Pse pikturonte subjekte
folklorike Kol Idromeno

Pse pikturonte subjekte<br />folklorike Kol Idromeno
TIRANE - Kolë Idromeno, ashtu siç ka futur në pikturën “Motra Tone” motive etnografike, në një vepër tjetër “Portret burri me çibuk” ka bërë një trajtim piktorik thellësisht realist që na zbulon një burrë galant me kostum qytetar Shkodran. Ai pozon me një qëndrim prej fisniku, duke treguar jo vetem bukurinë fizike por dhe hijeshinë dhe dekorativitetin e kostumit që ka veshur. Fesi i kuq me një xhufkë në kokë,këmisha e bardhë me një gravatë të bukur elegante me perlë dhe dy lule, jeleku, shume i detajuar, dhe me ornamentikë punuar me një gajtan të zi, ndërsa brezi është me vija të kuqe,okër e të bardhë. Nga çibuku prej smeraldi, qosteku, veshja shumë ornamentale, kravata me perlë dhe lule,kuptohet se kemi të bëjmë me një person të shtresës së lartë shoqërore.

Konstatoj se Kol Idromeno ka patur një intuitë artistike të thellë në dallimin apo prioritin e realizimit të një misioni, për nje art të ri. Ku përveç subjekteve dhe pasqyrimit të njeriut të kohës, primare kishte trajtimin e subjekteve folkorike dhe etnografike. Këto vepra do të pasqyronin në këtë mënyrë motive të jetës sociale dhe familjare në Shkodër. Ai përcakton drejtimin dhe tendencën për një art realist,i cili mbështetej tërësisht në trajtimin e subjekteve aktuale të kohës. Në veprën e tij dominon folklorizmi dhe etnografia, nga ku mund të evidentohen motive, doke dhe zakone tradicionale, në gjykimin dhe shikimin e jetës së përditshme, si një aktualitet në lëvizje dhe zhvillim. Artisti bazohet më fuqishëm në etnografinë e pasur zonale. Mbi këto bazamente ndërton një vepër me një subjekt shumë domethënës dhe të pasur në ngjarje dhe personazhe.

Kjo është vepra “Rrugët e jetës”(1896) që ka  në përmbajtje të saj marrëdhënien e njerëzve me moralin shoqëror dhe besimin fetar. Në këtë kompozim figural nuk shohim ndonjë frymë mistike, sepse perceptimi artistik është bazuar mbi veprimtarinë komplekse të njeriut në aktivitetin e zakonshëm ditor. Nga mënyra e konceptimit dhe përmbajtjes së saj, vepra të krijon ndjesinë si një zgjatim logjik i artit popullor,pavarësisht tematikës thellësisht fetare: Njerëz që kryejnë  veprimtari të ndryshme, ndajnë rrugët e jetës, ferrin dhe parajsën. Në këto grupime shprehen aspekte gjykimi për mëkatet dhe mirësinë që kanë kryer personazhet gjatë veprimtarisë tyre familjare shoqërore.

Janë interesante skema të tilla, si: argëtim me aheng, me gjah, duke kalëruar, duke kryer grabitje apo duke bërë lojëra të ndryshme etj. Janë plot 210 figurat që trajtohen dhe përshkruhen me vërtetësi kaligrafike, pasi shumica mbajnë veshje tradicionale popullore të Shkodrës dhe zonës përreth.

“Rrugët e jetës” është një vepër me tematikë mitologjike, me përmasa të mëdha ku përshkruhen me vërtetësi etnografike skema të ndryshme nga veprimtaria ditore e njerëzve të shtresave shoqërore të ndryshme. Sipas shkrimeve dhe mësimeve të Biblës, veprimtaria njerëzore është e gjykueshme prandaj ajo duhet të udhëhiqet nga dashuria dhe mirësia. Njeriu merr rrugën e përcaktuar nga fati në bazë të veprimeve qe ka kryer në jetë. Pikërisht këto ide pasqyrohen në ketë vepër me rëndësi fetare dhe folklorike. Përmes tregimit dhe alegorisë piktori analizon veprimtarinë e përditshme të grupeve shoqërore ku rëndësi merr prezantimi i veshjeve te tyre tradicionale. Kjo përcakton nivelet klasore të shoqërisë dhe veset e tyre.

Për mënyrën e jetës që bëjnë njerëzit  për mëkatet dhe te mirat, janë caktuar dy rrugë, Parajsa dhe Ferri; këtë përpiqet të tregojë kjo vepër. Ndërkohë që është përcaktuar masa e njerëzve që kanë marrë destinacionet e tyre, në sajë veprimtarisë njerëzore dhe shoqërore, duke kaluar në rrugët që kanë merituar, Parajsa, për të gjithë ata, me sjellje dhe moral të lartë njerëzor,familjar dhe shoqëror; ndërsa ferri, i gatshëm të presë të gjithë ata që kanë vese të këqija,të dëmshme dhe me mungesë morali njerëzor. Në ferr pasqyrohen  ngjarje të jetës tokësore, të mbushura plot me vese të këqija. Ndërsa në parajsë ka vend vetëm për njerëzit me virtyte morale,që kryejnë veprimtari normale njerëzore. Kjo vepër është interesante se ka arritur të përshkruajë me hollësi dhe të diferencojë grupime të përcaktuara me veprime dhe gjeste që dënohen nga morali shoqëror, besimi dhe feja. Në vepër gjejmë përshkrime ngjarjesh, momente te veçanta nga veprimtaria shoqërore.

Por me rëndësi është përshkrimi real dhe i hollësishëm i veshjeve tradicionale të qytetarëve katolikë të Shkodrës. Nisur nga një tematikë dhe subjekt fetar, artisti i referohet artit popullor si një perceptim real i vlerave. Në këtë vepër, ndër të tjera, dallon dhe një skemë gazmore shumë interesante “Aheng Shkodran”. Vepra është e mbushur me skema folklorike dhe grupime të kompozuar me një fantazi të madhe. Vepra të tilla marrin përfytyrime të veçanta folklorike poetike. Në mënyrë të veçantë mund të dallojmë përshkrimet e tipave shumë te pasur dhe me karaktere të ndryshëm. Vepra ka marre vlera te mëdha etnografike sepse personazhet, janë veshur me kostume tradicionale. Përveç figurave të muzikantëve ku gjejmë edhe vetë portretin e artistit, të tjerët janë duke kënduar e gëzuar, në mënyrë origjinale. Mes kësaj atmosfere gëzimi, spikasin dhe figurat e shëmtuara të dy djajve, që janë pikturuar me një fantazi të veçantë e të çuditshme.

Nga mënyra se si veprojnë djajtë, duket sikur kanë ndikuar,për ti tërhequr në rrugë të “keqe”.  Kjo skemë ka përshkrime figurash me lëvizje interesante, të pikturuara me hollësi dhe korrektesë etnografike, veshjet e qytetarisë së Shkodrës. Njerëzit në kokë mbajnë, fes të kuq me xhufke qe i varet mbrapa, (element me influence turke). Këmisha të bardha, jelekë të kuq me ornamentike të pasur, qëndisur me gajtan me ngjyrë të zezë, brez ku dominon ngjyra e kuqe. Të gjithë kanë benevrekë të errët. Kjo është përgjithësisht atmosfera që buron nga kostumografia që është padyshim veshje e shtresës së thjeshtë qytetare. Një moment tjetër në këtë tablo janë dy kalorësit e pasur, të veshur me kostum tradicional. Ata udhëtojnë të qetë mbi kuaj. Mbrapa u shkon një fshatar, që me sa duket është një nga shërbëtorët e tyre. Ai dallon se ka një veshje tjetër, që përdoren në fshatrat e zonës, apo nga njerëz të shtresës të ulët shoqërore.

Ndërsa kalorësit kanë veshje qytetare me fes të kuq, me jelek, brezorja me ornamente,ku duken pisqollat. Benevrekë të errët, me këmbore të bardhë dhe këpucë të zeza. Kjo ka plotësuar në këtë mënyrë kostumin tradicional që përdoret nga qytetarë të pasur dhe fisnike të Shkodrës. Ndërsa fshatari në kokë ka qeleshe të bardhë, këmishë të bardhë, jelek të errët me mëngë të shkurtra, me tirqet e bardha prej shajaku, me ornamente në formë azhuri te zi, qe ndjek formën anash deri poshtë, afër opingave. Në krahë ka hedhur një pushkë. Është e dukshme që K.Idromeno, ka një opsesion pozitiv dhe lidhje të pandarë vlerësimi dhe bashkëpunimi me folklorin dhe etnografinë. Madje, ky artist ka influencuar edhe te piktorë të tjerë, që të ndërtonin një lidhje emocionale dhe të veçantë ndaj motiveve folklorike dhe elementeve etnografike.         
 
“DASMA SHODRANE“ (1924)
 
Një nga tablotë më sugjestionuese të artit të kësaj kohe, por dhe të artit realist, në përgjithësi është “Dasma Shodrane “ (1924). Që në fillim konstatojmë se kemi të bëjmë me një vepër tipike folklorike, me karakter të theksuar etnografik. Përmes drejtpeshimit kompozicional,harmonisë së ngjyrave, dritës së gëzueshme dhe hijeve transparente, trajtohet nje moment dasme në qytetin e Shkodrës. Kjo festë e rëndësishme familjare është përshkruar me një hollësi të admirueshme, ku mesa duket funksionon: një skemë, një rit që shoqëron çdo moment në këtë festë. Figurat me veshje tradicionale që ndrisin nga ngjyrat duket që përdoren në raste festash të tilla nga qytetarë katolikë. Ndërsa ambienti dominohet nga një mjedis shumë popullor,një portë e madhe me hark, nga ku duket një banesë karakteristike e arkitekturës popullore, e mbushur me dasmorë që zbresin, nga shkallët, ndërsa mbrapa në sfond duket xhamia dhe minarja e lartë,ndërsa pak më tej një kambanore e kishës.

Ky është një realitet ekzistues dhe aktual i besimit në këtë qytet. Larmia e bukuria e veshjeve të grave krijojnë atmosferë të vërtetë festive dhe gëzimi. Sepse të gjithë shfaqin një gëzim që marrin pjesë në këtë ceremoni dasme. Nga pikëpamja folklorike ka vlerë pasi kompozimi është ndërtuar mbi skema të vërteta të mënyrës e zhvillimit të një rituali dasme. Ndërsa nga pikëpamja etnografike na vjen një informacion interesant pasi na shpaloset një pasuri e madhe e veshjes tradicionale,e mbushur me ornamentikë dhe zbukurime të rralla që përdoren në raste të tilla. Vlerat e kësaj vepre janë të dukshme në shumë dimensione. Interesante paraqitet skema kompozicionale që ndërtohet në disa plane, të cilët krijojnë atmosferë dhe lëvizje lakonike të figurave. Një element që paraqet interes në këtë vepër me vlera etnografike, është se kemi një imponim dhe trajtim tejet korrekt të kostumeve popullore. Çdo pjesëmarrës ka veshje me simbolikat e përkatëse që përcaktojnë nivelin dhe statusin shoqëror dhe fisnor në këtë ceremoni.

Grupimet e ndryshme në këtë vepër besoj se janë bërë sipas përkatësisë dhe rëndësisë fisnore. Në të djathtë, në plan të pare dallojnë dy gratë, ndërsa njëra vështron nga nusja, tjetra ka ngritur dorën dhe sheh përpara,këto duken që i paraprinë grupit të krushqve. Ndërsa pas tyre një djalë i vogël mban një bohçe. Veshja e tij,me jakë të bardhë, brez dhe kësule të kuqe, si dhe vendi ku ai qëndron, tregojnë se ka një rol të rëndësishëm në këtë ceremonial. Ndërsa në qendër të veprës është nusja, e shoqëruar nga dy gra që e kanë vënë në mes.
 
Piktura e Idromenos 1924 Dasma Shkodrane
(Në foto: Pikturë e Kol Idromenos "Dasma Shkodrane")

KOMPOZIMET FIGURALE
 
Njëra komunikon me të ftuarit, ndërsa tjetra është tërësisht e përqendruar te vajza nuse. Nusja duket qartë jo vetëm se është në qendrën e këtij kompozimi interesant, por vendosja e grupit të grave është bërë në  formë të tillë që të gjitha linjat e çojnë vështrimin në këtë figure kryesore. Kjo është një zgjidhje kompozicionale që bazohet mbi skemat e artit klasik ku horizontalet,vertikalet dhe lakonizmi i linjës çojnë në zbulimin e subjektit dhe personazhit kryesor. Në veshjen e nuses përveç kostumit të saj dallon dhe shamia e bardhë që mbulon pothuaj gjithë fytyrën e shkon deri poshtë trupit. Ajo që tërheq vëmendjen është japanxhja e kuqe zbukuruar me fije, me ngjyra të ndryshme, e cila zakonisht hidhej krahëve Sipas etnologëve, kjo është një pjesë tipike e veshjes për nuse. Ndërsa grupi që nënkupton dukshëm shoqërueset apo krushkat përshkohet nga një dritë transparente, duke u dhënë kostumeve ndriçim dhe bukuri impresionuese, për të evidentuar pasurinë koloristike. Shumë përshtypje të bëjnë figurat e grave që janë nën rrezen e burimit te dritës, që kanë veshur kostume, që dallojnë, mes dasmoreve tjera. Në rastin e benevrekëve të errëta , përdorur nga gratë dhe burrat katolikë, kemi të bëjmë me një influencë nga veshjet venedikase.

Portet Burri Pikturë e Kol Idromenos
(Në foto: Portet Burri Pikturë e Kol Idromenos)

Në krahun e majtë ndodhen dasmorë të tjerë, midis të cilëve  njëra nga gratë i kushton vëmendje fëmijës së vogël, dy gra tjera, me kostume të përmbajtura në ngjyrë, plotësojnë harmonishëm ambientin festiv.
Pas planit të parë kemi një grupim të kompozuar natyrshëm, që krijon një drejtpeshim elementesh figurative, siç janë figurat e burrave dhe fëmijëve të vegjël. Kompozimi zhvillohet brenda një oborri me mur të lartë, porta e madhe me hark e mbuluar me çati lart,mbrapa saj, shtëpia dykatëshe nga duken shkallët, prej së cilës po zbresin dasmorë të shumtë. Në këtë tablo horizontale figurat kanë një rol të rëndësishëm në krijimin e atmosferës festive. Ndërsa peizazhi, në plan të dytë plot dritë, me shtëpitë karakteristike shkodrane, i plotëson elementet përbërëse të një pikure me përmbajtje etnografike. Kjo atmosferë është pasuruar nga larmia arkitektonike, me ornamentike mjaft plastike dhe kontrast grafik. Drita e plote direkte e diellit i ka dhënë ngrohtësi përshkrimit të ambientit dhe një pjesë të figurave.

Motër Gjyzepina pikturë e Kol Idromenos
(Në foto: Motër Gjyzepina pikturë e Kol Idromenos)

Por folklor të pastër dhe etnografi të pasur nuk shohim vetëm në kompozime figurale, por dhe në portrete, peizazhe e vizatime. Një vepër me vlera serioze është “Portret burri me fes” që prezanton një person autoritar të kohës. Portreti përcakton individualitetin e një personaliteti, që pozon për të evidentuar në një farë mënyre pozitën e vet shoqërore dhe klasore. Kjo vepër është pikturuar me  hijeshi dhe të befason me veshjen tradicionale. Në kokë ai mban një fes të kuq, me xhufkë në kokë, Ka veshur një këmishë të bardhë dhe mbi të, një xhamadan me ngjyrë të kuqe, e qëndisur me gajtan të zi që na tregon një pamje sugjestive. Kemi gërshetim të formës me lakime vertikale në mes, ndërsa në mbyllje në pjesën e përparme duken elemente zbukurimore në formë gjetheje.

Në xhamadan dallohet dekori ornamental me një vijë të zezë të trashë që plotësohet nga rrathë të vegjël që vijnë njëri pas tjetrit. Në pjesën e poshtme të tij,  deri afër dorës kemi nje mbyllje me elementë që vallëzojnë me ritëm linear grafik. Portreti mbyllet me një brez mesi të trashë, me dekoracione horizontale dhe vertikale. Duke parë këtë portret besojmë  që kostum të tillë me pasuri ornamentale, me qëndrimin galant si tip, me mustaqe spic, me pamje burrërore, na krijohet mundësia të shohin një karakter të skalitur fort, që mbart psikologjinë e një njeriu të kënaqur nga jeta dhe pozicioni shoqëror. Ndërkohë na afrohet dhe mundësia të shijojmë një pamje autoritare që buron nga ajo veshje e pasur dhe pozante. Duke patur një marrëdhënie të afërt me folklorin dhe etnografinë piktori arriti të krijoi kompozime, portrete si dhe disa peizazhe qe u bënë të njohura. Portret interesant është “Fshatari nga Zadrima” ku shohim një njeri të thjeshtë, i cili duket nga veshja e që mban.
 
OBORRI SHKODRAN
 
Një vepër që afron pamje të bukura të një mjedisi karakteristik është peizazhi “Oborr Shkodran”(1933), ku  përshkruan pamjen e brendshme të një oborri shkodran. Mes këtij oborri të bukur me pemë, lule të larmishme e objekte tjera qëndron një vajzë të vogël me kostum popullor. Në këtë vepër është krijuar një atmosferë e ngrohtë intime dhe familjare. Ky peizazh tregon në një farë mënyre organizimin e mjediseve në qytete karakteristike, ku jeta e familjes përditësohet në këto banesa të bukura plot lule,poezi,gur dhe dru të gdhendur me hapësira të bollshme plot ajër dhe dritë, por dhe etnografi. Peizazhi mbështillet nga një dritë e ngrohtë e ëmbël transparente. Oborri, me pemët, lulet dhe vajza e vogël me kostum tradicional, janë pikturuar me kujdes dhe hollësi kaligrafike.

Të krijohet përshtypja sikur kemi të bëjmë me një qilim të endur shumëngjyrësh. Me interes në krijimtarinë e këtij artisti janë veprat me karakter intim që përmbajnë elemente etnografike të pastra. Në vitin 1931 pikturon një portret gruaje me ndjeshmëri dhe emocionalitet të dukshëm. Është një grua në moshë që ka tipare ku shprehet një bukuri natyrale. Ky artist portretet i nxjerr nga sfodi errët për të përqendruar dritën në momentet kryesore përcaktuese të tipareve dhe karakteristikave të modeleve. Kjo është e dukshme në portretin e gruas së tij.

Ai e ka pikturuar duke u përqendruar në trajtimin piktorik, ku penelata delikate krijon formë plastike të fytyrës së saj, ngjyra plot dritë, që shpërndahet ëmbëlsisht në pjesën ballore. Në këtë portret të përmasave jo shumë të mëdha është pikturuar bukur veshja e saj që përdorej gjerësisht nga gratë qytetare të besimit katolik në qytetin e Shkodrës. Mbi flokët e saj është vendosur një salmon, element të cilën nuk e kemi hasur në asnjë pikturë tjetër. Këmisha e poshtme dhe sipër saj janë të bardha, ndërsa jeleku dhe shamia e vendosur përpara, formulojnë veshjen e gruas së moshuar shkodrane. Gjithashtu një portret tjetër interesant i këtij artisti është ai i quajtur “Fshatari nga Zadrima” Përveç tipit me karakter të detajuar,të tërheqin vëmendjen edhe veshja e burrave të zonës së Zadrimës. Këto janë portrete thellësisht familjare dhe shumë intime. Ato përmbajnë shprehi artistike dhe informacion të pasur me vlera etnografike.

Ne tërësi vepra e K.Idromenos tregon nder te tjera forcën e një pikture realiste qe mbështetet fuqishëm ne etnografinë dhe folklorin duke u bashkuar dhe me frymën e nje patriotizmi real. Arti i këtij artisti pati rendësi për kohën se ndryshoi dhe tranformoi pikturën shqiptare, e modernizoi ne atë,ne ato kushte te vështira ekonomike, sociale dhe shoqërore.

Oborr Shkodran, 1933 Kol Idromeno
(Në foto: ​piktura Oborr Shkodran, 1933 Kol Idromeno)

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 24.08.2013
 
Redaskia Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Vijojnë të jenë aktive vatrat e zjarrit në Shëngjin, por me intensitet më të ulët

Vijojnë të jenë aktive vatrat e zjarrit në Shëngjin, por me intensitet më të ulët