Pse Shqipëria ka kaq shumë banditë dhe artistë të shkëlqyer?

Pse Shqipëria ka kaq shumë banditë dhe artistë të shkëlqyer?

Eugent Bushpepa

Dje, katër të rinj, studentë u lënduan me thikë para Presidencës, në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Dje, e sollën në Shqipëri Izet Haxhinë, ndërsa të shumtë janë ata që presin të çelet kapaku i gjirizit.

Dje, Eugent Bushpepa, një mirditor si gjithë të tjerët çoi Shqipërinë në finalen e Eurosong.

Dje, Skerdjano Keraj, violinist i mirënjohur në Gjermani shkëlqeu në një koncert me Orkestrën e Radio Televizionit.

Dje, Eleni Foureira, një fierake me fustanin me toka çoi Qipron në finalen e Eurosong. Në këtë festival në finale janë tre shqiptarë si kurrë më parë me asnjë kombësi tjetër. Shqipëria, Italia dhe Qipro janë në garë me të njëjtën racë.

Të gjitha këto ngjanë vetëm dje, por në ditët e shkuara ose ato që do vijnë, kemi dëgjuar ose do të dëgjojmë sërish për tonelata me drogë, banditë që kanë kapur shtetin, rrugaçë që vrasin e presin, skifterë që grabisin, qeveritarë që vjedhin dhe shtojnë taksat të mbushin gropën e hajnisë. Por ama, kemi për të dëgjuar për shkrimtarë, sportistë, shkenctarë, muzikantë, artistë, aktorë, këngëtarë, piktorë, balerinë që vazhdojnë të shenjojnë në udhën e tyre të lavdisë edhe Shqipërinë.

Në Itali na tregojnë me gisht për Habilajt, por edhe për Saimir Pirgun me zërin kristal. Na tregojnë me gisht për narkotrafikantët dhe vrasësit me pagesë në Angli, por edhe për Ermonela Jahon në Royal Opera House në Londër. Duket sikur në këtë tokë, trëndafili çel aromëshumë në një kopshtie plot me mut. Prandaj, kam këtë pyetje që më shkakton vramendje prej kohësh: Përse kemi kaq shumë banditë dhe kaq shumë artistë?

Nuk e gjej gjetkë përgjigjen, sepse në vende të tjera, kur e zeza i përpin, këta të mirët numërohen me gishta. Këtu duket se aty ku lulëzon bari i keq, në kundërshtim me ligjësitë e bujqësisë, hedh shtat më fuqishëm kalliri i grurit. Megjithëse hanë të njëjtën bukë e pijnë të njëjtin ujë, këtu mund të gjesh koka të mendimit dhe artit, ashtu si gjen kriminelë të pamëshirshëm, që aq mirë i ka përshkruar Elvira Dones.

Këtu gjen cubin e politikës që kërkon të prishë shtëpinë e artit dhe skamnorin e artit që e ndan mendjen për vetëflijim. Gjen shkrimtarë që shkruajnë libra të vërtetë që nuk ua var kush dhe banditë që duan të kthejnë bibliotekat në salla kumari. Gjen pedofilë që i bëjnë mësues dhe poetë erotikë si Pano Taçi që të ngjethin mishtë. Ke kulla që lartohen me para droge dhe trafikun e mishit të bardhë, kurse në themelet e tyre ka vdekur Frederik Reshpja që e lartoi veten veç në poezi.

Kjo tokë që ka pjellë Enver Hoxhën dhe Gjergj Fishtën, pse vazhdon të mbetet sërish me barrë me vrasës dhe poetë?

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Ilyricum: 10/05/2018 10:29

    TITULLI TE FTON TE LEXOSH PER TE KUPTUAR ARSYET, POR NE TEKST KA VETEM KONSTATIME. HAJDE ANALIZE, HAJDE!!!

    Përgjigju
  • Vicidoli: 10/05/2018 09:24

    Po ti ku e fut vehten?

    Përgjigju
  • lapsi: 09/05/2018 21:28

    Si cdo vend tjeter i botes qe ke nga te gjitha llojet

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Të shtëna me armë zjarri në Durrës, nuk raportohet për të lënduar! Shkak sherri mes dy personave në lokal, dyshohet se u përdor 'Shotgun'

Të shtëna me armë zjarri në Durrës, nuk raportohet për të lënduar! Shkak sherri mes dy personave në lokal, dyshohet se u përdor 'Shotgun'