 7 vota pro të opozitës dhe 6 kundër të mazhorancës, në mungesë të 2 deputetëve socialistë, që mund të ndryshonin rezultatin e votimit.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:01
‘Kërkuan të anulohej votimi se ishin në tualet’, Salianji: PS po bllokon punën, morën topin në dorë e ikën si kalamaj

 

Kryetari i Komisionit Hetimor për sistemin TIMS në një deklaratë për mediat foli për largimin e PS nga mbledhja e djeshme. Salianj akuzon PS se po përpiqet të bllokojë punën e komisionit, madje edhe me rregullat që ka përcaktuar vetë, referuar këtu ndryshimeve ligjore për komisionet hetimore parlamentare.

“Ky parlament u bë dëshmitar të një ngjarje të paprecedente , ku anëtar të komisionit hetimor, pasi kërkuan 5 minuta pushim, në mënyrë tinëzare nuk u rikthyen me në mbledhje. Anëtarët e PS kanë kërkuar në mbledhjet pasardhëse ndryshim të mendimit që kanë pasur në mbledhjet paraardhëse.

Dje ata kërkonin që të anulohej votimi me justifikimin se kishin enë në tualet. Sot nënkryetari i këtij komisioni thotë që ky komisionin nuk duhet t ë bëjë kërkesa për informacion.

Edhe më këto rregulla që kanë vendosur, sërish duan ta bllokojnë. Kanë përcaktuar që ata të jenë 11 lojtarë ne 5, arbitrit të jenë të përcaktuar nga ata, kur flasin ne në fushë të jetë faull tani marrin edhe topin dhe dalin nga fusha. Si kalamajtë dje, kërkojnë 5 minuta pushim dhe s’dalin të japin llogari para opinionit publik po menduan se do merrnin topin me vete dhe ikën si kalamajtë se u shqetësuan. I bëj thirrje administratës së Kuvendit që të dërgojë sot kërkesat e informacioneve. Është vendimi i ndërmjetëm i komisionit që është i detyrueshëm për të zbatuar”,  u shpreh Salianji.

Ora 12:50
Komisioni Hetimor për të dhënat TIMS, Salianji: Mazhoranca do që ne të mos bëjmë kërkesa për informacion

 

Në konferencë për mediat, deputeti Ervin Salianji sqaroi mbledhjen e fundit të Komisionit Hetimor për të vjedhjen e të dhënave në sistemin TIMS. Salianji shprehet se përfaqësuesit e mazhorancës nuk duan që të kërkohet informacion.

'Kërkesat e PS siç i keni parë nga mbledhja në mbledhje, kanë kërkuar ndryshimin e mendimit që kanë pasur në mbledhjet paraardhëse. Dje kërkuan të anulohej mbledhja e kaluar e Komisionit Hetimor, me arsyetimin qesharak se kishin qenë në tualet. Dje thanë se nuk duhet bërë kërkesë për informacion.

Janë bërë barrikadë një grupi të strukturuar kriminal në policinë e shtetit që ka ndërhyrë në sistemin TIMS. Prandaj jemi në komision hetimor, për të kërkuar një hetim të shpejtë. Partia socialiste do që ne as të mos bëjmë kërkesa për informacion por edhe të korrektojë kërkesat tona.'

Nga ana tjetër, Salianji shton kjo çështje është me rëndësi dhe duhet hetuar menjëherë, ndërsa ikja e mazhorancës dje nga komisioni nuk justifikohet.

'Ikja e djeshme, si skuthat është njësoj si ndërhyrja në sistemin TIMS, natën në errësirë, me persona të papërgjegjshëm. Edhe mbrojtja që iu bëhet këtyre është po ashtu kriminale. Nuk ka asnjë vendimmarrje të ndërmjetme të Komisionit Hetimor që mund të anulohet pa një akt. Ne do votojmë çdo kërkesë për informacion që do të kenë ekspertë të Partisë Socialiste. Dy ekspertët e propozuar nga mazhoranca nuk kishin asnjë propozim.

Cili është shqetësimi i PS që nuk vijnë në komision, sepse ka urgjencë kjo çështje. Nëse nuk do kishte komision hetimor, do ishte ende në punë një personazh që futi njerëz të paautorizuar për të kopjuar të dhëna. Qëndrojnë të njëjtët perona që kanë hyrë si grup, për qëllim të caktuar, të cilit këtë kërkojmë përmes hetimit të zbulojmë. PS kërkon që asgjësojë çdo kërkesë për informacion.

Ç’është ky justifikim, ne nuk ishim, u lodhëm, na dhemb kokën. Qesharak deri në dhimbje. Braktisën detyrën për ti dalë në mbrojtje dhe për të penguar të vërtetën. Janë shqetësuar pasi informacionet e kërkuara do të shërbejnë për ti shkuar hetimit deri në fund.'

Ora 09:48
PS u largua nga mbledhja e ‘TIMS’, Gogu: Salianji po paralizon punën, shkel hapur ligjin! Mendon se ka shkop bejsbolli për t’iu hakërryer kundërshtarëve politikë

Partia Socialiste u largua nga mbledhja e djeshme e Komisionit Hetimor për sistemin TIMS, me pretendimin se opozita miratoi të premten kërkesat për informacion të në mënyrë të njëanshme.

Në një reagim të gjatë në rrjetet sociale, Toni Gogu thotë se kryetari Ervin Salianji po shkel hapur ligjin, duke theksuar se komisioni është i detyruar që çdo kërkesë për informacion ta votojë me votat e të gjithë kolegëve.

Gogu thotë se Salianji po paralizon me arrogancë punën e komisionit hetimor dhe prandaj anëtarët socialistë morën vendimin “për t’u larguar nga ajo shfaqje e shëmtuar”.

Me ironi, Gogu i kujton edhe situatën në PD Salioanjit, duke i thënë se “me batutë në gojë mund të shkelësh edhe Kodin e Etikës së Deputetit, por nuk zhbën dot procedurën parlamentare. Nuk zëvendëson dot votimin”.

Kërkesat për informacion u miratuan nga opozita të premten e 12 prillit Salianji hodhi kërkesën për votim kur në mbledhje ishin vetëm 6 anëtarë nga PS, duke e miratuar me 7 votat e opozitës pa dakordësinë e anëtarëse socialistë që ishin të pranishëm. 

Postimi i plotë i Toni Gogut 

Dje u larguam me dhimbje nga Komisioni Hetimor për trajtimin e të dhënave TIMS. Në mbledhjen e djeshme ishim të shtrënguar që nga anëtarë të një Komisioni Hetimor, të bëheshim dëshmitarë sesi Ligji u shkel sistematikisht me injorancë si një gjë e pavlerë. Ligji që duhet të respektonim për Organizimin dhe Funksionimin e Komisioneve Hetimore na ngarkon ne, ligjvënësve që: (cit.) të hetojnë përmes veprimeve procedurale për të sqaruar një çështje të veçantë (në rastin tonë, veprimtarinë e institucioneve të ngarkuara për mbrojtjen e sistemit TIMS), por pa marrë të pandehur dhe pa ngritur akuzë penale.

Ligji nuk na autorizon të akuzojmë, ndaj sa herë që akuzojmë në vend që të hetojmë, ligji shkelet. Ligji nuk na autorizon të shpallim fajtorë, ndaj sa herë që shpallim të tillë pa bërë ende asnjë pyetje, ligji shkelet. Ne, ligjvënësit anëtarë të Komisionit Hetimor, në zbatim të ligjit për komisionet hetimore, ndihmohemi nga ekspertët ligjorë. Nga ata ekspertë ligjorë të Komisionit, që janë miratuar me shumicë të cilësuar. Ligji ngarkon ekspertët ligjorë për grumbullimin e informacionit dhe hartimin e Planit të Hetimit. Planin e Votimit ne e VOTOJMË, dhe më pas e zbatojmë me përpikmëri në thirrjen dhe pyetjen e dëshmitarëve dhe krerëve të institucioneve.

Sipas Ligjit! Sa i paaftë apo në keqbesim duhet të jesh që të mos e kuptosh këtë?! Ne ligjvënësit anëtarë të Komisionit hetimor Votojmë! Votojmë çdo kërkesë për informacion! Votojmë planin e hetimit!  Votojmë çdo ndryshim apo plotësim të këtij pani!  VOTIMI është rregulli bazë në vendimmarrjen e një Komisioni (dhe jo vetëm). Nuk ka mënyrë tjetër për të marrë vendim! Ndaj kur kolegëve të Komisionit iu heq të drejtën për të VOTUAR, se bën sikur nuk i dëgjon, apo bën sikur nuk i sheh, jo vetëm që shkel ligjin, por i heq edhe Komisionit mundësinë që të marrë Vendime. Sa i paaftë apo në keqdashje duhet të jesh që të mos e kuptosh këtë?!

Të shohësh Kryetarin e një Komisioni Hetimor, që injoron hapur jo vetëm ligjin e Komisioneve Hetimore, por edhe ligjet e logjikës së thjeshtë njerëzore, duke mos ja nënshtruar vendimmarrjen VOTIMIT, e tejkalon dhimbjen për Ligjin e shkelur. Të shohësh dikë që nga karrikja e ligjvënësit REFUZON t'i nënshtrojë VENDIMMARRJEN VOTIMIT dhe beson se demagogjia mund të zëvendësojë procedurën më elementare nga e cila buron çdo vendimmarrje, të bën të ndjehesh i keqardhur edhe për demagogjinë e konsumuar më kot.

Komisioni është i detyruar nga Ligji që të votojë dhe miratojë me votë SECILËN KËRKESË PROCEDURIALE, të përgatitur nga ekspertët që i ka propozuar vetë. Në një situatë si ajo e drejtimit të çartur të Komisionit Hetimor për TIMS-in, jo vetëm që bëhesh dëshmitar i një shkeljeje ligjore, por edhe i një sjelljeje në keqbesim dhe keqdashëse.

Më duhet të shpjegoj se kërkesat proceduriale për informacion që i dërgohen krerëve të institucioneve të rendit dhe sigurisë në republikën tonë, kanë nevojë të mbështeten me vendimmarrjen e deputetëve anëtarë te Komisionit. Për vendimmarrjen nevojitet Votim sipas Ligjit, sepse vendimet e Komisioneve Parlamentare, nuk janë si votimet e 5 mijë delegatëve, që votonin të ulur në 3 mijë karrige, e nga të cilat votime "merreshim vendime" të njoftuara e të zbardhura muaj të tërë përpara votimit.

Secila Kërkesë Proceduriale për informacion meriton vëmendjen dhe VOTËN E KOLEGËVE DEPUTETË. Dhe kur ia mohon këtë të drejtë të gjithë kolegëve, majtas e djathtas, jo vetëm që shkelet ligji, por nëpërkëmbet edhe inteligjenca e votuesve që presin të shohin rezultatet e hetimit parlamentar. Për pak shoë politiko-mediatik, mund t’i qepesh edhe një batute të mjerë, thjesht sepse të ngjason me një shkop bejzbolli me të cilën mund t’u hakërrehesh kundërshtarëve politikë. Me batutë në gojë mund të shkelësh edhe Kodin e Eikës së Deputetit, por nuk zhbën dot procedurën parlamentare. Nuk zëvendëson dot VOTIMIN.

Nuk ka batutë që të shpëton nga procedura ligjore. Komisioni hetimor, është i vetmi instrument që mund të na udheheqë drejt së të vërtetës objektive. Të paralizosh Komisionin Hetimor do të thotë minimumi të shkelmosh me arrogancë pritshmëritë e atyre që beson se të votojnë. Shkelja haptazi e ligjit, Rregullores së Kuvendit dhe Kodit të Etikës, për më tepër me një arrogancë, që sa kohë nuk buron dot nga vota, me sa duket merr frymëzim nga padija, na e bënte të pamundur vijimin e mbledhjes.

Ndaj dhe u larguam, nga ajo skenë e shëmtuar, ku ligji shkelet dhe komisioni hetimor paralizohet me vetdije. Shpresojmë që Kryetari dhe kolegët opozitarë që kanë kërkuar të hetojnë, t’u kthehen pyetjeve dhe të lënë mënjanë deklaratat. Të paktën deri në ditën që Komisioni mund të vendosë t’i thërrasë si dëshmitarë për aq shumë gjëra sa kanë deklaruar dhe pretendojnë se dinë. Atë ditë mund të DEKLAROJNË gjerë e gjatë!

Deri atë ditë është mirë të pyesin dhe të dëgjojnë, pra të hetojnë. Dje u larguam, pasi me keqardhje konstatuam sesi ligji shkelej si të ishte bishti i një cigareje, që e ke ndezur sa për të kaluar mërzitjen apo sëkëlldinë e radhës. Shkelej me këmbë, me duar e me fjalë.U larguam sepse largimi ishte e vetmja mënyrë për të ndalur shkeljen e ligjit.

SI.E./S.Ç/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Magjia e Krishtlindjeve, qindra njerëz shijojnë koncertin festiv në sheshin 'Skënderbej'

Magjia e Krishtlindjeve, qindra njerëz shijojnë koncertin festiv në sheshin 'Skënderbej'