Ka një anekdotë nga koha e Mbretërisë Shqiptare. E pyetën Ahmet Zogun përse, ndryshe nga shumë monarkë të tjerë në Evropë që thirreshin (dhe thirren) “Madhëri”, ai përdorte titullin “Naltmadhni”. Thuhet se mbreti Zog u përgjigj shkurt: “Në mbretërinë time, çdokush e quan veten ‘Madhëri’. Prandaj unë i shtova vetes parashtesën ‘Nalt’, që të dalloj prej tyre.”

Kjo anekdotë shërben si metaforë për një problem që po shfaqet në protestën e zhvilluar prej javësh në bulevard, që është vështirësia për të prodhuar një lider të qartë që të udhëheqë ata që besojnë tek ideja e “Shqipërisë së Re”.

Masiviteti i një proteste nuk nënkupton domosdoshmërisht homogjenitet idesh apo interesash. Përkundrazi, sa më e gjerë të jetë pjesëmarrja, aq më heterogjene bëhet përbërja e saj. Dhe pikërisht kjo shumëllojshmëri e bën të vështirë ngjizjen e një drejtimi të vetëm, të një figure që të mund të mbajë mbi supe peshën e përfaqësimit të rrymave të ndryshme, të cilat në fund të fundit ta shohin atë si zërin më të plotë të aspiratave të tyre.

Kur brenda turmës pothuaj të gjithë ndihen si bartës të legjitimitetit, domethënë “Madhëri”, lind një ngërç i pashmangshëm: kujt duhet t’i besohet roli drejtues, domethënë i “Naltmadhnisë”? Në mungesë të një hierarkie të pranuar, konkurrenca e brendshme shpesh nuk prodhon bashkim, por përplasje ambiciesh, ku interesi personal fillon të mbizotërojë mbi atë kolektiv.

Në situata të tilla nuk kemi thjesht mungesë lideri, por një krizë të vetë përfaqësimit. Kur secili e sheh veten si burim legjitimiteti, roli drejtues nuk delegohet natyrshëm, por tolerohet me kusht. Dhe çdo lider i mundshëm nis jo nga forca e mandatit të tij moral apo politik, por nga dobësia e pranimit të të tjerëve.

Mjafton një pakënaqësi e vogël, një fjalë e nxituar, një mungesë vëmendjeje apo një keqkuptim i çastit, dhe struktura e brishtë e grupit rrezikon të shpërbëhet me shpejtësi, si kripa në ujë.

Në këto kushte, marrja e rolit të liderit, kur shumë të tjerë e pretendojnë po aq fort, shndërrohet në një nisje të vështirë dhe shpesh vetëshkatërruese për çdo lëvizje të re politike. Sepse lideri nuk mjafton të jetë vetëm vizionar apo orator i mirë. Ai duhet të jetë edhe një figurë e aftë për të bashkuar, elastike në marrëdhënie dhe e aftë të ndërtojë besim përtej ndasive të brendshme.

Kjo nuk është një dukuri e re në lëvizjet politike spontane. Shpesh, sa më organike dhe gjithëpërfshirëse të jetë një protestë në lindje, aq më e vështirë bëhet transformimi i saj në strukturë politike. Energjia fillestare nuk përkthehet domosdoshmërisht në organizim të qëndrueshëm.

Pa këtë aftësi për të shndërruar një turmë të fragmentuar në një trup të unifikuar politik, çdo përpjekje për t’u kthyer në alternativë pushteti rrezikon të mbetet një potencial i parealizuar ose të dështojë që në embrion./TemA