Disa janë nisur në Dubai, disa në Tajlandë, të tjerë në Zelandën e re e të tjerë akoma në ishujt më të bukur të Italisë e Greqisë. Ndërsa ti je në kafen e lagjes duke pritur orën e drekës, duke parë pak kalimtarë që ecin përtueshëm në gushtin e zbrazët të Tiranës e duke i hedhur një sy socialmediave pa pasur zili njeri. Ke marrë lejen, por nuk je nisur askund. Pret të hash drekën me prindërit e tu të moshuar; babai i ka kaluar të tetëdhjetat dhe nëna është aty afër. E kanë të gjatë listën e sëmundjeve, por ja ashtu, pak ilaçet e pak ndonjë ndërhyrje, mbahen mirë. Janë entuziastë që drekën do ta kalojnë me djalin.
Mamaja ka bërë byrekun e preferuar me qepë e domate, pak tarator e një sallatë me djathë të bardhë është perfekte. Pjesa tjetër e familjes sot është në plazh ditor në Durrës. Kthehen në darkë vonë. Nëna nuk dëgjon mirë, por tashmë kuptoheni me një shikim e një prekje duarsh. Babai si gjithmonë filozofon: I pëlqen të analizojë zhvillimet politike dhe ndryshimin urbanistik e njerëzor të lagjes. E dëgjon pa e ngacmuar; ke vendosur t’i lesh babait gjithë kohën në dispozicion, të flasë, të flasë… dhe ti ke vetëm etje për ta dëgjuar. Disa gjëra ka filluar t’i përsërisë shpesh. Harron se i ka treguar me dhjetëra herë, por ti vetëm qesh, e ke gjithë durimin dhe kohën e botës në dispozicion. Nuk ke vendosur ta harxhosh mes trafikut, vapës së plazheve, fotografive me luksin e pushimeve më “cool” të verës. Ke qëndruar. I ke rezistuar nisjes me çdo kusht dhe kudo.
Pushimet e ngadalta me njerëzit e zemrës janë zgjedhje që bëhen nga shumë. Nuk janë në modë, nuk futen në trendin e algoritmeve sepse nuk nxisin konsum, imitim, klikime… por ama janë. Ekzistojnë shumë pushues të tillë që dëshmojnë se ndjejnë një pushtim të paqtë e të gëzueshëm. Pushime ndoshta jo në modë, por me siguri, alternative.
Komente







