Ditën e sotme në Kuvendin e Shqipërisë, deputetët e Partisë Socialiste votuan kundër kërkesë së SPAK për arrestimin e Belinda Ballukut, duke mos i hequr asaj imunitetin e deputetit.
Avokati Përparim Çaça i ftuar në emisionin ‘Frontline’ me gazetaren Marsela Karapanço në Report TV tha se me votimin e sotëm, Grupi Parlamentar i PS-së mori kompetencat e Gjykatës së Posaçme.
“Këtu flitet vetëm përsa i përket masës së sigurimit. Në një kontekst tjetër unë do thoja një gjë, qysh sa ka filluar saga Balluku, sidomos pas marrjes së saj si e pandehur, kjo mazhorancë është bërë mburojë e Ballukut. Sot me këtë vendimmarrje Grupi Parlamentar ka zëvendësuar Gjykatën, sepse është në njëfarë mënyre rrëzim mase. Sepse nuk iu dha mundësia SPAK që të shkonte në Gjykatë. Mazhoranca po e shikon të lidhur fatin e saj me Ballukun”, tha mes të tjerash avokati Çaça.
Tjetër mendim kishte avokati Idajet Beqiri, i cili tha se SPAK që kur paraqiti kërkesën për arrestimin e Ballukut u nxitua dhe bëri një veprim inatçor, që sipas tij degjeneroi kodin e procedurës penale dhe funksionin e vet.
“Problemi është se që kur ka lindur kjo çështje dhe kur u mor masa e sigurimit, ajo e pezullimit nga detyra të Ballukut dhe posaçërisht kur SPAK pasi mori sigurimin e padisë, pra pezullimin e pezullimit nga Kushtetuesja, fill të nesërmen çoi në Parlament kërkesën për një masë tjetër ndaj saj, sikurse ishte ‘t’i hiqet imuniteti se dua ta arrestoj me burg’, kam thënë se SPAK po nxitohet, po tregohet inatçor dhe po e degjeneron në kuptimin e vërtetë të fjalës edhe kodin e procedurës penale, por edhe funksionin e organit të vet si organ akuze. Parlamenti sot ka luajtur rolin e vet”, tha mes të tjerash Beqiri.
Për analistin Plator Nesturi, nëse Prokuroria e Posaçme dëshiron që ta çojë përpara çështjen ‘Balluku’, prokurorët e SPAK do të bëjnë lëvizje të tjera për këtë rast dhe mund të kërkojnë sërish në Kuvend arrestimin e ish-zv.kryeministres.
“Ne nuk e dimë se çfarë ka në dosje. Ajo çfarë unë shikoj më me interes është aspekti tjetër që ka të bëjë me mënyrën dhe procedurën. Nëse ne do të gjykojmë për çështje që nuk i dimë, sepse duhet të mos harrojmë se që nga dhjetori dhe këtej nuk ka pasur rrjedhje mediatike të dosjeve. Kjo gjë nuk arrihet as nga deputetët e opozitës që kanë pasur të drejtën për të parë dosjet. Në këtë kuadër unë nuk dua ta shoh si betejë, sepse është për të bërë detyrën e vet dhe nëse ka elementë që ata duan ta çojnë çështjen para, do të ketë lëvizje të tjera nga ana e SPAK”, tha Nesturi.
Ndërsa për ish-prokurorin Karanxha, shkak i gjithë këtyre debateve publike për çështjen ‘Balluku’ është edhe dobësia juridike që kanë treguar këshilltarët dhe hartuesit e ligjeve gjatë këtyre viteve.
Karanxha tha se interpretimi i ligjeve lë shumë hapësira për diskutim dhe sot sipas tij, ministrat dhe deputetët nuk e dinë se për çfarë mase sigurie duhet t’i drejtohen Kuvendit dhe për çfarë jo.
“Në lidhje me këshilltarët, mendoj se gjatë këtyre viteve këshilltarët dhe hartuesit e ligjeve kanë qenë shumë të dobët nga pikëpamja juridike. Fakti që kanë krijuar shumë debate kushtetuese tregon për një teknikë të gabuar legjislative. Konkretisht me nenin 242, për rastin e Berishës. Deputetët, ministri dhe kryeministri nuk e dinë as vetë për çfarë masash sigurimi duhet shkuar në Kuvend dhe për çfarë jo. Kjo pati një anë pozitive kërkesa e SPAK për arrestimin e Ballukut, pavarësisht se është kompetencë e Kuvendit nëse jep ‘ok’ apo jo. Kjo bëri që Këshilli i Europës të ngrinte edhe çështjen e paraburgimeve”, tha mes të tjerash Karanxha.
Komente












