Pse fitorja e Johnny Depp është më e rëndësishme se sa duket

Pse fitorja e Johnny Depp është më e rëndësishme se sa duket

1. Sepse është e drejtë. Dhe kjo është objektive. Në asnjë pikë, Amber Heard dhe ekipi i saj ligjor nuk provuan që ajo ishte viktimë e dhunës nga Depp, siç pretendonin. Përkundrazi. Përmes dëshmive të shumta, u bë e qartë se Depp ishte viktima e vërtetë e dhunës. Aspekti më i rëndësishëm i vendimit të jurisë është pikërisht përcaktimi – përtej edhe vetë aspektit strikt ligjor – se në cilën anë të peshojës rëndonte e drejta, dhe se ku qëndronte e vërteta.

2. Sepse qartëson natyrën themelore të dhunës. Është fakt që shumica dërrmuese e viktimave të dhunës në familje janë gra. Kjo është e pakundërshtueshme. Dhe ky realitet imponon detyrim moral për të reflektuar dhe vepruar proaktivisht si qenie njerëzore, pa dallim. Por, gjithashtu, kjo nuk është ligj. Në thelbin e natyrës së saj perverse, dhuna (ligësia) nuk njeh parashkrime ideologjike, etnike, kohore apo gjinore. Vetëm duke pranuar realitetin e ligësisë universale, ne mund të jemi në gjendje të bëhemi njerëz më të mirë. Pa ndasi. Pa etiketa.

3. Sepse ky vendim i jep përparësi drejtësisë universale përkundër fetisheve dogmatike. Ishte frustruese të shihje disa feministë me kurdisje që e përcaktonin vendimin si “lajm ogurzi për viktimat e dhunës” (sigurisht gra). Ka një nëntekst ideologjik-debil në këtë qëndrim. “Xhoni është burrë i bardhë, heteroseksual, i pasur, dhe si rrjedhojë, në pozitë pushteti.” (Mallkimi i shumë liberalëve është që nuk e tradhtojnë dot mediokritetin e religjionit që ndjekin.) Por gratë nuk kanë ekskluzivitetin e viktimës, dhe ta pretendosh diçka të tillë është thelbësisht seksiste (dhe antifeministe). Parimi universal i barazisë bazohet pikërisht mbi të kundërtën. Konstatimi që viktima mund të jetë burrë dhe keqbërësi grua nuk e mpak parimin, përkundrazi, e përforcon. Gjithçka tjetër përpos vërtetësisë është inerci dogmatike dhe hipokrizi ndaj vetë kauzës. Kjo, sepse në këtë rrugëtim, ne jemi bashkë. Dhe e vërteta është që ne – të gjithë pa përjashtim – biem të veçuar, por ngrihemi të bashkuar.

4. Sepse normalizon veset e vogla dhe godet mëkatet e mëdha: specifikisht hipokrizinë. Ishte përgjithësisht ironike dhe personalisht shqetësuese, të shihje ekipin ligjor të Heard që këmbëngulnin për të vënë në dukje “faktin kriminal” që Depp drogohej. Ndërkohë, personi në fjalë qetësisht tregoi se çfarë drogash bënte, sa drogë bënte, me kë e bënte, kur i kishte bërë dhe si drogohej. 5 W-të e gazetarisë ishin të gjitha aty. (Cit: “Bëmë nja dy viza kokainë me Marilyn Manson, por i dhashë edhe një kokërr meqë fliste shumë”.) Paradoksi këtu qëndron në faktin që ndërsa Heard tentoi të luante kartën liberale të viktimës identitare, ajo paralelisht tradhtoi parimet e brendashkruara të së njëjtës kauzë, duke mbajtur qëndrim konservator mbi veset narkotike. Kjo nuk shkon, si dhe mund të përkufizohet si hipokrizi.

5. Sepse i dha një goditje institucionalizimit të gënjeshtrës në kurriz të viktimave të vërteta. Disa komentues thanë se dëmi që gjyqi i kishte shkaktuar lëvizjes “Me Too” ishte i madh. Të tjerë thanë me dëshpërim se kjo ngjarje efketivisht e vrau këtë lëvizje. Por më shumë gjasa ka që procesi dhe vendimi përkatës, sollën disiplinë ligjore, racionale dhe faktuale mbi çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo, pavarësisht “ndjeshmërive”. Diçka e tillë ka efekte të mëdha morale. Fakti që Heard tentoi ta përdorte lëvizjen “Me Too” për përfitim personal, është skandaloz dhe përbën objekt dënimi publik. Në këtë dritë duhet parë edhe orvatja e Heard për të nisur një karrierë të re si viktimë profesioniste, duke shfrytëzuar në këtë mënyrë vuajtjen e viktimave të vërteta, të panumërta të dhunës seksuale. 

Por ky nuk është vetëm rasti i izoluar i një njeriu të prishur. Ka të bëjë edhe me një kulturë sistemike brenda qarqeve liberale për pushkatime pa gjyq, për njëanshmëri në gjykim, për falsifikim të fakteve dhe realitetit. Shkrimi famshëm i Heard – i cili shërbeu si shkas për procesin gjyqësor – nuk shkrua nga ajo, por nga Unioni Amerikan i Lirive Civile (ACLU). Por në media doli me emrin e saj. ACLU nuk mori në asnjë moment mundimin të vërtetonte asgjë, dhe duke heroizuar një gënjeshtare, demonizoi një viktimë. ACLU u bë kështu bashkëpunëtor në gënjeshtër, dhe me këtë rast, i hapi derën karmës që të lëvizte nëpër labirintet e kësaj hierarkie falsifikimesh, si fantazmë hakmarrëse shekspiriane me veladon dhe gavel në dorë.

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

'Ata ishin 2 autorë!' Policia do të rimarrë në pyetje babain e shokut të Martinit: I dyti ka pasur thikë më të vogël

'Ata ishin 2 autorë!' Policia do të rimarrë në pyetje babain e shokut të Martinit: I dyti ka pasur thikë më të vogël