Presidenti rus, Vladimir Putin ka deklaruar në një interviste për televizionin shtetëror rus, se Rusia ishte gati të përdorte armët bërthamore gjatë tensioneve të vitit të kaluar në gadishullin e Krimesë, në Ukrainë.

Gjatë intervistës dhënë me rastin e një-vjetorit të aneksimit të Krimesë, kreu i Kremlinit deklaroi se ishte në dijeni të plotë të planeve për eliminimin fizik të presidentit të Ukrainës Viktor Janukovic dhe për këtë arsye Rusia ndërhyri për t’i shpëtuar jetën.

Presidenti rus Putin ka theksuar se Rusia ishte gati të përdorte armët e saj bërthamore, nëse do të ndërhynin Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj në kohën kur Krimea vendosi t’i bashkohej Rusisë.

Ai deklaroi se për këtë kishte njoftuar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Europian që të mos ndërhynin në këtë çështje. Gjithashtu Putin akuzoi perëndimin për orkestrim të grushtit që rrëzoi presidentin Janukovic nga pushteti. Dhe për këtë, vijon më tej ai gjatë intervistës, mund të kishte dhe një Luftë të tretë Botërore.


Redaksia Online
(o.b/Shqiptarja.com)