Partia Socialiste doli sot përmes një raporti kundër arrestimit të Belinda Ballukut, pas akuzave të SPAK të ngritura ndaj saj për korrupsion, duke paralajmëruar votën kundër për imunitetin e ish-zv.kryeministres në Kuvend.

Këtë qëndrim të PS-së, pedagogu Ervin Goci, i ftuar në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report TV, e ka cilësuar si të padrejtë dhe si mbrojtje të pastër politike ndaj Ballukut.

Goci tha më tej se më ndryshimin e qëndrimit të mazhorancës në mbështetje të institucioneve të reja të drejtësisë, drejtësia është e vendosur me ‘shpatulla pas muri’.

“Jemi kthyer në pikën zero. U nis si sipërmarrje politike, tani kamuflohet për të thënë që nuk është pengesë politike, por në fakt është pengesë politike. Sepse është vendim politik për të mos e lëshuar mandatin e një ministreje dhe zv.kryeministreje, që praktikisht është funkisionari numër dy pas kryeministrit, e cila është kapur sipas prokurorisë me fakte të rënda. Duke pasur fakte të rënda, ne duhet të shpikim një koncept politik mbi të drejtën. Nëse duam ta shpikim një koncept të tillë mbi të drejtën, duhet ta fusim përmes forumeve të partisë, të hapim diskutime shoqërore.

Se të bëjnë leksione nga një subjekt politik që thoshte ‘ne do votojmë çdo kërkesë që na vjen, pa asnjë lloj hezitimi, sepse nuk jemi ne që i dënojmë, por drejtësia’. Këtu jemi në pikën që ne publikisht po mbajmë pozicion që nuk e pranojmë këtë gjë, hedhim edhe dyshim për te cilësia e drejtësisë, bëjmë edhe arsyetime sesi duhet bërë drejtësia. Dhe në njëfarë mënyre i tërë sistemi relativizohet. Drejtësia vihet me shpatulla pas muri. Këtu po flasim për miliona e miliona euro që janë në lojë. Por nëse janë milionat që ziejnë, çfarë duhet të bëjë prokurori? Apo të rri kot”, tha mes të tjerash Goci.

Ndërkohë avokati Redi Ramaj është shprehur se kryeministri Edi Rama ka filluar të bëjë rolin e prokurorisë dhe gjykatës, duke bërë çdo gjë sipas tij, që të mos e lëshojë Belinda Ballukun.

Ramaj ka vijuar më tej duke thënë se kryeministri Rama dhe PS duhet të mbanin me Ballukun të njëjtin qëndrim që kanë mbajtur edhe për zyrtarët e tjerë të mazhorancës, në mbështetje të punës së SPAK.

Duke pranuar që numri i të paraburgosurve në Shqipëri është i lartë, Ramaj shtoi se çështja Balluku nuk është rasti që të thuhet se masa e sigurisë ‘arrest me burg’ është e ekzagjëruar.

“Kryeministri në kontekstin ligjor po bën gjykatën dhe prokurorinë. Ka marrë rolet e tyre. Fillon dhe interpreton kodin e procedurës penale, duke thënë se kush është rreziku, sa është vepra penale, kush janë veprat penale për të cilat akuzohet Balluku. Fakte që siç po thoshim këtu duhet të flasë prokuroria. Dhe më pas duhet të flasë gjykata. Prokuroria ka ardhur me një kërkesë dhe thotë që ‘unë kam disa dyshime, prova, fakte, problematika, kërkoj miratimin e Kuvendit për imunitetin’.

Duke qenë se kjo mazhoranca politikisht ma marrë një vendim dhe thotë ‘unë nuk mbroj askënd’, atëherë duhet të mbante të njëjtin qëndrim që ka mbajtur deri më tani me zyrtarët e tjerë dhe t’i jepte miratimin SPAK përmes Kuvendit, për shkak të imunitetit të pjesshëm që ka parashikuar Kushtetuta për masat e sigurimit të ‘arrestit me burg’. Kryeministri ka zgjedhur mbrojtjen politike të Ballukut. Pavarësisht retorikës së fundit të tij që thotë ‘nga sot e tutje të marrë avokat’, kjo nuk ka më sens sepse ka 4 muaj që kryeministri e mbron me forcë Ballukun. Kemi thënë që ‘arrestet me burg’ janë të ekzagjëruara, por nuk është ky rasti”, tha mes të tjerash Ramaj.