Presidenti rus, Vladimir Putin akuzoi sot perëndimorët se po përdorin krizën në Ukrainë për inkurajimin e NATO-s.

"Kriza në Ukrainë që, në sfond, është provokuar dhe krijuar nga disa prej partnerëve tanë perëndimorë, është përdorur aktualisht për inkurajimin e këtij blloku ushtarak", deklaroi Putin, duke iu referuar Aleancës Atlantike dhe cituar nga agjencitë ruse të lajmeve.

Gjatë samitit të NATO-s që u zhvillua javën e kaluar në Newport, në Uells, vendet anëtare të Aleancës Atlantike premtuan mbajtjen e "një asistence të vazhdueshme" në lindje të Evropës ku qëndrimi i Rusisë është shqetësues, veçanërisht në sajë të krijimit të një plani veprimi që synon përmirësimin e aftësisë së aleancës për të vepruar me shpejtësi, për të mbrojtur aleatët në rast nevoje.

Ky plan veprimi parashikon të riforcojë mbrojtjen kolektive, misionin kyç të NATO-s, themeluar në fillim të Luftës të Ftohtë, 65 vjet më parë./ATSH/