Ben Andoni: Pse Basha dhe Meta nuk krijojnë dot empati!

Ilir Meta dhe Lulzim Basha

Teksa Edi Rama po mbante një fjalim programor, vendosur disi në mënyrë provokative nën ekuestrin e Skënderbeut me rastin e fitores së mandatit të tretë radhazi duke e sfumuar të gjithë diskursin e tij të deriatëhershëm, 500 metra më tutje, Lulzim Basha përgatitej ta justifikonte humbjen. Dhe, jo pa arsye. Pak orë më parë, si të kishte zbritur prej një realiteti tjetër paralel, ai do shprehej qartë për fitoren, kurse pak orë më vonë jepte shpresë se: Qendrat e para që numërohen janë qendrat që janë përcaktuara nga partia në pushtet dhe favorizojnë partinë në pushtet. Thënë kjo PS ka humbur thellë numrin e votave të numëruara në Tiranë…. Kemi të bëjmë me një humbje të thellë të PS-së dhe rritje të numrit për PD-në, për koalicionin për ndryshim”.

Në fakt, ata që e dinin situatën e vërtetë nuk po flisnin. Prova më e sigurt ishin fytyrat e ngrysura të deputetëve të rinj dhe militantëve kryesisht rinorë që e shoqëronin Bashën e sidomos heshtja e militantëve përballë. Ato nuk kishin nevojë për koment. Edhe më keq ishte situata në presidencë, ku presidenti i vendit ishte mobilizuar dukshëm për humbjen e Ramës në Vlorë dhe kishte vendosur dhe një bast publik për humbjen. Kuptohet se nuk e dha dorëheqjen e premtuar edhe pse Rama mori edhe më shumë vota sesa ai kalkulonte. Në vend të kësaj do të mbaj mbi kurriz edhe hetimin e një komisioni parlamentar, që megjithë paqartësinë po kërkon hapur provën se ka shkelur tagrin e vet.

Në të gjithë rastet, goditje të tilla shkaktojnë empati, kuptohet kur përballen me dinjitet dhe adresohet humbja me Mea Culpën e duhur, por jo në rastin e Bashës dhe Metës. E përbashkëta e këtyre dy humbëse aspak të vegjël ishte një dhe një e përbashkët: Mospranimi! Ndaj, askush nuk pati edhe empatinë më të vogël për ta personalisht. Kjo, sepse Basha ishte aq i sigurt për fitoren saqë në media ka referime që kishte hapur shampanjën e fitores, kurse presidenti me ndryshimin e regjistrit luftarak në atë të një njeriu paqësor deri në ekstrem, tregoi një disekulibër emocional të trishtueshëm.

Po pse vallë të dy këto personazhe nuk krijojnë më as empatinë normale? Duket se përgjigja është e thjeshtë: Kurrë nuk dinë të kërkojnë falje dhe më shumë akoma edhe kur janë gati ta bëjnë gjejnë shumë shfajësime për të justifikuar, duke akuzuar me të gjitha bateritë të tjerët. Edhe pse përballë patën një makineri shtetërore të kalkuluar me rregulla loje jo të pastra për t’i mundur. Marcus Aurelius shekuj të shkuara tek “Meditimet” e shprehte më ndryshe: “Kurdoherë që do të gjeni gabim tek dikush, mos hezito t’i bësh vetes një pyetjen: Cili faj i imi ngjan gati me atë që do të kritikoj?”

Basha sot e kësaj dite nuk kërkon faj për performancën e tij, ashtu si presidenti i vendit, me atë kthesë të panevojshme që u dha zgjedhjeve, qoftë me daljet e nxituara por dhe diskursin, që e hodhi një pjesë të elektoratit kundra. Qoftë edhe ndaj formacionit që e përkrahu hapur në zgjedhje, konform medias. Të dy treguan se nuk e krijojnë dot empatinë e duhur për publikun, sepse në vend të shpjegonin rezultatin humbës (edhe kur kishin arsye) dhe zhgënjimin filluan retorikën për të vazhduar të ardhmen e tyre. “Tani fillon beteja”, e preçizoi kryetari i opozitës, duke u bërë personazh mirëfilli humoristik, në vend të idealistit që mund të frymëzonte edhe në humbjen e kushtëzuar. Shumë që e njohin Bashën dhe që e justifikojnë besojnë se është mirësjellja kali i tij i betejës, por në fakt Basha është zhgënjyes edhe këtu. Shumëkush e mban mënd ligjërimin e tij agresiv në protesta, thirrjet aspak normale dhe pastaj braktisjen e këtij ligjërimi, sikur të mos kishte ndodhur asgjë fare.

“Por a është e vërtetë që ndjeshmëria nuk duhet të jetë një cilësi e rëndësishme e lidershipit? Shkencëtarët socialë nuk pajtohen. Psikologu i Universitetit Yale, Dr. Paul Bloom është një anëtar i kampit që argumenton se ndjeshmëria është një tipar i ‘mbivlerësuar’ për një udhëheqës. Megjithëse mund të frymëzojë altruizëm, thotë ai, ndjeshmëria mund të dëmtohet nga paragjykimet dhe nuk përkthehet domosdoshmërisht në vendimmarrje morale”, shkruante kohë më parë te Huffpost, Carolyn Gregoire në artikullin “How important is it for politicians to have empathy?” (Sa e rëndësishme është për politikanët të kenë empati?) A e kanë ndjeshmërinë e duhur Basha-Meta, për të cilën jo pak herë paragjykohen!? Dhe, pse nuk e krijojnë dot empatinë?- mund të pyetet sërish. Sepse pakkush e identifikon veten me Bashën dhe Metën për pasurinë por më shumë se kaq mënyrën sesi e kanë venë pasurinë e tyre, ku mungon dukshëm transparenca. Pakkush është empatik për një personazh si Basha që nuk të thotë të vërtetën “edhe kur e pyet për orën” (referim i presidentit Meta); nuk pyet asfare për strukturat e partisë dhe nuk di të justifikohet; humbet dhe nuk di të kërkojë falje apo të tregojë duke i ndarë pikat e dobëta, paçka se ato edhe janë ballazi dhe kushdo mund t’i shikojë hapur. Ti nuk ndjen empati për dikënd që pasurohet në kohë pandemie, referuar deklaratave të kundërshtarëve, të cilave ai nuk di as si t’i justifikojë por më shumë se kaq nuk ndjehet empati për një personazh që mban peng një parti me fuqinë e Partisë Demokratike.

E jo më ndryshe presidenti Meta, referimet e të cilit, janë më të thjeshta. Nuk mund të kesh empati me një president që kërcënon dhe përdor një leksik të papërshtatshëm. Nuk mund të ndjesh empati me një president që ligjërimin e institucionit presidencial e banalizon me leksikun e rrugës.

Ndaj edhe në humbje e trishtim, këta njerëz që bëjnë jetë të stërpasur në vend nuk ngjallin empati. Dhe, ashtu si gati i falën edhe zgjedhjet e vitit 2021, thjesht duke pasur si motiv: ‘armikun e madh të Kombit, kryeministrin e vendit’, që i ka peshkuar të dy dhe u ka marrë edhe empatinë, duke i lënë të zhveshur. “Udhëheqësit më të mirë janë ata që kanë inteligjencë të lartë emocionale dhe një qasje të drejtuar nga vlerat: përulësia, dhembshuria, besueshmëria dhe ndjeshmëria”, i besonte psikologia Dr. Emma Seppala, autores Gregoire, por vallë a ka qenë ky ndonjëherë rasti i Bashës dhe Metës?! (Homo Albanicus)

Be.K./Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    A është rimëkëmbur ekonomia juaj familjare pas vështirësive të hasura gjatë pandemisë?

Komento


×

Lajmi i fundit

John

Arti Pamor, çelet ekspozita me mozaikë në Shkodër! Artisti Myftar Cubi prezanton 50 punimet e realizuara me gurë zalli